Secondary Adv

Dyqanet pa taksa, ja kush perfiton ekonomikisht

 

Në pikat kufitare tokësore dhe detare do të shtohet gama e magazinave doganore të llojit “dyqane të çliruara nga taksat” (duty free shops).


Ndryshimet janë shpalosur nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ndërsa aktualisht, bazuar në Kodin Doganor, dyqane të tilla janë parashikuar vetëm në aeroporte. Sipas relacionit që shoqëron ndryshimin e kërkuar, rritet konkurrenca dhe interesi i operatorëve që do t’u jepet kjo e drejtë, realizohen çmime më të ulëta, shtohet llojshmëria e produkteve, nxitet transparenca dhe krijohet mundësia e tërheqjes në Shqipëri të investitorëve të huaj seriozë, me eksperiencë dhe me reputacion në këtë fushë shërbimesh.


Cani shpjegoi para deputetëve të Komisionit parlamentar të Ekonomisë, se “dyqanet e çliruara nga taksat” ofrojnë mundësimin e blerjes në territorin shqiptar, ndërkohë që, aktualisht, mundësohet vetëm në aeroportin e Rinasit. “Kjo, gjithashtu, do të ndikojë në mbajtjen e valutës së huaj në vend apo qarkullimin e monedhës brenda vendit, duke influencuar edhe në fuqinë e operatorëve ekonomikë që shërbejnë në pikat kufitare, si dhe ndihmon ekonomitë lokale”, - tha ai.


Përfitimet
Ndryshimi i ligjit përforcohet nga faktori “turizëm” apo blerje nga turistët. Sikundër është bërë e ditur, po vërtetohen rritje të turistëve në vend, nga të gjitha pikat kufitare. Prania e dyqaneve “duty free” është një mundësi shtesë për blerje të mallrave që do i gjejnë me leverdi dhe në llojet e cilësitë e kërkuara.
Por, potencialisht krijohet mundësi e reklamimit edhe të produkteve shqiptare, kryesisht artizanale, në këto pika. Kështu imazhi i vendit përafrohet me atë të vendeve të zhvilluara, pasi dyqanet “duty free” janë dëshmi e zhvillimit tregtar dhe standardeve që zbatohen në ato vende.
Përmes hapjes së këtyre dyqaneve do të krijohen premisa për rritjen e të ardhurave të aeroporteve dhe porteve dhe, një pjesë e këtyre të ardhurave, do të investohet për përmirësimin e infrastrukturës së tyre.
Gjithashtu, pritet rritje e të ardhurave nga tatim-fitimi për shkak të rritjes së volumit të shitjeve, rritje e cila, synohet edhe duke krijuar kushtet e afrimit të investitorëve të huaj seriozë, si kusht paraprak për zhvillimin e këtij tregu.


Debatet
Komisioni i Ekonomisë miratoi ndryshimet në Kodin Doganor me votat e maxhorancës, ndërkohë që të djathtët i kundërshtuan ato me arsyetimin se dyqanet hapen për të krijuar disa favore dhe nuk nxisin eksportet. “Këtu është fjala për të krijuar disa dyqane, për të krijuar disa favore dhe nuk është pjesë e një zinxhiri ekonomik që nxit eksportet e ekonomisë.
Këto ndryshime do të vrasin prodhimin, do të vrasin konkurrencën, do të rrisin papunësinë, do të rrisin gjithçka të keqe në konkurrencën dhe tregun ekonomik të vendit”, replikoi ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, ndërkohë që deputeti i majtë, Anastas Angjeli, e cilësoi argumentin si një vështrim dashakeqës dhe paragjykues. “Nëse do të veprohet me rregulla dhe me ligje. Ky është një aktivitet normal liberalizues dhe asnjë gjë më tepër”, tha ai. Ndërsa ministria, duke iu referuar situatës, tha se sot ka një rritje të numrit të punonjësve që operojnë në degët doganore, ashtu edhe të atyre në qendër, kryesisht në strukturat e zbatimit të ligjit.



“Përveç shtimit të burimeve njerëzore, kemi edhe përmirësim në strukturën organizative si dhe qartësim të detyrave funksionale. Në ndryshim nga viti 2003, tashmë ekzistojnë strukturat e Antikontrabandës Tokësore dhe Detare, përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe kontrollin e operacioneve të parregullta në të gjithë territorin doganor të Republikës së Shqipërisë në tokë dhe në det, e cila ka përmirësuar ndjeshëm forcën zbuluese ndaj veprimeve të paligjshme; ekziston Drejtoria e Hetimit, e cila është përgjegjëse për hetimin e veprave dhe kundërvajtjeve penale ne fushën doganore, aktivitet që e kryen në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e tjera të procedimit penal, si Policia, Prokuroria si dhe Krimi Ekonomik, Shërbimi Informativ, etj”, thuhet në sqarim. Ndërkohë, opozita kërkoi që ministri i Financave të japë shpjegime edhe për situatën me Croën Agents.


Të dhëna
Sipas të dhënave të INSTAT-it, mesatarisht ndër vite rreth 14 për qind e shqiptarëve kalojnë kufirin me rrugë ajrore, rreth 15 për qind me rrugë detare, dhe rreth 71 për qind me rrugë tokësore (shifrat janë të ngjashme edhe për shtetasit e huaj). Pra, u ofrohet mundësia e shërbimit edhe pjesës dërrmuese së qytetarëve që kalojnë kufirin (që nuk kanë dëshirë apo mundësi të përdorin transportin ajror). Ministria e Financave sqaron se, në ndryshim nga viti 2003, kur janë mbyllur dyqanet pa taksa, tani ka një tjetër angazhim të Administratës Doganore, që i mbyll rrugën kontrabandës nëpërmjet këtyre njësive, sikundër është evidentuar në të kaluarën./Shekulli

Dyqanet pa taksa, ja kush perfiton ekonomikisht. Duty free Shop ne Shqiperi, Duty free Shop ne Shqiperi, Dyqanet pa taksa, ja kush perfiton ekonomikisht.


Më të lexuarat