Secondary Adv

Komiteti per Zhvillimin e Rajoneve ben publik ndarjen e 12 miliarde lekeve

Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve bën publik ndarjen e fondeve për vitin 2015 dhe miraton drejtimet prioritare të investimeve.


Nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, për grantin konkurrues për infrastrukturën vendore dhe rajonale, ndahen 10 miliardë lekë. Pjesa prej 55% e kësaj vlere programohet për shlyerjen e detyrimeve për projektet në vazhdim (2012-2014), ndërsa 45% caktohen për financimin e projekteve të reja, me cikël zbatimi 2015-2016. Për grantin tjetër konkurrues, programi “Shqipëria dixhitale”, ndahen 2.189 miliardë lekë.


Sipas Dokumentit Strategjik Operacional për Fondin e Zhvillimit të Rajoneve, 2015-2016, 20 për qind e fondit shkon për infrastrukturën vendore, ku hyjnë: përmirësimi i aksesit dhe lëvizshmërisë; rivitalizimi i qendrave urbane dhe rajonale; plane të integruara zhvillimore. 20 për qind nga fondi jepen edhe për programin ‘Kohezioni dhe bashkëpunimi rajonal’, ku futen: përmirësimi i infrastrukturës dhe promovimi i atraksioneve turistike; transporti dhe ndërlidhja mes rajoneve; rehabilitimi i mjediseve kulturore dhe artistike; pasurimi i parqeve rajonale; furnizimi me ujë. Për programin ‘Zhvillimi i qëndrueshëm dhe cilësia e jetës’ ndahet 40% e fondit.


Në këtë zë përfshihen: gjelbërimi; rehabilitimi i fasadave; përmirësimi i infrastrukturës së lagjeve; përmirësimi i rrjetit të shkollave; terrenet sportive; shërbimi parësor shëndetësor; sistemi i kanalizimeve; ndërtimi i qendrave multifunksionale; rindërtimi i qendrave artistike ekzistuese. Për programin ‘Konvergjenca dixhitale’ ndahet 15 për qind e fondit.Ky program ka si qëllim përmirësimin e shërbimeve publike përmes dixhitalizimit të regjistrave dhe ndërtimit të portaleve. Gjithashtu, ka projekte për përmirësimin e menaxhimit të tokës përmes ngritjes së kadastrës me shumë qëllime.


Po ashtu, përfshihen projekte për uljen e informalitetit në fushën e taksave vendore, si dhe futjen e teknologjisë informatike në administratën vendore dhe në shkolla. Asistenca teknike për këto projekte merr 5% të fondeve./Gazeta Shqip


Më të lexuarat