Secondary Adv

Kandidatet e PS per Bashkite ne zgjedhjet e 21 qershorit 2015

 

Kur na ndajnë pak më shumë se dy muaj nga zgjedhjet vendore të 21 qershorit, koalicionet politike janë duke i dhënë “dorën” e fundit listave me kandidatët për 61 bashkitë e reja të vendit.


Ashtu siç u premtua gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim, lista e koalicionit të majtë është drejt përfundimit. Për këtë shkak kryeministri, dhe njëherësh kreu i PS-së, Edi Rama, zhvilloi takime me deputetët e të gjitha qarqeve. Edhe pse takimet e kryeministrit Rama me deputetët kishin për bazë çështje organizative, një pikë tjetër ishte edhe ajo e diskutimit të emrave të kandidatëve të propozuar nga baza.


Kandidatet e PS per Bashkite ne zgjedhjet e 21 qershorit 2015


Takimet e kryetarit të PS-së, Edi Rama, nisën me deputetët e Korçës. Ndërsa në përfundim të takimit, zëvendëskryeministri Niko Peleshi u shpreh se kandidatura e Sotiraq Filos për Korçën është pothuajse e konfirmuar. Pas takimit me deputetët e Vlorës, deputeti i këtij qarku Koço Kokëdhima u shpreh se procesi ende nuk ka përfunduar, por së shpejti do të dalë një listë përfundimtare. “Së shpejti do të jenë të fiksuar emrat e kandidatëve. Kemi biseduar për strategjitë, për kompromiset me aleatët dhe për kandidatë të ndryshëm që janë diskutuar nga baza. Por procesi nuk ka përfunduar”, tha Kokëdhima.


Qyteti i Vlorës është një nga më të lakuarit, pasi ende nuk ka dalë një kandidaturë zyrtare, edhe pse prefektja e qarkut, Etjona Hoxha, duket se është më e avantazhuar. Për sa i përket qarkut të Elbasanit është pothuajse i sigurt rikandidimi i Qazim Sejdinit për një mandat të tretë, ndërsa besimin e socialistëve e fitoi edhe Kastriot Gurra për një mandat në krye të bashkisë së Librazhdit. Gara brenda së majtës është pothuajse e mbyllur edhe në qytetin e Durrësit.
Vangjush Dako rikonfirmohet si i kandiduar për qytetin bregdetar. “Kandidatura e Vangjush Dakos është një kandidaturë shumë shumë e mundshme për PS-në, por natyrisht vendimmarrja është pas disa ditësh”, u shpreh deputeti Blendi Klosi. Po ashtu duket i sigurt një rikandidim i Elvis Roshit në krye të bashkisë së Kavajës dhe i Indrit Bukës në krye të Shijakut. Duke marrë pëlqimin, jo vetëm të bazës, por edhe të deputetëve të veriut, Keti Bazhdari zgjodh si kandidatja e së majtës për të rrëzuar bastionin e demokratëve, Shkodrën. Deputeti Paulin Stërkaj u shpreh, “se është një nga kandidaturat më të mira të qarkut të Shkodrës. Ne po bëjmë diskutime paraprake, do dalë Kryeministri dhe do t’i shpallë të gjithë kandidatët”.


Ndërsa deputeti tjetër i Shkodrës, Namik Kopliku tha “Propozimi im dhe i dy deputetëve të tjerë ishte për kandidatin më të mirë për datën 22 qershor dhe më pas”. Ndërkaq ende nuk mund të quhet e mbyllur gara brenda së majtë për qytetin e Fierit. Deputetët e PS-së, Armando Subashi dhe Ervin Koçi janë më të avantazhuar përballë kandidaturës tjetër të propozuar nga baza, Xhavit Bushi. Në përfundim të takimit me kryeministrin Rama, deputeti Subashi u shpreh i gatshëm për kandidimin në krye të bashkisë së Fierit, në rast se përzgjidhet.


“Unë jam i gatshëm të kandidoj nëse propozohem për kryetar bashkie të Fierit. Por e rëndësishme është që të bëhet më e mira dhe atij qyteti t’i japim më të mirën, si dhe zgjidhjen më të mirë”, u shpreh Subashi. Ndërsa në kuadër të takimeve maratonë me të gjithë deputetët e qarqeve të vendit, të fundit ishin ata të Tiranës. Gara për bashkinë më të madhe në vend mbetet ende e hapur, ndërsa burime nga mbledhja me dyer te mbyllura bënë me dije se emrat më të lakuar janë ata të Erjon Veliajt, Blendi Klosit, dhe Pandeli Majkot.


