Secondary Adv

100 punedhenesit me te medhenj ne Shqiperi


25 vjet pas tranzicionit vendi ynë vijon të ketë avantazhin kryesor koston e lirë të fuqisë punëtore, me fasonin dhe call center, që po kthehen në gjeneruesit kryesorë të punësimit në vend. Ulja e produktivitetit dhe mbizotërimi i sektorëve me vlerë të shtuar të ulët, që kërcënon konkurrueshmërinë në afatin e gjatë, rrezikon të kthehet në barrierën kryesore të ekonomisë shqiptare.


Sipërmarrësit e huaj, pothuajse njëzëri, vlerësojnë forcën e punës, sidomos të rinjtë, me të cilët ata punojnë. Të zgjuar, që flasin disa gjuhë të huaja dhe të aftë në kuptimin dhe zbatimin e detyrave të caktuara, janë disa nga veçoritë që ata nxjerrin në pah për punonjësit e tyre shqiptarë.


Të dhënat e INSTAT-it flasin për 172 mijë studentë që ndiqnin arsimin e lartë në vitin akademik 2012/2023, 80% e të cilëve në universitetet publike. Sipas krahasimeve ndërkombëtare, “grupmoshat përfshirë në arsim”, Shqipëria e ka këtë tregues për arsimin e lartë 60%, më mirë se Rumania, Franca, Gjermania e Zvicra dhe më ulët se vendet skandinave si Norvegjia, Suedia etj. (shiko grafiket Studentëtë regjistruar në universitete;Krahasime ndërkombëtare:Grupmoshat përfshirë në arsim/arsimi i lartë).

 

Por, këta studentë, ka shumë të ngjarë të zhgënjehen kur të mbrojnë arsimin, teksa do të duhet të përballen me një të vërtetë të hidhur: sektorët kryesorë që po gjenerojnë vende pune janë ata që kanë një vlerë të shtuar dhe produktivitet të ulët, si rrjedhojë dhe pagesa jo të larta, që nuk i justifikojnë vitet e shpenzuara për sigurimin e dijeve specifike.
Statistikat tregojnë se dy sektorët kryesorë që po gjenerojnë vende pune vitet e fundit janë fasoni dhe call center, të dy që kanë si avantazh shfrytëzimin e kostos së lirë të fuqisë punëtore, në raport me vendet e zhvilluara.


100 kompanitë më të mëdha
100 kompanitë më të mëdha kishin në punë rreth 64 mijë persona, në fund të vitit 2013, apo rreth 20% të totalit të punësuar në ndërmarrjet private e shtetërore në vend. Nga 100 më të mëdhenjtë, kompanitë e tekstileve dhe këpucët, që punojnë kryesisht me material porositësi dhe kanë një vlerë të shtuar të ulët, kishin rreth 13700 të punësuar, apo 21% të totalit. Në total, sipas INSTAT, tekstilet e këpucët punësonin rreth 31 mijë persona, gati 9% të tëpunësuarve në total. Ky sektor ka shënuar ecuri pozitive dhe në 2014, teksa pa një zgjerim shifror të eksporteve, si rrjedhojë e rritjes së interesit të partnerëve të huaj, kryesisht italianë, që po i largohen Kinës e Lindjes së largët, e po hedhin sërish sytë nga tregu shqiptar, që vijon të jetë konkurrues përsa i përket kostos së lirë të fuqisë punëtore. Në listën e 100 punëdhënëseve më të mëdhenj, 24 janë sipërmarrje që ushtrojnë aktivitet në fushën e këpucëve e tekstileve.

 


Posterat e shumtë në rrugët e kryeqytetit ftojnë të rinjtë, që flasin gjuhë të huaja, t’u bashkohen kompanive call center. Këto të fundit janë nga të paktat biznese që po shohin rritje të aktivitetit dhe janë kthyer në sektorin kryesor që po gjenerojnë vende pune duke u bërë alternativa mëe mirëe punësimit të të rinjve të sapodiplomuar, apo dhe atyre që vazhdojnë studimet. Janë 12 sipërmarrje të tilla në listën e 100 punëdhënësve më të mëdhenj, që punësojnë gjithsej 9500 persona. Call center kanë parë një zhvillim të shpejtë vitet e fundit, duke u kthyer në “fasonin” modern shqiptar, teksa operatorët italianë po shfrytëzojnë koston e lirë të fuqisë punëtore dhe njohuritë e mira të gjuhës italiane nga të rinjtë shqiptarë.
Të dhënat e bilanceve të vitit 2013 për dy kompanitë kryesore, Intercom Data Service dhe Albacall flasin për një zgjerim të qarkullimit vjetor me ritme dyshifrore, mbi 50%.

