Secondary Adv

Tendencat e arredimit sot ne Shqiperi!

Share on Google+

 

Të flasësh për arredimin nuk ka kufij. Tendencat dhe trendet sa vinë e shtohen, pasurohen edhe më shumë me kreativitet, stil dhe gjithcka që t’ua bëjë edhe më të mirë jetesën. Të mobilosh një apartament apo shtëpi private të duhen më patjetër ide. Tashmë kompani të ndryshme të shitjeve të mobiljeve kanë futur në qarkullim edhe shërbimin e arreduesit ose ideatorit se si duhet të mobilosh një shtëpi në bazë të sipërfaqes të apartamentit dhe shijeve.

 

1. Lokalet dhe vilat

 

Pararojën e cilësisë së arredimit sot në Shqipëri e kanë lokalet dhe vilat luksoze. Ajo që shihet të mbizotërojë në to është stili barok, i përdorur në vilat e zonës së Hollywood-it apo pjesë të tjera të zonave më luksoze në botë. Prej aty merren maketet, të cilat arredues më me përvojë në Shqipëri i kopjojnë për të sjellë një stil sa më modern në vend. Me fatura tepër të larta arredimi, që arrijnë në qindra mijëra euro, por ia vlen shpenzimi ama! Në gjithë Shqipërinë, sidomos në zonat turistike, veçanërisht edhe në Tiranë, mund të gjenden bar-restorante, resorte, hotele të reja nga më luksozet, për t’u krahasuar apo edhe sfiduese edhe ndaj të ngjashmëve në vende të BE-së e kudo nëpër botë.


2. Drejt stilit minimalist


Ky është koncepti i ri që ka lulëzuar në arredimin e banesave në vitet e fundit në Shqipëri. Nëse para kësaj kohe mania e arredimit të banesave arrinte deri në atë pikë që i zinte frymën shtëpisë, tashmë kërkohet që objektet të jenë sa më të domosdoshme dhe të mos ketë mobilje “të tepërta” në shtëpi.Sa më pak objekte do të thotë sa më shumë hapësirë, sa më shumë lëvizshmëri, që mund të sjellë edhe efekte psikologjike pozitive tek individët. Me paratë e kursyera nga konceptimi i një kuzhine më të vogël, blihen tavolinat dhe karriget, për shembull.

 

 

Hapësirat minimaliste kompozohen të hapura dhe të ajrosura.  Format janë gjeometrike, lineare, të pastra, pa shumë zbukurime dhe prej lënde drusore teknologjike si MDF (entief) me ndërthurjen e imazhit të drurit origjinal. Por, sipas arkitektëve, ka shumë rëndësi vendosja e përparësive të duhura. Shpesh bëhet gabimi i investimit më të madh në banjë, dhomë gjumi apo kuzhinë, ku kalohen çastet më të pakta të ditës, e që rrinë me dyer të mbyllura.

 

3. Teknologjia, më e avancuar

 

Nëse para viteve 2000, stili minimalist diktohej nga ana financiare, tashmë dikton dhe ana estetike. E ç’është më e rëndësishme, ajo teknologjike. Me ritmet e shpejta të përparimeve të teknologjisë, edhe objektet e shtëpisë janë riformatuar ndryshe, gjithmonë më të përmirësuara në dobi të hapësirës dhe afatgjatësisë së materialeve. Mund të përmendet përdorimi më i madh i lëndës së metalit dhe xhamit, sidomos ndërthurja e të dyjave. Vihet re avancimi ose më mirë të themi kompaktësimi i shumë pajisjeve elektronike në një postacion të vetëm. Televizorët dhe pc-të tashmë zënë më pak vend.

 

4. Ndriçimi, drejt natyralitetit

 

Përsa i përket ndriçimit, po parapëlqehet mundësia e ndriçimit natyral. Materiale të tejdukshme perimetrale, veçanërisht me xham, dritare gati një faqe muri ose që zënë sipërfaqe të madhe, krijojnë një afërsi të pjesës së brendshme të shtëpisë me natyrën. Gjithashtu, ky ndriçim natyral, kombinuar me ngjyrën e bardhë ose nuancat e saj të përafërta, të cilat janë edhe ngjyrat e momentit, jep idenë e një sipërfaqeje shumë të madhe, që në studimet e arkitektëve të ndryshëm të huaj krijon edhe një sipërfaqe fiktive dy herë më të madhe se sa ajo reale.

 

5. Ndryshim në koncept dhe formë

Themi në koncept, sepse jeta është bërë më e shpejtë dhe arredimi po e pasqyron dhe ndjek atë. Një ndryshim; nëse më parë këndi i gatimit ishte një nga pjesët më të rëndësishme të shtëpisë, tashmë ushqimet e shpejta, të ngrënit jashtë, kanë bërë që këndi i gatimit, përveçse të jetë një nga pjesët më periferike të shtëpisë, të riformatohet dhe në formë.  Nuk bëhen më ato ‘kondrabufetë’ sa një faqe apo dy faqe muri, që të zënë frymën dhe pamjen. Nëse përmendim vilat aty ka veçori numri i kateve, të cilat tanimë po ndahen sipas funksioneve. Funksionet shoqërore vendosen në katin e parë dhe funksionet intime gjithmonë në katet më të larta. Për sa i përket elementëve formalë të dekorimit, tendencat janë materialet e pastra, rustike, gur përzier me metal, xham, dru. Rrinë fare mirë të tëra bashkë dhe bashkë me gjelbërimin e bëjnë shtëpinë shumë moderne dhe sa më pranë natyrës, ashtu siç duhet të ndihet në thelbin e tij të qenësishëm njeriu.

