Kompania italiane e energjise zbulon burimin me te madh te gazit natyror ne bote
Kompania italiane e energjisë dhe gazit, Eni, ka njoftuar ditën e djeshme se ka zbuluar një fushë ‘supergjigande’ të gazit natyror në brigjet e Egjiptit. Sipas vetë kompanisë pretendohet se është burimi më i madh i gazit natyror në botë!
Grupi italian i energjisë Eni ka zbuluar fushën e gazit më të madhe në botë, në Mesdhe në brigjet egjiptiane. Kompania parashikoi se zbulimi mund të ndihmojë të përmbushen nevojat e Egjiptit për gaz për dekada të tëra. Eni tha në një deklaratë të dielën se fusha Zohar, e cila mbulon një sipërfaqe prej rreth 100 km katrorë, mund të mbajë më shumë se 30 trilion kub gaz.
“Zohr është zbulimi më i madh i gazit i bërë ndonjëherë në Egjipt dhe në detin Mesdhe dhe mund të bëhet një nga më të mëdhatë që bota mban për gazin natyror “ tha Eni në një deklaratë. “Zbulimi, pas zhvillimit të plotë të saj, do të jetë në gjendje që të sigurojë kënaqjen e kërkesës për gaz natyror të Egjiptit për dekada të tëra, e jo vetëm”. Lajmi erdhi një ditë pasi CEO i kompanisë Claudio Descalzi u takua në Kajro me presidentin egjiptian Abdel-Fatah el-Sissi. Sipas informacionit sizmik, Zohr mund të mbajë një potencial prej 30 trilion kub gaz dhe rreth 5.5 miliardë fuçi nafte. Ajo mbulon një sipërfaqe prej rreth 100 kilometra katrorë. Zona është rreth 193 kilometra nga bregu egjiptian dhe është në një thellësi prej 4,757 m në bllokun Shorouk, tha kompania.
“Eni menjëherë do të vlerësojë këtë burim, me qëllim përshpejtimit të një zhvillimi,” tha kompania e energjisë. Eni ka qenë në Egjipt që nga viti 1954 nëpërmjet degës së saj, IEOC. Kjo kompani është prodhuesi kryesor i hidrokarbureve në Egjipt, me një prodhim të kapitalit të përditshëm 200.000 fuçi nafte. Fusha me e madhe e gazit natyror e zbuluar më parë nga vetë kompania ishte në Mamba në Mozambik, ku gjeti 75 trilion metër kub gaz në det të hapur, raporton Bloomberg.