 


Për Intercom Data Service (IDS), kompania më e madhe call center në vend, 2013-a ka qenë një vit i mbarë. Qarkullimi vjetor i kompanisë, sipas bilanceve të dorëzuara teTatimet, ishte 2.56 miliardë lekë (rreth 18 milionë euro), me një zgjerim vjetor prej 71%. Fitimi u dyfishua, nga 322 milionë lekë në vitin 2012, në 690 milionë lekë (para tatimit). Norma e fitimit të kompanisë është rritur në 27% në 2013, nga 21.5% një vit më parë (para taksave). Kosto e punës (paga+sigurime shoqërore) zinin 70% të totalit të shpenzimeve në 2013-n.


Edhe Albacall realizoi një xhiro prej 2.25 miliardë lekësh (rreth 16 milionë euro) në 2013-n, me një rritje prej 60% në raport me një vit më parë. Fitimi u dyfishua nga 318 milionë lekë në 2012-n, në 605 milionë lekë në 2013-n, sipas bilancit të dorëzuar te Tatimet. Kosto e forcës punëtore përbënte 76% të totalit të shpenzimevetë Albacall. Edhe kjo sipërmarrje call center pa një rritje të normës së fitimit (para taksave) në rreth 27% në 2013-n, nga 22.6% një vit më parë.

 

Sektori i tretë më i madh punëdhënës, në listën e 100 më të mëdhenjve,është ai financiar e bankar, me rreth 6300 të punësuar.
Në total, 16 bankat në vend kishin 6,745 të punësuar në fund të 9-mujorit 2014, sipas Shoqatës së Bankave, me një shtesë neto prej vetëm 37 të punësuarish në krahasim me fundin e 2013-s. Vitet e fundit sektori bankar ka parë një stanjacion, duke mos hapur vende të reja pune, ndryshe nga periudha deri në 2008-n, kur ishte në lulëzimin e tij.


Energjia është sektori i katërt më i madh në listën e 100 punëdhënësve më të mëdhenj, me rreth 6200 të punësuar.
Hidrokarburet, ndonëse kanë parë zhvillim të shpejtë deri në 2013, nuk kanë shënuar rritje të ndjeshme të punësimit direkt, për shkak të investimeve në teknologji dhe delegimit të një pjese të shërbimeve te të tretët.
Shërbimi arsimor privat është një nga sektorët që ka marrë hov vitet e fundit, duke rezultuar me rreth 1200 të punësuar në listën e 100 më të mëdhenjve, sipas punësimit.

 


10 punëdhënësit më të mëdhenj
1.    CEZ Shpërndarje, kompania që ka kaluar sërish në administrim të shtetit, është punëdhënësi më i madh në vend, me rreth 4800 të punësuar në fund të 2013-s.
2.    Sipërmarrja e dytë në Shqipëri, që punëson më shumë persona, është Intercom Data Service, e fokusuar në shërbimet call center, me rreth 3000 të punësuar në fund të 2013-s. Sipërmarrja ka vijuar me shpejtësi të shtojë forcën e saj punëtore dhe në 2014-n, duke arritur në rreth 3600.
3.    I treti më i madh është Posta Shqiptare, me rreth 2400 të punësuar.
4.    I katërti është kompania e hidrokarbureve, Albpetrol, me pronësi shtetërore, që kishte të punësuar gati 2300 veta deri në fund të 2013-s. Në 2014-n kompania nuk ka kaluar ditë të mira, për shkak të rënies sëçmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare.
5.    Albaco Shoes, sipërmarrja e prodhimit të këpucëve, ishte punëdhënësi i pestë më i madh në vend, në 2013-n, me rreth 1700 të punësuar.
6.    E gjashta, Albania Marketing Service, një sipërmarrje sërish në fushën e shërbimeve call center, kishte rreth 1550 të punësuar në 2013-n.
7.    Raiffeisen Bank ishte në vitin 2013, më e madhja përsa i përket numrit të të punësuarve në sistemin bankar, me rreth 1400 të punësuar dhe e shtata ndër 100 punëdhësit kryesorë.
8.    Albacall është kompania e tretë call center në listën e 10 punëdhënësve më të mëdhenj në vend, me rreth 1400 të punësuar.
9.    I nënti në listë është Albtelecom, me rreth 1400 të punësuar.
10.    Ndërsa në vend tw 10 eshte ARMO, e cila kishte në listë pagesë pak më shumë se 1300 persona në fund të 2013-s.

