Secondary Adv

Rritet pensioni per zyrtaret e larte, ja sa do marrin Rama, Berisha e Nano


Nëse ish-Kryeministri Sali Berisha vendos të dalë në pension, do të përfitojë rreth 1 milionë e 200 mijë lekë (të vjetra) nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. E njëta gjë mund të thuhet dhe për Presdentin e Republikës Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama dhe deputetët e Parlamentit.


Ndryshon ligji për pensionet shtetërore të pushtetarëve. Ndryshimet e reja, të botuara në Fletoren Zyrtare, zgjerojnë grupin e parë me zyrtarë të tjerë të lartë, që përfitojnë pensione të majme. Në grupin e parë bëjnë pjesë Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryetari i Këshillit të Ministrave, Zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave, ministrat, Zëvendëskryetari i Kuvendit dhe të barazuar me ligj me ta, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në këtë grup janë përfshirë edhe “Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura”.


Duke u bazuar të ndryshimet në ligjin për pensionet suplementare, gazeta ka bërë sot kalkulimet e përafërta se sa mund të jetë pensioni, për Presidentin Nishani, Ish-Kryeministrin Sali Berisha, ish-kryeministrin Fatos Nano dhe Kryeministrin aktual Edi Rama. Ligji i ri u jep funksionarëve të shtetit pension prej 25% të pagës referuese, nëse kanë deri në 2 vjet shërbim, ndërsa për çdo vit,  mbi 2 vjet, përfitojnë një rritje prej 5%. Funksionarët e lartë të shtetit mund të marrin, pension pleqërie deri 60% të pagës referuese dhe mbi këtë tavan, nuk mund të përfitojë asnjë person.
Ndërkaq, në pikën “b” të këtij grupi, ku përfshihen deputetë, ndryshimet e reja, shtohen funksionet: “Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, “Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, “Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil”, “Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë” dhe “Gjeneralët e Forcave të Armatosura dhe punonjësit e Policisë së Shtetit të rolit madhor”.


Në këtë grup, bëjnë pjesë deputetët e Kuvendit, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, si dhe Avokati i Popullit, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive. Ndërkaq, në grupin e dytë të personave që përfitojnë pensione të majme, bëjnë pjesë sekretarët e shtetit, zëvendësministrat, zëvendësprokurorët e Përgjithshëm, si dhe personat e tjerë të barazuar me ta, sekretarët e përgjithshëm dhe funksionarët politikë pranë Presidentit, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, ministrive, institucioneve qendrore buxhetore, prefekturave, këshillave të rretheve, këshillave të qarqeve bashkive dhe personave të tjerë të barazuar me ta.
 
Rritet pensioni për pushtetarët
Zyrtarët e lartë kanë vendosur të mendojnë për të ardhmen e tyre. Krerët e mazhorancës kanë vendosur të rrisin pensionin për grupet e parashikuara në ligj. Kështu është parashikuar një tjetër masë për llogariten e kontributeve. Konkretisht, është hequr kushti “2 vjet shërbim”,  për të llogaritur 25 për qind e pagës referuese. Por, ky përjashtim është bërë vetëm për presidentët, kryetarët e Kuvendit dhe kryeministrat. “Masa e pensionit shtetëror suplementar është: a) për Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin, 25 për qind e pagës referuese, edhe nëse periudha e shërbimit është më e vogël se dy vjet, dhe 5 për qind më shumë për çdo vit shërbimi mbi dy vjet; b) për grupin e parë, përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 8, të nenit 1, përjashtuar personat e përmendur në shkronjën “a”, të këtij neni, 25 për qind e pagës referuese për 2 vjet shërbim dhe 5 për qind më shumë për çdo vit shërbim mbi këta 2 vjet. Kur këta persona nuk plotësojnë periudhën e shërbimit prej dy vjetësh, përfitojnë pension suplementar të reduktuar në masën 1 për qind të pagës referuese për çdo muaj shërbimi”, thuhet në ligjin e ri.

Ja llogaritja e re e pensionit për pushtetarët


1. Masa e pensionit bëhet
Masa e pensionit shtetëror suplementar është:
a) për Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin, 25 për qind e pagës referuese, edhe nëse periudha e shërbimit është më e vogël se dy vjet, dhe 5 për qind më shumë për çdo vit shërbimi mbi dy vjet;
b) për grupin e parë, përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 8, të nenit 1, përjashtuar personat e përmendur në shkronjën “a”, të këtij neni, 25 për qind e pagës referuese për 2 vjet shërbim dhe 5 për qind më shumë për çdo vit shërbim mbi këta 2 vjet. Kur këta persona nuk plotësojnë periudhën e shërbimit prej dy vjetësh, përfitojnë pension suplementar të reduktuar në masën 1 për qind të pagës referuese për çdo muaj shërbimi;
c) për grupin e parë, përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 8, të nenit 1, 20 për qind e pagës referuese për 2 vjet shërbim dhe 5 për qind më shumë për çdo vit shërbim mbi këta 2 vjet. Kur këta persona nuk plotësojnë periudhën e shërbimit prej dy vjetësh, përfitojnë pension suplementar të reduktuar, në masën 0,8 për qind të pagës referuese për çdo muaj shërbimi. Masa e pensionit nuk duhet të jetë më e madhe se:
a) 60 për qind e pagës referuese për personat e grupit të parë, përcaktuar në shkronjën “a”, të nenit1;
b) 50 për qind e pagës referuese për personat e grupit të parë, përcaktuar në shkronjën “b”, të nenit 1. Masa e pensionit shtetëror suplementar, plus pensionin e përfituar nga ligji nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Shqipërisë”, të ndryshuar, nuk mund të jetë më e madhe se 75 për qind e pagës referuese mesatare të funksioneve.”.
 
2. Masa e pensionit ishte:
 Masa e pensionit shtetëror suplementar është:
a) Për grupin e parë shkronja “a”, në kushtet e nenit 8, për 2 vjet shërbim 25 për qind e pagës referuese dhe 5 për qind më shumë për çdo vit shërbim mbi këto 2 vjet.
b) Për grupin e parë shkronja “b”, në kushtet e nenit 8, për 2 vjet shërbim 20 për qind e pagës referuese dhe 5 për qind më shumë për çdo vit shërbim mbi këto 2 vjet.
c) për personat e pikës 3 të nenit 8 të këtij ligji, 1 për qind e pagës referuese, për çdo muaj shërbim në funksionet e përcaktuara në shkronjën "a" të pikës 8 të nenit 1 dhe 0,8 për qind e pagës referuese, për çdo muaj shërbimi në funksionet apo detyrat e përcaktuara në shkronjën "b" të pikës 8 të nenit 1. Kjo masë pensioni nuk duhet të jetë më e madhe se a) 60 për qind e pagës referuese për personat e përcaktuar në shkronjën “a” të grupit të parë, neni 1; b) 50 për qind e pagës referuese për personat e përcaktuar në shkronjën “b” të grupit të parë, neni 1.


Më të lexuarat