 

6. Arredimi kushton sa vetë shtëpia

 

E vetmja e metë e arredimit të shtëpive sipas stileve më moderne në botë është fatura financiare e barabartë me koston e ndërtimit të vetë shtëpisë. Por gjithë shpenzimi ia vlen. Por pasja e një arkitekti të mirë ia vlen për të arreduar shtëpinë. Një arkitekti që di të futet në lëkurën e banorit të ambjentit, pasi kjo është dhe çështja kryesore në arredim.   E vetmja e metë e arredimit të shtëpive sipas këtij stili është fatura financiare, e cila është e barabartë me ndërtimin e shtëpisë. Shkon minimalisht në 30 mijë euro e maksimalisht në 250-300 mijë euro.

 

7. Eliminimi i kondicionerëve

 

Një veçori tjetër e arredimit në kohët e fundit është eliminimi i kondicionerëve për ngrohjen e ambientit. Gjithmonë e më shumë në ndërtimet e reja, edhe të pallateve, po ndërtohen sistemet me ngrohje qendrore. Një sistem ky i cili duhet projektuar që në fillim të një projekti ndërtese, pasi ka shumë faktorë, të cilët merren parasysh, që nga ato estetike deri në ata më të rëndësishëm, të sigurisë.  Eliminimi i kondicionerëve sjell jo vetëm një ngrohje më të njëtrajtshme të gjithë ambienteve të shtëpisë në mënyrë të njëjtë, eliminon sëmundje, ul koston e vendosjes së kondicionerëve në çdo dhomë, heq angaritë e pastrimit dhe riparimit të tyre, por vlen edhe nga ana estetike.

 

8. Muret e pasonorizuar


Pas mobilimit i vjen radha mureve. Tashmë në Shqipëri nuk është më e rëndësishmja veshja e mureve apo pozicionimi i tyre. Në Shqipëri, arkitektë të ndryshëm me përvoja në këtë fushë thonë që sonorizimi i mureve është aspekti më i rëndësishëm për t’u marrë në konsideratë, por që në shumicën e rasteve nuk bëhet.  Eliminimi i zhurmave në raport me mjedisin e jashtëm dhe ç’është më e rëndësishmja me mjediset e tjera të shtëpisë sjell një privatësi të banorit e një qetësim të tij, duke mos u ndikuar nga efektet e tjera përreth shtëpisë. Të gjithë së bashku vuajnë nga një sindromë; nga zhurma e llahtarshme dhe kanë nevojë për një kënd të qetë. Njerëzve u mbeten pak orë kohë për të qëndruar në shtëpi dhe kur ata vijnë aty ne duhet t’u japim atyre maksimumin e mundshëm.

 

9. Gjelbërim brenda shtëpisë


Duket më e parëndësishmja nga të gjitha, por luan në të vërtetë një rol të rëndësishëm në arredim. Mund t’u duket çudi, por tendenca më e re është eliminimi i vazove të luleve nga shtëpitë! Ambienti i gjelbër duhet zëvendësuar dhe kjo bëhet me minilulishte brenda shtëpisë. Që do të thotë krijimi i një sipërfaqeje të madhe, që në stilet më moderne të arredimit zgjidhet kryesisht në qendër të shtëpisë, me mbjelljen e bimëve të shkurtra, të cilat përveç formës kërkojnë dhe një përshtatje ngjyre me ambjentin përreth.  Ky koncept “garden-in-the-house” zgjedh bimësi që durojnë mungesën e dritës ose anasjelltas. Dheu mund të ndërrohet çdo vit si edhe vazot. Eksperimentohet kryesisht në shtëpitë e të pasurve në Tiranë, atyre që nuk kanë vila, por kanë apartamente të bollshme ama, e që mund të realizojnë lehtësisht shumë fantazi dhe tendenca që iu propozojnë arkitektët.

 

10. Arreduesi, edhe më i pranishëm


Sa vjen dhe shtohet prania e arreduesit profesionist. Tendenca është që kush ka ndër mend të bëjë një ambient modern dhe të ketë sukses në biznesin e tij, patjetër do të marrë një arredues profesionist. Edhe pse nuk mungojnë ata nevojtarë që ia dalin edhe vetë me shijet e tyre. Por gjithë shpenzimi ia vlen. Ia vlen përkushtimi i një arkitekti të mirë për të arreduar shtëpinë, i tillë që di të futet në lëkurën e banorit të ambjentit, pasi kjo është dhe çështja kryesore në arredim. E gjithë kjo bëhet që banori të ndihet rehat dhe të mos ketë pasoja psikologjike negative në shtëpinë e vet prej mospërputhjes së kërkesave të banorit me njohuritë e cunguara të arkitektëve në arredim. Edhe kjo gjë ndodh shpesh/M.A


Më të lexuarat