Secondary Adv

Projekti per Markaten e Peshkut ne Vlore: MBZHR hap tenderin me fond 161 mln leke

Markata e peshkut në Vlorë, aktualisht një godinë jashtë funksioni në afërsi të Portit të Peshkimit, do jetë pjesë e investimeve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

 

MBZHR ka shpallur tenderin në Agjencinë e Prokurimit Publik dhe ka vënë në dispozicion të projektit një fond prej 161.3 milionë lekësh, të ndarë në 3 faza deri në 2021, kur pritet edhe të përfundojnë punimet. Ky projekt kërkon të kthejë tregut e peshkut të Vlorës edhe në atraksion turistik si dhe të bëjë lidhjen e funksionit aktual të godinës si një magazinë peshku me projektimin e një markate peshku, duke furnizuar klientët për të gjithë vitin. Nisur nga detajet e projektit, godina aktuale do të ‘rikrijohet’ nga e para, për shkak të gjendjes ekzistuese të rrënuar. Përpos rehabilitimit dhe përmirësimit të përgjithshëm, do të ndërtohen rrugë dhe parkime të reja. 

 

“Sistemimi i jashtëm do të jetë i kuruar edhe me elemente urbane të cilat do bëjnë edhe një lidhje me detin, duke përdorur stilizim të ndriçuesve të rrugëve si vela anijesh, skulptura e peshkut në fasadën ballore të objektit. Ndërtimi i shkallareve ulëse që shërbejnë si ambiente sociale dhe përfshirja e tyre edhe në arkitekturën e objektit krijon një atraksion turistik për zonën dhe Markatën” specifikohet në detajet e projektit. Kjo markatë, pritet të ketë shesh ankandi, 15 dhoma frigoriferike, 10 zyra për subjekte, zyra për Bankën, Veterinerin, Inspektoratin, Llogaritësin. 

 

Gjithashtu, nga detajet e punimeve, Markata e Peshkut do të përmbajë ambient ndenjeje dhe kuzhinë për personelin si dhe tualete të pajisur me gardërobe dhe dushe. Nga ana tjetër, godina e re do të ketë funksionale edhe tarracën, e cila pritet të funksionojë si ambient bari në periudhat e ngrohta të vitit. Nisur nga detajet dhe fotot e projektit, pritet që markata aktuale të pësojë një transformim total krahasuar me atë që aktualisht përfaqëson. Tenderi i shpallur në APP do të qëndrojë i hapur deri më 19 shtator, ora 09:00, e që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues, i gjithë ‘transformimi’ do të ekzekutohet në një afat 24 mujor./Scan


Më të lexuarat