Secondary Adv

Baza e Pashalimanit do te behet kantier per ndertimin e anijeve

 

Ish-baza ushtarake detare e Pashalimanit, e njohur për nëndetëset, kthehet në qendër e ndërtimit të anijeve ushtarake dhe civile. Me një vendim të posaçëm, qeveria miraton krijimin e ndërmarrjes shtetërore “Kantieri i ndërtimit dhe riparimit të anijeve”, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.


Kantieri e ka qendrën (selinë) në Pashaliman, Vlorë, ndërsa objekti i veprimtarisë së kantierit detar është ndërtimi dhe riparimi i mjeteve lundruese ushtarake dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të mjeteve lundruese civile, të tilla si anije, skafe, motovedeta, gomone etj, si dhe kryerja e punimeve dhe shërbimeve për të tretë, në përputhje me kapacitetet teknike të ndërmarrjes. Gjithashtu, ndërmarrja e re ka të përcaktuar me një planvendosje territorin, si dhe inventarin e godinave.


Lidhur me pronësinë e ndërtimeve dhe tokave përreth është bërë edhe një vlerësim me raport nga ekspertët kontabël dhe të vlerësimit të pasurive të paluajtshme. Sipas vendimit, tarifat e shërbimit të mjeteve lundruese dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura do të përcaktohen me urdhër të ministrit të Mbrojtjes.

Riparimi i mjeteve lundruese të Forcave të Armatosura do të kryhet bazuar në kontratat e lidhura midis palëve dhe sipas një grafiku vjetor. Gjithashtu, vendimi përcakton se, riparimi i mjeteve të Forcave të Armatosura ka prioritet mbi të gjitha subjektet e interesuara.


Përjashtimisht për vitin 2015, kantieri do të kryejë riparimin e mjeteve lundruese të Forcës Detare, pa shpërblim. Shuma e kapitalit themeltar të shoqërisë është dy miliardë e katërqind e dyzet e gjashtë milionë lekë. Për nevojat operative, qeveria ka caktuar një shuma prej 97. 8 milionë lekësh që transferohet nga Komanda e Forcës Detare Durrës në favor të ndërmarrjes shtetërore “Kantieri i ndërtimit dhe riparimit të anijeve”. Kjo shumë i shtohet kapitalit themeltar./Gazeta Shqip


Më të lexuarat