“Këtu nuk u zgjodh. Kini durim, se ju gjithmonë doni të shikoni emra, ju gjithmonë nuk jeni të kujdesshëm për procesin. Në fakt ju duhet të jeni të kujdeshëm gjithmonë për procesin. Kriteret janë ato që i përshtaten më mirë bashkisë së Tiranës, janë çështje e brendshme që diskutohen në një forcë politike që merren në konsideratë të gjithë faktorët e mundshëm”, tha deputeti i Tiranës, Fatmir Xhafaj, duke iu drejtuar kandidatëve.
Rama: Do të bisedojmë me PBDNJ, ftoj edhe FRD-në


Kryesocialisti Rama, pas takimit të fundit të mbajtur me deputetët e qarkut të Tiranës, u shpreh se në koalicionin e majtë ka vend edhe për të tjera parti, duke sjellë në vëmendje edhe Frymën e re Demokratike të Bamir Topit. Pasi përfundoi konsultat me deputetët e qarqeve, Rama deklaroi për mediat “se në këtë koalicion ka ende hapësirë për të tjerë zëra e përvoj,a dhe këtu kam parasysh edhe Frymën e Re Demokratike, që me shumë konsideratë do ta ftojë të konsideronte bashkimin në këtë rrugë, jo për të përputhur programet, por për të rritur spektrin e ideve dhe të alternativave për vendin.”


Po ashtu, Rama ka deklaruar se brenda 2-3 ditëve në vijim do të konsultohet edhe me PBDNJ-në, e drejtuar nga Vangjel Dule. “Do të takohemi në këto 2-3 ditë dhe do të shikojmë ku do të gjendemi, PBDNJ-ja është një aleate e jona dhe pjesëmarrëse në qeverisjen e vendit”, u shpreh Rama. Ndësa takimet mes Ramës dhe Dules priten të ndodhin në ditët në vijim, me interes pritet edhe reagimi i kreut të FRD-së, Bamir Topi, pas ftesës së bërë nga kryesocialist Rama për tu bërë pjesë e koalicionit të majtë.


Kandidatet e PS per Bashkite ne zgjedhjet e 21 qershorit 2015,  në ditët në vijim pritet zyrtarizimi i të gjithë kandidaturave të shumicës.
1.Shkodër, Keti Bazhdari, PS
2.Elbasan, Qazim Sejdini, PS
3.Korçë, Sotiraq Filo, PS
4.Mat, Adelina Farrici, PS
5.Lezhë, Viktor Tushaj, LSI
6.Mirditë, Adrian Leka, Ndue Ndoci, PS
7.Durrës, Vangjush Dako, PS
8.Shijak, Indrit Buka, PS
9.Kavajë, Elvis Roshi, PS
10.Kukës, Hasan Halili, LSI
11.Peqin (pritet të propozojë PDIU)
12.Librazhd, Kastriot Gurra, PS
13.Përrenjas, Miranda Rira, LSI
14.Gramsh, Dritan Bici, PS
15.Lushnjë, Arben Cuko, Fatos Tushe, Bujar Çela, Astrit Xheka, PS
16.Berat, Gledion Rehovica, Petrit Sinaj, LSI
17.Roskovec, Flamur Mato, PS
18.Tepelenë, Tërmet Peçi, PS
19.Këlcyrë, Klement Ndoni, PS
20.Kurbin, Artur Bardhi, PS
21.Pustec, Edmond Themelko
22.Pogradec, Roshi Tollozhina, Mimoza Gusho, LSI
23.Kolonjë, Arben Malo, LSI
24.Libohovë, Vladimir Hide, PS
25.Fier, Armando Subashi, Ervin Koçi, PS
26.Tiranë, Erjon Veliaj, Blendi Klosi, Pandeli Majko, PS
27.Tropojë, PS
28.Vorë, LSI
29.Kuçovë, LSI
30.Mallakastër, Baftjar Bakiu, Gentian Dervishaj, Zenel Xhelaj, LSI
31.Divjakë, Alfred Kokoneshi, PS
32.Skrapar, Nesim Spahiu, LSI
33.Belsh, PS
34.Ura Vajgurore, PS
35.Patos, PS
36.Poliçan, PS
37.Rrogozhinë, (pritet të propozojë PDIU)
38.Maliq, PS
39.Përmet, Gilberto Jaçe, PS
40.Devoll, PS
41.Dropull, (pritet të propozojë PBDNJ)
42.Vlorë, Etjona Hoxha, Dritan Leli, Arben Breshani, PS
43.Selenicë, LSI
44.Himarë, Jorgo Goro, PS
45.Delvinë, Pëllumb Qerimi, LSI
46.Sarandë, PS, Stefan Çipa, Sheme Lulo, Ramiz Hysi, Florjana Koka, Adriana Shehu
47.Finiq, (pritet të propozojë PBDNJ)
48.Konispol (pritet të propozojë PDIU)
49.Gjirokastër, Zamira Rami, LSI
50.Bulqizë, LSI
51.Cërrik, LSI
52.Memaliaj, PS
53.Malësi e Madhe, PS
54.Vau i Dejës, PS
55.Pukë, PS
56.Has, PS
57.Dibër, Shukri Xhelili, PS
58.Krujë, PS
59.Fushë- Arrëz, PS
60.Klos, Xhevdet Reçi, PS
61.Kamëz, Safet Gjici, PS

Burimi: Shekulli


Më të lexuarat