Secondary Adv

Pushime verore jashte Shqiperise, ja kush jane destinacionet kryesore

Share on Google+

Në zgjedhjen e destinacioneve verore jashtë “shtëpisë”, shqiptarët nuk po befasojnë më. Preferencat janë konsoliduar dhe mund të numërohen me gishta. Madje as këtë sezon, shqiptarët nuk heqin dorë nga “vesi” i të prenotuarit në minutë të fundit. Zgjedhjet lokale të 21 qershorit ulën ritmin e prenotimeve, ndërsa agjencitë shpresojnë që situata të përmirësohet duke filluar nga muaji korrik.

 


Zgjedhjet lokale nuk kaluan pa lënë gjurmë në industrinë shqiptare të turizmit. Agjencitë e udhëtimit konfirmojnë se kërkesa pësoi rënie të lehtë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.  Të rinjtë preferojnë të organizohen vetë, duke bërë paketa individuale. Vendet më të preferuara për sezonin veror mbeten plazhet e Turqisë, ishujt e Greqisë, e më pak vendet fqinje si Mali i Zi apo Kroacia. Nuk mbeten pas ndër preferencat edhe vendet ekzotike. Në një sondazh të realizuar nga ‘Monitor.al’ është Turqia vendi më i preferuar nga lexuesi online, për të kaluar pushimet, duke u ndjekur nga Italia, Greqia, Kroacia etj. Çmimet e paketave turistike nuk kanë pësuar ndonjë luhatje të fortë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas agjencive turistike ato janë të përshtatshme për të gjithë buxhetet.


Ku do të pushohet këtë verë ?!
Tremujori i parë i vitit 2015 regjistroi shifra pozitive sa u përket të ardhurave të shpenzuara nga shqiptarët në udhëtimet jashtë vendit. Rritja ishte 14%, me një shifër në total në rreth 218 milionë lekë ndërsa është ende herët për të bërë një parashikim se cila do të jetë ecuria e këtij zëri në industrinë e turizmit. Por, cilat janë tendencat e shqiptarëve që do të zgjedhin të pushojnë jashtë vendit në këtë sezon. Turqia, pa dyshim, mbetet zgjedhja e parë, si një destinacion i konsoliduar dhe kjo për shumë arsye. Është oferta më e përshtatshme për familjarët, për ata që duan të pushojnë me “duar në xhepa”, pa shumë kokëçarje e ku mund të gjejnë gjithçka brenda një territori të vetëm.


Turqia, nuk mungon

 

Nuk ka agjenci në vend që të mos ofrojë paketa turistike që kanë si destinacion Turqinë me gjithë plazhet dhe resortet e tipit “ultra dhe all inclusive”. Ofertat janë nga më të ndryshmet dhe i përshtaten çdo buxheti. Parashikimet janë që gjatë këtij viti, Turqia do të presë rreth 45 milionë turistë, ku shpenzimi mesatar për një person llogaritet në rreth 749 dollarë. Shqiptarët preferojnë të prenotojnë në resorte me katër e pesë yje dhe me shërbime all apo edhe ultra all inclusive. Antalia është destinacioni kryesor, duke u ndjekur nga Kemeri, Bodrumi e Alania. Kohë-qëndrimi llogaritet mesatarisht nga 7 në 10 net. Statistikat zyrtare tregojnë se turistët në Turqi shpenzojnë rreth 20% të buxhetit për ushqim, duke e konsideruar si një nga elementet kryesore në përzgjedhjen e këtij vendi si destinacion.


Greqia, kur kriza kthehet në avantazh


Vendi fqinj, që po mban të mbërthyer vëmendjen e gjithë Europës, duket se ka parashikime pozitive të paktën për turizmin. Pas “thashethemeve” për rritje të taksave në sektorin e hotelerisë, frika për reduktim të numrit të turistëve u zbeh. Zyrtarisht, qeveria greke parashikon që numri i turistëve të arrijë një shifër rekord, duke u përllogaritur në rreth 25 milionë, por gjithçka mund të ndryshojë në varësi të marrëveshjes që do të arrihet me BE-në.


