Secondary Adv

Banka Botrore, 16 kushte per huane 1.2 miliarde dollare

 

Partneriteti i ri me Bankën Botërore për financimin e 1.2 miliardë dollarëve dhe marrëveshja e huas me FMN, firmosur një vit e gjysmë më parë, ngjajnë si dy pika uji.

 


Ato kanë kushte të njëjta, kontroll tremujor të objektivave dhe të njëjtat “detyra shtëpie” që duhet të bëjë qeveria. Ky financim i paprecedentë do të mbështetet mbi rezultate konkrete. Sipas Bankës Botërore, qëllimi është të përgatitet Shqipëria për anëtarësimin në BE, por njëkohësisht të ndryshojë jeta e shqiptarëve duke reduktuar varfërinë dhe duke rritur ekonominë.E sigurt është që do të rritet borxhi për frymë, kurse objektivat e tjerë do të varen nga performanca e qeverisë. Si do të matet kjo performancë? Më poshtë, rendisim objektivat sipas dokumentit të bërë publik dje nga zyra e Bankës Botërore në Tiranë.


Treguesit që do të maten
Rikthimi i ekuilibrave ekonomikë dhe sigurimi i rritjes ekonomike, sipas BB do të bëhet me projekte që mbështesin përmirësimin e qëndrueshmërisë fiskale. Në këtë pikë kërkohet të mos ketë asnjë akumulim të detyrimeve të reja të prapambetura nga qeveria.
Objektivi tjetër është sigurimi i një administrimi më të fortë të investimeve publike në sektorin e transportit. “Detyra e shtëpisë” është vlerësimi i të gjitha investimeve në sektorin e rrugës për vijueshmërinë ekonomike dhe sjelljen në përputhje me kuadrin e buxhetit afatmesëm. BB mbështet përmirësimin e kushteve të rrugëve dhe mirëmbajtjes përmes koncesioneve private. Nga investimet e BB në transport do të përfitojnë 100,000 njerëz. Gjatësia e rrugëve që do të kalojnë në administrim privat është 1335 km rrugë kombëtare dhe projektet do të vihen në zbatim nga 2016-a.


Një porosi tjetër për palën shqiptare janë bankat. BB do të financojë me asistencë teknike, me kusht që qeveria të realizojë në fund të projektit uljen e kredive të këqija në nivelin 20% në vitin 2018, nga 24.9% që ishin në vitin 2014. Një tregues tjetër ka të bëjë me mjedisin e biznesit. Pas ndërhyrjes së Bankës Botërore me projekte, pritet që distanca nga kufiri i renditjes në treguesin e të bërit biznes të përmirësohet nga pozicioni 66 në të 74 në vitin 2017.
 Këtu vendosen detyra sidomos për kohën e dhënies së një leje për ndërtim, si dhe rritja e numrit të kompanive, sidomos në sektorët e orientuar nga eksporti. Objektivi është të rriten me 3-5% (4400 kompani të reja deri në 2018). Një prioritet tjetër është turizmi, ku BB do të mbështesë projekte të infrastrukturës kryesore në zonën bregdetare të jugut.


Kur vjen fjala tek energjia, BB tregohet e pakursyer në kredi, por ka kërkesa për mbledhjen e faturave. BB i ka vendosur kusht qeverisë reduktimin e humbjeve në shpërndarjen e energjisë me 50% deri në vitin 2016. Ndërsa liberalizimi i tregut të energjisë për konsumatorët e biznesit të bëhet në masën 90% deri në vitin 2019. Ndërkohë, në fund të 2016-s, kompanitë shtetërore të energjetikës duhet të mos kenë akumuluar asnjë borxh ndërmjet tyre ose ndaj privatëve.

 

Ofrimi i regjistrimit të zgjeruar dhe përfshirës të tokës dhe pronës është objektiv i rëndësishëm për t’u plotësuar nga qeveria. Kërkohet regjistrim i 20% të pronave në sistemin dixhital të hipotekës deri në vitin 2019 (duhet të rriten 10% transaksionet online të pronave). BB do të japë edhe kontribut për rritjen e produktivitetit dhe qëndrueshmërisë së përdorimit të tokës nëpërmjet sigurimit të ujitjes dhe kullimit për sipërfaqen 35.000 ha. Po ashtu, BB do të financojë praktika të qëndrueshme të menaxhimit të tokës, zbatuar në sipërfaqe prej 7500 ha. Një premtim i përhershëm i qeverive, i paralizuar në praktikë, është marrja e shërbimeve publike në kohë reale. Në fakt, BB tregohet realiste në kushtin e vendosur qeverisë.


