Secondary Adv

Pezullohen punimet per kompleksin e pallateve prane Diges se Liqenit

 

Ndërpriten punimet e kompleksit të pallateve tek liqeni në Tiranë. Gjykata Administrative e Apelit mori vendim ditën e djeshme të rrëzoje padinë e firmës “Gener 2”, e cila po ndërton kompleksin e pallateve poshtë digës së liqenit, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së pare, që i kishte dhënë të drejtë INUK për ndërprerjen e punimeve.

 

 

Pas këtij vendimi gjykate, pritet që Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit të ndërpresë punimet. Vendimi është përshendetur menjëherë edhe nga drejtoresha e IKMT-së, Dallëndyshe Bici, e cila tha se u fitua beteja e pezullimit, por jo lufta.Ky vendim i Gjykatës Administrative të Apelit u bë edhe pjesë e debatit mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe deputetit socialist Taulant Balla dje në sallën e Kuvendit. Balla e akuzoi Berishën për lidhje me firmën e ndërtimit të pallateve tek liqeni, ndërsa Berisha iu përgjigj se sipërfaqen tek liqeni e ka sjellë Edi Rama, kur ai ishte kryeministër.


Kompleksi pranë digës së liqenit nisi të ndërtohej disa muaj më parë. Nuk kanë munguar protestat nga shoqëria civile, gjatë këtyre muajve, kundër ndërtimit të kompleksit të këtyre pallateve.


Ja cfarë parashikonte projekti
Projektet ambicioze pranë parkut të liqenit, Rezidenca 1 dhe Residenca 2, kanë një sipërfaqe përkatesisht prej 27 240 m2 dhe 9 809 m2, dhe janë godinat e banimit më luksoze në Shqipëri, ato vijnë nën markën e Gener2, që përbën një garanci në vetvete, si për cilësinë e padiskutueshme të punimeve që ofron, ashtu edhe për arkitekturën moderne që paraqet.

 


Sipas projektuesve ndërtimi do të respektonte më së miri natyralitetin e zonës, nëpërmjet përshkallëzimit vertikal të objekteve, mundëson krijimin e tarracave që janë të këndshme për banorët, po aq sa edhe për peisazhin e zonës. Realizimi i këtyre tarracave të gjelbërta krijon pikërisht dhe siluetin e gjelbërt të këtyre ndërtesave.

 

Silueti i zhdërvjellët dhe format e harkëzuara synonjnë të impresionojnë me ventilimin dhe diellezimin e hapësirave dhe objekteve, si edhe mundësojnë fushëpamje në të gjitha drejtimet (qytetit, pishinat, liqenit dhe parkut), po ashtu behet i mundur shfrytëzimi në maksimum I energjisë diellore nepermjet infrastruktures moderne dhe me dritare të medha.


Më të lexuarat