Kjo pajisje mund te krijoje energji elektrike nga levizja e njeriut
Ndoshta ju nuk do të keni më nevojë të mbani një karikues me vete, pasi tani telefoni juaj mund të marrë energji nga rrobat tuaja ose mjedisi. Ky është potenciali i një pajisjeje të re të zhvilluar në Laboratorin e Nanomaterialeve dhe Pajisjeve të Energjisë të Universitetit Vanderbilt.
Duke përdorur teknologjinë e baterisë dhe shtresat e fosforit të zi, pajisja e re gjeneron sasi të vogla të energjisë elektrike kur është e përkulur ose shtypur. Fosfori, i cili është i trashë vetëm disa atome mund të gjenerojë energji elektrike edhe në frekuenca jashtëzakonisht të ulëta në përputhje me lëvizjen e njeriut.
Profesor asistenti i Inxhinierisë Mekanike, Cary Pint, i cili drejtoi hulumtimin tha: “Në të ardhmen, pres që ne të gjithë do të bëhemi pika karikimi për pajisjet tona personale duke tërhequr energji direkt nga lëvizjet tona dhe mjedisi.”
Prodhimi në mënyrë efektive i energjisë nga burimet e ambientit, është një fushë e shkencës në zhvillim. Ajo përfshin pajisje që mund të tërheqin energji nga ndryshimet e temperaturës, pajisjet e energjisë rrezatuese që kapin energji nga drita dhe pajisjet elektrokimike që lidhen me reagimet biokimike.
Kapja e energjisë në frekuencë të ulët është jashtëzakonisht sfiduese. Shumë eksperimente të tjera nuk kanë qenë në gjendje të krijojnë pajisje që punojnë në mënyrë efektive nën 100 hertz, duke e bërë normën e tyre të efikasitetit mes 5-10 përqind edhe nën kushte optimale.
Pajisja e fosforit të zi, në anën tjetër, mund të veprojë me më shumë se dyfishin e efikasitetit. “Prodhuesi ynë është llogaritur të operojë me efikasitet mbi 25 për qind në një konfigurim ideal të pajisjes, dhe më e rëndësishmja është që të prodhoni energji përgjatë tërë kohëzgjatjes së lëvizjeve të ngadalta njerëzore, siç janë kur qëndroni ulur apo më këmbë”: tha Pint.