Të dhënat zyrtare nga institucionet e turizmit në Greqi tregojnë se vitin e kaluar numri i shqiptarëve që zgjodhi të pushonte në ishujt helenë u ul me rreth 8%. Drejtuesit e agjencive turistike thonë se destinacionet më të preferuara në Greqi nga shqiptarët janë: Korfuzi, Kalkidhikia, por edhe Parga. Afërsia dhe mundësia e arritjes së këtij destinacioni edhe me mjete private e bëjnë të frekuentuar dhe të pëlqyer nga një pjesë e mirë e shqiptarëve që zgjedhin të pushojnë jashtë. Ofertat për këtë destinacion janë për hotelet me katër e pesë yje, për 10 apo 6 ditë qëndrim e ku çmimet variojnë nga 410 euro për person në rreth 800 euro për person.

 


Vitin e kaluar, falë industrisë së turizmit, Greqia arriti të krijonte 50,000 vende të reja pune, duke i dhënë ekonomisë (pas 6 vitesh) një impuls të ri edhe pse të vogël. Përveç turistëve shqiptarë, edhe numri i atyre gjermanë pësoi rënie, por me ritme disi më të ulëta (rreth 2%), ndërsa njeh rritje të vazhdueshme numri i turistëve britanikë (2 milionë për vitin 2014).


Resortet greke, veçanërisht ato të Kretës dhe Korfuzit, janë renditur si ndër më të lirat në Europë, gjatë viteve të fundit. Ekspertët vlerësojnë se në kushtet ku është turizmi, grekët duhet të mendojnë më pak për çmimet dhe më shumë për cilësinë, si një mënyrë për të rritur konkurrencën mes destinacioneve të tjera. E për të rritur shifrat Greqisë do t’i duhet më shumë sesa slogani që ka caktuar për vitin 2015, “God’s, Myths, Heroes” (Zotat, mitologjia dhe heronjtë).


Sharm el Sheik, rriten preferencat, ndikim edhe kriza ruse

 

Viti 2015 do të shënojë kthesën për turizmin egjiptian. Kriza ekonomike në Rusi do të japë efekte e madje kjo reflektohet edhe në kërkesën e shqiptarëve për të pushuar në një nga destinacionet më të frekuentuara siç është Sharm el Sheikh. Drejtuesit e agjencive turistike kanë vënë re rritjen e kërkesave për këtë destinacion, pas një periudhe jo fort të mirë në vitet e fundit. Agjenci të ndryshme ofrojnë paketa për resorte kryesisht me pesë yje e me çmime që nisin nga rreth 550 euro për person.

Rajoni

Operatorët turistikë të Ballkanit për këtë vit kanë zgjedhur që të ofrojnë paketa që përfshijnë disa vende. Aktualisht, operatorët turistikë ofrojnë paketa në Shqipëri, Maqedoni, Greqi me çmime që shkojnë në rreth 700 euro, Shqipëri – Ohër 675 euro, kur turi klasik shqiptar 8-ditor e ka mesataren 677 euro. Paketa rajonale njëjavore më e shtrenjtë është ajo Korfuz-Shqipëri që varion nga 650 euro në 1250 euro. Nuk do të thoshim gjë të re nëse do të pohonim se Ohri pret shumë më tepër turistë se Pogradeci. Çmimet janë të parat që vendosin, por edhe kushtet e tjera që plotëson ky rajon turistik i Maqedonisë.

 

 

Nëse akomodohesh në hotel me katër yje, me të gjitha të përfshira për tetë ditë e shtatë net, paguan në këtë sezon rreth 560 euro, por nëse negocion, mund ta gjesh shumë më ulët këtë paketë, maqedonasit ofrojnë ture klasike 8-ditore 500 euro me karakter kulturor ose 11-ditor nëpër Maqedoni me 780 euro. Por, Maqedonia ofron pafund ture tre dhe pesëditore të tipit “aventurë” apo me udhëtime malore me biçikletë ose njëditore në Shkup dhe Mavrovë. Në Malin e Zi, paketat ofrojnë çmime edhe më të lira.


Në Mal të Zi, mesatarja ditore shkon në 30 euro për person dhe më interesantja është një paketë 7-ditore që përfshin udhëtime në disa qytete me vetëm 470 euro. Fqinjët tanë janë më dorëlëshuar edhe me ushqimin, duke ofruar në paketa mëngjesin dhe drekën ose mëngjesin dhe darkën.

