Secondary Adv

15 milion euro per QSUT, ja ku do te nderhyhet

 

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” përmes një huaje prej 16 milionë eurosh nga Banka për Zhvillim i Këshillit të Evropës, pritet të pësojë një transformim rrënjësor.


Komisioni i Shëndetësisë ka miratuar gjithashtu edhe një grant prej 1.5 milionë eurosh për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Granti do të investohet në shërbimin e kirurgjisë dhe atë të sëmundjeve të brendshme. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka shpjeguar programin. “Kjo marrëveshje që paraqitet sot është pjesë e zbatimit të masterplanit të zhvillimit të QSUT-së, jo vetëm si qendra më e madhe spitalore në vend, por dhe si qendër universitare”.


Masterplani per QSUT
“Masterplani ka filluar të zbatohet që në vitin 2004. Në vite ka pasur plotësime të pjesshme të tij dhe gjithashtu, praktikisht me këtë investim, i cili është rreth 24 milionë euro, 2 janë blloqet kryesore; ndërtimi i Kirurgjisë së Përgjithshme dhe rikonstruksioni themelor i Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme (6 katëshi). Është ndërtuar një spital i ri, në të cilin janë 2 katet e sipërme bosh, të papërfunduara.


Ato dy kate do të shfrytëzohen për të bërë shtatë salla të reja të kirurgjisë së përgjithshme, 10-12 shtretër të terapisë intensive dhe një kat tjetër me 60 shtretër. Ndërsa spitali i Sëmundjeve të Brendshme është ndërtuar para 40 vjetësh dhe aty janë disa shërbime shumë të rëndësishme, kardiologjia, gastrohepatologjia, nefrologjia etj. Aty kemi një rikonstruksion themelor për të afruar standardet më të rëndësishme që përdoren sot në Evropë, ku për një pacient përdoren në nivelin 35 metra dhe ne jemi në nivelin 15 metra.


Në atë spital sot janë rreth 270 shtretër dhe pas rikonstruksionit mendojmë të arrijmë në 240 shtretër, por qëllimi kryesor është që dhe në dhomat e pacientëve të ketë tualete dhe shërbimet kryesore. Kredia është 16 milionë euro, ku 5 milionë euro janë grant dhe detyrimi për kontribut i qeverisë shqiptare është 7 milionë e 470 mijë euro, duke bërë që përgjithësisht në të gjithë projektin 30 për qind të jetë kontributi i qeverisë shqiptare dhe pjesa tjetër të jetë nga banka e Këshillit të Europës. Kohëzgjatja e kredisë është për 20 vjet. Në bashkëpunim me ata që kanë realizuar masterplanin, ne kemi nisur diskutimet që në tetor të vitit 2013”, tha Beqaj.


Afati per zbatimin e projektit
Afati i zbatimit të këtij projekti është 36 muaj. Punimet për rikonstruksionin e kirurgjisë pritet që të përfundojnë në fund të vitit 2017, ndërsa punimet në spitalin e sëmundjeve të brendshme në fund të vitit 2019.


Faza e parë e projektit të reformimit të QSUT-së, realizuar me një hua prej 14 milionë eurosh të Bankës së Këshillit të Evropës (CEB) dhe me kontributin e qeverisë shqiptare, është finalizuar me ndërtimin e një godine të re spitalore e cila përfshin Departamentin e Urgjencës Mjekësore (traumatologji), radiologjinë, reanimacionin, laboratorët, sterilizimin qendror dhe diagnostikën funksionale, si dhe me ndërtimin e një godine tjetër për shërbimet elektro-mekanike.   Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë (QSUT) është qendra mjekësore terciare më e rëndësishme në Shqipëri.
Ajo përbën spitalin më të madh në vend, me një kapacitet prej rreth 1 400 shtretërish. Çdo vit, në këtë spital kurohen më tepër se 65 000 pacientë. QSUT-ja shërben, gjithashtu, si spitali kryesor i mësimdhënies për Universitetin e Mjekësisë dhe Shkollën e Lartë të Infermierisë.


Më të lexuarat