Ne 2016-en cdo shqiptar do te kete mates inteligjent energjie
OSHEE ka investuar blerjen e 50 mijë matësve në sektorin e matjes së energjisë elektrike, ndërsa nisur nga fakti se ka ende shumë mungesa, deri në fillim të vitit 2016 planifikon të përfundojë plotësimi i gjithë konsumatorëve me to.
Burime nga ministria e Energjisë dhe Industrisë bëjnë të ditur se po punohet për një financim të Bankës Botërore për të plotësuar pajisjen e konsumatorëve me matësit e energjisë.
Kompania “Deutche Telekom” ka filluar prodhimin e 9300 matësve inteligjentë, që do të instalohen në zonat më problematike të Shqipërisë dhe projekti-pilot për vendosjen e tyre do të nisë brenda pak javësh. Matësit e energjisë jo vetëm që ndikojnë në uljen e konsumit, por përjashton çdo mundësi të vjedhjes së energjisë, mbifaturimi dhe mosvlerësimi i saktë i matjes nga punonjësi i OSHEE.
Sistemi i ri i matësve inteligjentë mund të kontrollohet direkt në një portal online nga konsumatori për të ditur sesa harxhon energji dhe për të ekonomizuar më mirë shpenzimet për këtë zë.Sipas burimeve nga OSHEE-ja, këto lloj matësish do vendosen në Tiranë në 4 zonat më problematike: Bathore, Paskuqan, Allias dhe Babrru, që kanë krijuar shumë probleme në pagesat e energjisë së konsumuar.
Janë edhe 40 mijë matës inteligjentë të tjerë që do të shpërndahen në gjithë vendin, në zonat më problematike me pagesat e energjisë.Ndërsa deri në vitin 2020 sektori elektro-energjetik do të përfitojë financime në vlerën e 420 milionë dollarë, sektori i Shpërndarjes mbetet kujdesi kryesor për investime. Burimet nga MEI, bëjnë të ditur se pjesa kryesore e fondeve do të përdoret në sektorin e shpërndarjes ku përveç kredisë 150 milion dollarë, pritet të përfitohet një linjë tjetër financimesh.
Me sistemin e plotë të matjes për çdo konsumator, lidhen rritja e arkëtimeve, ulja e humbjeve dhe konsumit të energjisë elektrike. Me masat për pagesat e energjisë së konsumuar dhe të faturuar, në fund të 3-mujorit të parë konsumi i energjisë elektrike u ul me 10%, energjia e faturuar u rrit 13%, çka tregon reduktim të informalitetit dhe vjedhjes së energjisë elektrike. Sot niveli i humbjeve arrin 32%, nga 45% që ishte në fund të 2013-ës. MEI ka objektiv që OSHEE me një program me Bankën Botërore, të reduktojë me mesatare vjetore 5% humbjet për të realizuar objektivin që në vitin 2018, humbjet të jenë në parametra të pranueshëm./ATSH