Pervec roboteve, Dubai lancon edhe makinat autonome ne miniature te policise
Vetëm pak javë pas prezantimit të një polici robot, autoritet në Dubai kanë lançuar një makinë patrullimi autonome në miniaturë, e cila mund të skanojë kriminelët.
Për të dalë në rrugë në fund të vitit, automjetet do të pajisen me programe të veçanta biometrike që mund të identifikojnë të dyshuarit e kërkuar. Ato janë në madhësinë e një makine që kontrollohet në distancë dhe do të patrullojnë qytetin duke skanuar gjithë kohën me një kamera 360 gradë. Dhe nëse mbikëqyrja e thjeshtë tokësore nuk është e mjaftueshme, pajisjet mund të përdorin edhe një dron.
Abdullah Khalifa Al Merri, komandant i përgjithshëm i policisë së Dubait, tha: “Policia e Dubait është e gatshme të marrë teknologjinë më të fundit për të luftuar krimin. Ne kërkojmë të shtojmë operacionet me ndihmën e teknologjisë si për shembull robotët. Ne synojmë që rrugët të jenë të sigurta dhe paqësore edhe pa patrullimin e policisë.”
Robotët do të vendosen kryesisht në zonat turistike. Ata mund t’i njohin njerëzit në çdo zonë, të identifikojnë objekte të dyshimta dhe mund të ndjekin të dyshuarit.