Secondary Adv

Afat deri ne 20 prill per pagesen e tatimit ne burim


Administrata Tatimore njoftoi të premten se afati përfundimtar i pagesës së tatimit të mbajtur në burim është data 20 e muajit pasardhës.


Sipas DPT-së, në zbatim të ligjit “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, të gjithë personat, përfshirë personat juridikë, ortakëritë, personat fizikë tregtarë rezidentë tatimorë në Shqipëri, organet e qeverisjes qendrore apo vendore, organizatat jofitimprurëse, dhe çdo ent apo person juridik i krijuar si i tillë në Shqipëri, që bën pagesë të çdonjerës nga llojet e pagesave të mëposhtme, është i detyruar të mbajë tatim në burim dhe ta derdhë atë në organin tatimor jo më vonë se data 20 e muajit që pason muajin në të cilin është kryer pagesa.


Pagesat, për të cilat, paguesi i shumave duhet të llogarisë, mbajë dhe paguajë në llogari të Administratës Tatimore tatimin në burim në masën 15% të pagesës bruto, janë:


a) dividendët;
b) ndarjet e fitimit;
c) interesat;
ç) pagesat për të drejtat e autorit dhe për pronësinë intelektuale;
d) pagesat për shërbimet teknike, shërbimet e menaxhimit, shërbimet financiare dhe ato të sigurimit;
dh) pagesat për menaxhimin dhe pjesëmarrjen në këshillat drejtues;
pagesat për ndërtimin, instalimin, montimin ose për punë mbikqyrëse që lidhen me to;
ë) pagesat për qeratë;
f) pagesat për shfaqjet e aktorëve, të muzikantëve ose sportistëve, përfshirë pagesa të tilla që u bëhen personave, të cilët punësojnë artistë ose sportistë apo ndërmjetësojnë për shfaqjet e tyre.
g) të ardhurat e individëve nga lojërat e fatit dhe kazinotë.


Për t’u regjistruar me këtë përgjegjësi tatimore, ju duhet të paraqiteni pranë zyrave të Shërbimit për tatimpaguesit në Drejtorinë Rajonale Tatimore në të cilën jeni regjistruar.


Deklarimi i Formularit të deklarimit dhe pagesës së tatimit të mbajtur në burim kryhet vetëm në mënyrë elektronike, nga llogaria e deklarimit elektronik të çdo tatimpaguesi, në faqen e internetit të Administratës Tatimore tatime.gov.al, në menunë Shërbimet – e-shërbimet – Tatimet e mia.
Pagesa e tatimit në burim, mund të kryhet në çdo bankë të nivelit të dytë, duke paraqitur urdhërpagesën, e cila gjenerohet pasi është dorëzuar deklarata përkatëse e tatimit të mbajtur në burim. Afati përfundimtar i pagesës së tatimit të mbajtur në burim është data 20 e muajit pasardhës të muajit në të cilin është kryer pagesa, përveç deklarimit dhe pagesës së tatimit në burim për dividendët si dhe për faturat e palikuiduara për shërbime teknike, konsulence dhe të menaxhimit, referuar germës “ll”, të nenit 21 “Shpenzime të panjohura” të ligjit nr.8438 datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar.


Për dividendët, deklarimi dhe pagesa e tatimit të mbajtur në burim bëhet brenda datës 20 gusht të çdo viti, pavarësisht nga koha kur do të kryhet pagesa e dividendëve për përfituesit ndërsa për faturat e palikuiduara për shërbime teknike, konsulence dhe të menaxhimit, deklarimi dhe pagesa e tatimit të mbajtur duhet të bëhet brenda datës 20 dhjetor të periudhës tatimore, pavarësisht nga koha kur do të kryhet likuidimi i tyre.


Për të evidentuar tatimin e mbajtur në burim, të gjithë personat rezidentë në Republikën e Shqipërisë, organet e qeverisjes qendrore dhe vendore, organizatat jofitimprurëse, si dhe çdo person tjetër i njohur si i tillë nga legjislacioni në fuqi, duhet të mbajnë regjistrimet në librat përkatës të evidentimit, të cilët përmbajnë të dhëna të plota identifikuese për personin përfitues (përfshirë fotokopje të certifikatës së regjistrimit të përfituesit), rastet kur nuk mbahet tatim në burim në zbatim të marrëveshjeve për shmangien e taksimit të dyfishtë, përshkrimin e shërbimeve të marra, referencat në dokumentet që mbështesin shërbimin e marrë, shumën e pagesës dhe tatimin e mbajtur në burim.
Këto të dhëna, duhet t’i vihen në dispozicion Administratës Tatimore dhe personit përfitues të të ardhurave, për të cilin është bërë pagesa, kur një gjë e tillë kërkohet.


Më të lexuarat