 

Kroçierat, pasioni i ri i shqiptarëve

 

 

Kroçierat janë një trend i ri për turistët shqiptarë, veçanërisht për çiftet e reja që zgjedhin të kalojnë muajin e mjaltit në bordet e anijeve të mëdha. Agjencia turistike “Union Travel” ofron një përvojë të veçantë për të njohur ishujt e Greqisë për 5 ditë me çmime që fillojnë nga 349 euro. Nisja bëhet nga Porti i Pireut dhe mund të kthehet në një përvojë të paharruar për ata që duan aventurën e që çdo ditë njihen me një destinacion të ri.


Ka edhe nga ato agjenci që ofrojnë paketa turistike me kroçiera për destinacione si Italinë, Spanjën, etj., me çmime që fillojnë nga 500 euro, ku përfshihen edhe taksat portale. Në të gjithë botën, ky treg llogaritet në rreth 37 miliardë dollarë (për vitin 2014). Shpenzimet mesatare për pasagjerë, në rang botëror për vitin e kaluar u llogaritën në rreth 1,700 dollarë.

Destinacionet më ekonomike të 2015-s

 

Porti Cesareo, Mykonos e ishujt Balearic. Janë këto destinacionet “low cost” të kësaj vere. Sipas kërkimeve të një prej faqeve më në zë të opinioneve turistike (125 milionë recesione dhe opinione), “TripAdvisor”, këto janë destinacionet kryesore të kësaj vere dhe që janë klasifikuar si të tilla edhe nga portali “Booking.com” dhe “eDreams”. Të gjithë ata që kanë planifikuar pushime me një buxhet modest mund të zgjedhin mes këtyre tri destinacioneve. Sikundër bëjnë të ditur këto portale, emrat e këtyre tre destinacioneve janë përmendur më së shumti nga opinionistët. Për “Booking.com”, Porto Cesareo mban vendin e partë si destinacioni me kosto më të ulët edhe në periudhën mes datës 1-7 gusht. I njëjti diskutim vlen edhe për një nga perlat e ishujve të Greqisë e që është Mykonos. Ishulli grek pozicionohet në vendin e tretë si nga “Booking.com”, ashtu edhe nga “eDreams”. Ndër ishujt Balneare, atë si më të preferuarën e mban Ibiza, ndërsa Formentera renditet e para në listën e “TripAdvisor”.

 

 

Gjiganti amerikan i prenotimeve i ka dhënë një vend të mirë në klasifikimin edhe vendeve si Bodrumi (Turqi) apo edhe Dubrovnikut (Kroaci). Në fund nuk kishte sesi të mungonte një nga destinacionet “klasike” të verës, Malta, që renditet nga “e-Dreams” në vendin e dytë për nga destinacionet më të preferuara nga lexuesit.

Porti CESAREO Tokë, det, histori dhe art. Porti Cesáreo është një nga gurët e çmuar të bregdetit të Jonit në Salento. Një vend me vetëm 6,000 banorë, por që gjatë verës “pushtohet” nga mijëra turistë në sajë të 17 kilometrave të vijës bregdetare. Në qytetin puliez nuk mungon as jeta e natës, ku klube të ndryshme ofrojnë kënaqësi maksimale. Sipas shifrave të ofruara nga “TripAdvisor”, një javë në një hotel me kushte të mira, mund të kushtojë rreth 390 €. Portali bën gjithashtu edhe një vlerësim rreth kostove të “javës verore më të lirë”, duke pasur parasysh parametra të tillë, si: kostoja mesatare për natën në hotel, etj. Në këtë rast, një javë qëndrim në një hotel me 4 yje kushton rreth 798 euro për person, përfshirë edhe ushqimet.


Mikonos

 

Më i çmenduri në mesin e ishujve grekë, pasi ofron një zgjedhje të gjerë për bare dhe klube. Jeta e natës është e përqendruar në qendër, ku klubet e natës qëndrojnë hapur deri në orët e para të mëngjesit. Krahasuar me Ibizan, në aspektin e jetës së natës dhe argëtimit, Mikonos ka një larmi të madhe baresh në plazh, ku luajnë DJ nga më të njohurit në skenën ndërkombëtare. Sipas të dhënave të “eDreams” një qëndrimi 7-ditor në një hotel me dy yje, mund të kushtojë 418 € për person, përfshirë fluturimin vajtje-ardhje.