Kompanitë “braktisin” investimet në teknologji, i drejtohen kapitalit njerëzor
Shifrat e INSTAT zbulojnë tendencën: Teksa po tkurren burimet e financimit (kredia, remitancat etj.), kompanitë po investojnë më pak në kapital (teknologji), ndërsa po e kthejnë vëmendjen te kapitali njerëzor.Kjo ka sjellë uljen e produktivitetit për punonjës, por rritjen e punësimit dhe të prodhimit. A është kjo një dukuri pozitive apo negative,mbetet për t’u pare.


Të dhënat e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve për vitin 2013 zbulojnë një tendencë, që po konstatohet për herë të parë në dekadën e fundit, rënien e shifrës së afarizmit për të punësuar (produktivitetit), në një kohë që punësimi dhe prodhimi i përgjithshëm është rritur.
Sipas INSTAT,“Rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve shprehin se shifra e afarizmit për të punësuar, për vitin 2013, ka pësuar rënie me 2,6%, si rezultat i rritjes së numrit të punësuarve (9,0%) me një ritëm më të lartë sesa shifra e afarizmit (6.2%)”.


Në prodhuesit e të mirave, shifra e afarizmit për të punësuar është ulur 2,2% krahasuar me vitin 2012. Në sektorin e industrisë, shifra e afarizmit për të punësuar është ulur 3,4%, ndërsa në sektorin e ndërtimit, ky tregues u rrit 1,8%.
Vetëm industria nxjerrëse rezulton me një rritje të lartë të produktivitetit për të punësuar në 2013-n, por kjo i dedikohet më së shumti koniunkturës së favorshme të çmimeve vitin e kaluar, ndërsa në 2014-n, prirja vlerësohet të ketë ndryshuar, si rrjedhojë e rënies së çmimeve të naftës apo produkteve të tjera.


Sipas INSTAT, në prodhuesit e shërbimeve, shifra e afarizmit për të punësuar është ulur 3,1% krahasuar me vitin 2012. Në sektorin e transportit dhe komunikacionit, paraqitet rënia më e madhe e këtij treguesi me 7,8% krahasuar me një vit më parë.
Rënia e produktivitetit

Kjo tendencë nxjerr në pah modelin e paqëndrueshëm të zhvillimit të ekonomisë shqiptare, ku hapja e bizneseve të pastudiuara, punësimi rastësor, rendja drejt fitimeve afatshkurtër dhe kopjimi ka mbizotëruar mbi sipërmarrjet e orientuara nga eficienca dhe konkurrueshmëria.

 


Gara e punësimit, mbizotëron tregtia
Në vitin 2013, numri i të punësuarve gjithsej është rritur me 28.565 të punësuar ose 9,0% krahasuar me 2012, për të arritur në 344,530 persona në fund të 2013-s. Prodhuesit e shërbimeve kanë kontribuar me 6,9%, ndërkaq prodhuesit e të mirave kanë kontribuar me 2,1%.
Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve, 85,3%, operojnë në aktivitetet e shërbimeve dhe kryesisht në sektorin e tregtisë (ku përfshihen, tregtia me shumicë dhe pakicë dhe riparimi i automjeteve). Në tregti operojnë 43,3% e ndërmarrjeve të cilat përbëjnë 48,7% të shitjeve neto nga të gjitha ndërmarrjet së bashku. Në rritjen gjithsej prej 5,8%, ndërmarrjet tregtare kanë kontribuar me 4,7%. Të punësuarit në tregti zënë 26,0% të numrit të të punësuarve gjithsej.
Në total, tregtia me pakicë ka numrin më të madh të të punësuarve në vend, me rreth 51 mijë, nga të cilët 30 mijë, apo 60% janë të vetëpunësuar, raporti më i lartë i të vetëpunësuarve nga të gjithë sektorët. Hapja e një aktiviteti privat shitjeje produktesh të ndryshme ka qenënjë formë mbijetese për shumë shqiptarë, por që vitet e fundit nuk po arrin të gjenerojë më fitime të larta, për shkak të shtimit të konkurrencës nga qendrat tregtare dhe supermarketet dhe rënies së fuqisë blerëse (shiko shkrimin tregtia me pakicë-Zinxhiri i borxheve).


Edhe ndërtimi, sektori i dytë më i madh punëdhënës në vend, që prej vitit 2008, ka hyrë në fazën e rënies, duke gjeneruar gjithnjë e më pak vende pune.
Për gjithë vitin 2013, shërbimet kanë sjellë shtesën më të madhe të vendeve të punës, me rreth 9500 të punësuar të rinj, duke ndikuar në 33% të rritjes. I dyti, për shtesën e vendeve të punës, rezultoi tregtia, ndjekur nga industria përpunuese dhe akomodimi e shërbimi ushqimor./Monitor


Më të lexuarat