Me mbështetjen që do të japë për rritjen e efikasitetit në ofrimin e shërbimeve publike, i kërkohet qeverisë që të reduktojë me 15% kohën që u duhet qytetarëve për marrjen e shërbimeve administrative. Ky tregues duhet të plotësohet deri në vitin 2019. Huaja e BB-së ka edhe dimension social. Banka jep mbështetje për rritjen e barazisë dhe aksesit në shërbimet e mbrojtjes sociale. Rritja e mbulimit me asistencë sociale të popullsisë së varfër, nga 25% që është aktualisht, në 38% në vitin 2018.


Kushti i Bankës Botërore është që të reduktohet numri i përfituesve të paaftësisë që janë të aftë, nga 14% në 10% deri në 2017. Ky objektiv arrihet duke shmangur mashtrimet nëpërmjet kontrollit dhe inspektimit. Një kontribut tjetër i projekteve të BB-së është për rritjen e efikasitetit dhe marrjes së shërbimeve shëndetësore në sektorin spitalor. Objektivi është që të reduktohet përqindja e të ardhurave që shkojnë për shpenzime shëndetësie nga xhepi i shtresave të varfra të popullsisë, nga 9% në 7%. Lidhur me përmirësimin e jetesës BB financon projekte për ujësjellës të rinj dhe rrjete kanalizimesh, nga të cilat do të përfitojnë 77 000 konsumatorë familjarë.


Kontrolli
Sipas Bankës Botërore, rishikimet sistematike të performancës së portofolit në nivel vendi kontribuojnë për një shkallë të lartë mbikëqyrjeje të performancës së programit dhe lejojnë gjetjen në kohë të zgjidhjeve për pengesat e shfaqura. Rishikimet do të kryhen në tri nivele: i) rishikimet e përdyvjetshme të portofolit, që kanë filluar gjatë vitit 2014, do të vijojnë nën udhëheqjen e Ministrisë së Financave; ii) rishikimet tremujore do të kryhen me ministritë përkatëse, për të gjetur zgjidhje për çështjet që dalin lidhur me problemet apo projektet me risk të lartë dhe iii) do të kryhet një rishikim vjetor, duke u përqendruar posaçërisht në vlerësimin e ecurisë së treguesve.


Rreziqet
Sipas BB-së, rreziku kryesor për zbatimin me sukses të KPV-së ka të bëjë me objektivin kryesor të qeverisë për të rikthyer rritjen ekonomike, në rast se kuadri makroekonomik devijon nga drejtimi. Shqipëria ka një ekspozim relativisht të lartë kundrejt zhvillimeve në vendet fqinje, sidomos në Greqi e Itali, nëpërmjet remitancave, eksporteve dhe investimeve të huaja.


Ekzistojnë rreziqet e një trysnie të mundshme nga reduktimi i borxheve nëpërmjet shitjes së aktiveve nga bankat e huaja. Grupi i BB-së do të vazhdojë të monitorojë performancën në Eurozonë dhe do të jetë e hapur për përshtatjen e programit të saj, në mënyrë që t’u përgjigjet nevojave që mund të dalin. Një rrezik tjetër janë dobësitë institucionale dhe kapacitetet e kufizuara të agjencive zbatuese që mund të minojnë progresin. Rreziqet në fjalë mund të përkeqësohen me zbatimin e reformës administrativo-territoriale dhe transferimit të më shumë përgjegjësive te njësitë e pushtetit vendor, të cilat, aktualisht, kanë kapacitete të dobëta institucionale. Përveç kësaj, objektivat që lidhen me tokën dhe zhvillimin e turizmit mund të përballen me rreziqe potencialisht më të larta sociale dhe të mbrojtjes së mjedisit. Ndërkohë, BB parashikon rrezik të ulët nga aktorët politikë. BB parashikon që ta modifikojë më vonë strategjinë për të siguruar vazhdimin e reformave nga qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e vitit 2017.

Projektet                                                 në mln USD  
Viti 2015
Përmirësimi i sistemit shëndetësor                         40
Siguria dhe mirëmbajtja e rrugëve                         80
Garanci buxhetore                                               220
Projekt për rimëkëmbjen e sektorit energjetik       150

Viti 2016
Ofrimi i shërbimeve me qendër qytetarin                32
Menaxhim i integruar i tokës                                 45
Rigjenerimi i bregdetit & turizmi i qëndrueshëm      53
Huaja për politikat në sektorin financiar                 100

Viti 2017                                                             180
Financat dhe qeverisja lokale
DPL-ja për konkurrueshmërinë dhe punësimin
Financim shtesë për Projektin e Modernizimit të Ndihmës Sociale

Viti 2018                                                            200
Zhvillimi i sektorit energjetik
Huaja për politikat e zhvillimit për aftësi & punësim

Viti 2019                                                            120
Huaja për politikat e zhvillimit e transportit
Totali                                                              1,220


Më të lexuarat