Ibiza


Ishulli më i famshëm Balnear. Për vite ka qenë një nga “fortesat” e turizmit europian dhe jetës së natës. Në muajt e verës pushtohet nga miliona turistë në kërkim të kënaqësive pafund. Jeta (sidomos natën) me siguri nuk mund të quhet me kosto të ulët, por ka një gamë të gjerë lokalesh që edhe me cilësinë e tyre e kanë bërë vendin ideal për të kaluar pushimet. Gjithashtu, sipas të dhënave të “eDreams”, qëndrimi për shtatë net në një hotel, mund të fillojë nga 384 euro për person, përfshirë fluturimin.


Pushime në ishuj, vilat më ekonomike se hotelet


Tendenca për pushimet e verës është që të merret një shtëpi me qira, ndoshta disi e madhe dhe komode në të cilën mund të kalohen disa ditë të qeta së bashku me familjen ose në shoqërinë e miqve. Shpesh rezulton një zgjidhje më ekonomike dhe e rehatshme sesa ajo e hoteleve. TripAdvisor, komuniteti më i madh i turistëve, ofron mundësinë për të prenotuar shtëpi ose vila të vogla në 190 shtete të ndryshme. E mes tyre dallohen tetë vila të mrekullueshme që gjenden në disa nga ishujt më të bukur të botës, nga Bali në Bora Bora, nga Karaibet në Europë.


Nëse Polinezia franceze ka qenë gjithmonë ëndrra, juaj atëherë në të mund të gjeni dy vila: “Miki Miki” (3.754 euro në javë) në ishullin Temae. Është një pronë ku kombinohet arkitektura tradicionale me komoditetin modern. Gjendet në një plazh të mrekullueshëm me rërë të bardhë e ku nuk mungojnë as dyqanet, restorantet apo vende ideale për argëtim.

 


Ose mund të shkoni në Bora Bora. Vilat “Bungalove” (504 euro në javë) janë një zgjidhje më pak luksoze, por më shumë autentike. Ato gjenden në një lagunë që është pothuajse e rrethuar nga uji dhe nga gjelbërimi tropikal. Dhuron panorama fantastike mbi Oqeanin Paqësor. Edhe Indonezia ofron mundësi të tilla. Në Kerobokan, në ishullin e Balit, vila “Paradise” (1.234 euro në javë) mund të mirëpresë deri në gjashtë persona. Në të gjendet një pishinë, ndërsa arkitektura është minimaliste dhe në stilin balinez.


Në ishullin Gili, mjaft të njohura janë vilat e “The Gili Beach Resort” (2,864 euro në javë) e ku mund të akomodohen deri në tetë persona. Në dispozicion të vizitorëve është një shef kuzhine dhe një kameriere, si dhe mund të shëtisni me biçikleta. Nëse doni të zbuloni ishujt Filipine, në Boracay gjendet vila luksoze “Miami White” (4,441 euro në javë) e që është një xhevahir i kësaj parajse ekzotike.

 


Në anën tjetër, në Barbados, në ishujt e Karaibeve, gjendet “Atelier House” (7,598 euro në javë) me një sërë hapësirash për të kaluar pushime të paharrueshme. Më pak ekzotike, por padyshim tërheqëse, janë edhe ishujt e Kontinentit të Vjetër që kanë se çfarë të ofrojnë. Në Islandë mund të merret me qira “Reykjavík House” (2,339 euro në javë) në të cilën mund të akomodohen deri në 8 persona. Në Gjermani gjendet ishulli Sylt, në kufi me Danimarkën, që konsiderohet si një nga vendet të bukura. Vila “Haus zum Leuchtturm” (3,430 euro në javë) mund të akomodojë deri në gjashte persona.

Ka hapësira të mëdha, në tri kate e që janë të rrethuara nga një kopsht i gjelbër. “TripAdvisor”, gjithashtu ka analizuar edhe kostot mesatare të qëndrimit për një natë në hotelet fituese të “Travelers Choice Islands 2015” Nga kërkimi rezulton se ka diferenca të mëdha mes destinacioneve të ndryshme. Më ekonomiku është Ko Tao në Tajlandë, ku për një natë shpenzohen 81 euro, duke u ndjekur nga Madeira me 82 euro, Turks & Caicos 470 euro dhe në Bora Bora me 397 euro./Monitor


Më të lexuarat