30 dite kohe per regjistrimin e prones ne hipoteke
Pas miratimit dhe dërgimit të dosjes së legalizimit në zyrat e regjistrimit të pasurive, qytetarët kanë 30 ditë kohë për të kryer hipotekimin e pronës për marrjen e certifikatës së pronësisë.
Procedura e regjistrimit në Hipotekë kushton 5 mijë lekë, ndërkohë që, pas periudhës 30 ditore, qytetarët do të ngarkohen me një kamatëvonesë prej 10% për çdo ditë vonesë. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka bërë publike në faqen e re zyrtare tarifat, afatet dhe kamatëvonesat e shërbimeve, ku bie në sy se nga momenti i marrjes së dosjes së miratuar nga ALUIZNI, procedura e regjistrimit të pronës nuk mund t’i kalojë dhjetë ditët.
Kamatëvonesat Zyra qendrore e regjistrimit të pasurive ka krijuar faqen e re zyrtare ku ka bërë publike çmimet e shërbimeve, afatet, bashkë me penalitetet që do t’u ngarkohen subjekteve që nuk respektojnë termat kohore. Sipas tabelave, subjektet do të ngarkohen me kamatëvonesa nëse shkelin afatet ligjore për disa nga veprimet për të cilat ligji përcakton afate kohore. Kështu, nëse regjistrimi i kalimit të pronësisë me anë të ligjit, me vendim të gjykatës, apo të një akti administrativ, nuk kryhet brenda afatit kohor prej 30 ditësh, subjekti do të ngarkohet me një kamatëvonesë prej 10% të shumës 3,500 lekësh që është tarifa e këtij shërbimi.
Kamatëvonesa do të paguhen gjithashtu edhe në rastet kur nuk kryhet në kohë regjistrimi i aktit për kalimin e pronësisë nga përmbaruesi gjyqësor, regjistrimi i kontratave të shitjes, regjistrimi i kontratës së dhurimit, regjistrimi i titujve " në përdorim", apo regjistrimi i aktit të trashëgimisë. Kamatëvonesa prej 10% në ditë parashikohen gjithashtu edhe për objektet e legalizuara të cilat nuk regjistrohen brenda 30 ditëve, siç parashikon ligji.
Po ashtu, vonesa në regjistrimin e kontratës së hipotekës për garantimin e kredisë së dhënë nga banka apo institucion tjetër kredidhënës, për kredi me vlerë 1.000.000 - 10.000.000 lekë si dhe kopje kartele brenda këtij afati, penalizohet me kamatëvonesë 10%. Vetëm gjatë vitit 2014, Zyrat e Regjistrimit të Pasurive në nivel republike ofruan në total 800 mijë shërbime. Vetëm zyra e Tiranës për vitin që kaloi realizoi më shumë se 200 mijë shërbime për qytetarët. Në janarin e këtij viti u regjistruan 90 mijë aplikime, nga 60 mijë të regjistruara në janarin e vitit të shkuar.