Secondary Adv

Draft ligji per pastrimin e parave: Ndryshon vlera minimale e transaksioneve

Ministria e Financave ka gati një tjetër draftligj “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit” duke ndërhyrë në një sërë nenesh të tij. 

 

Në relacionin që shoqëron draftin thuhet se ndryshimet vijnë pas rekomandimeve të bëra nga njësia europiane që monitoron pastrimin e parave( kujtojmë që Shqipëria hyri sërish në listën gri të vendeve me risk pastrim parash ne shkurt 2020 dhe është në monitorim të zgjeruar). Referuar ndryshimeve në projektligj bien në sy disa pika. Së pari saktësohet termi i bankës guaskë. “Bankë guaskë’ është një institucion kreditor apo financiar, apo një institucion që kryen aktivitetet të ngjashme me ato që kryhen nga institucionet bankare dhe financiare, e themeluar në një juridiksion të caktuar por që nuk ka prani fizike, përfshirë drejtim dhe administrimi, si dhe nuk është pjesë në një grup të rregulluar financiar.” Thuhet në draft.

 

Së dyti zgjerohet pjesa e atyre që janë nën mbikëqyrje duke përfshirë këtu edhe ambasadorët dhe të ngarkuarit me punë. Njëkohësisht jepen përkufizimet “e anëtarëve të familjes” si dhe “të personave që njihen si bashkëpunëtorë të ngushtë” të personave të ekspozuar politikisht. Së treti përfshihet përkufizimi i trustit ndërkohe që tek ofruesit e shërbimeve të mjeteve virtuale shtohet kujdestari i portofolit. Në grupin e subjekteve që i nënshtrohen këtij ligji që specifikohen në nenin 3 është shtuar edhe një tjetër pikë që saktëson se agjentët e pasurive të paluajtshme nuk do të raportojnë vetëm kur bëjnë shitje apo blerje por edhe kur ka marrëdhënie qiraje.

 

Konkretisht “kur veprojnë si ndërmjetës në dhënien me qira të pasurive të paluajtshme, në lidhje me transaksionet për të cilat qiraja mujore arrin në vlerën e barabartë apo më të madhe se 500 000 Lek, pavarësisht nëse transaksioni kryhet në një transaksion të vetëm ose në disa transaksione të lidhura”. Po kështu janë shtuar edhe tre grupime të tjera. Së pari çdo individ, person fizik apo juridik, të cilët tregtojnë mallra apo shërbime në masën që kryejnë apo pranojnë pagesa në para fizike në një shumë prej 1 000 000 (një milion) lekë ose më shumë, pavarësisht nëse transaksioni kryhet në një transaksion të vetëm ose në disa transaksione të lidhura.

 

Së dyti “audituesit ligjorë, kontabilistët e miratuar dhe këshilltarët tatimorë.

Së treti çdo person tjetër që merr përsipër që të ofrojë, drejtpërdrejt apo nëpërmjet personave të tjerë me të cilët ai person ka lidhje, ndihmë materiale, asistencë apo këshillim për çështje tatimore, si biznes kryesor apo veprimtari profesionale. Po kështu në ralacion sqarohet se në funksion të forcimit të masave parandaluese dhe ne vijim të vlerësimit nga autoriteti përgjegjës i praktikës se mbikëqyrjes së përputhshmërisë së subjekteve raportuese me detyrimet kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në nenin 5, pas pikës 2 shtohet pika 2.1 duke vendosur detyrime minimale kujdesi edhe për transaksionet në vlera më të vogla se 100,000 lek.

 

“2.1 Për klientët rastësorë që kryejnë transaksione në vlera më të vogla se 100,000 lek, ruajtja e kopjes se dokumenteve identifikuese nuk është e detyrueshme. Për këta klientë regjistrohen së paku të dhënat e emrit, mbiemrit, datëlindjes, numrit personal për shtetasit e Republikës së Shqipërisë, si dhe atë të barasvlershëm për shtetasit e huaj dhe autoritetin që e ka lëshuar” thuhet në draft. Autoritetet kanë përfshirë edhe dy nene të reja ku sqarohet vigjilenca e zgjeruar.

 

Kjo e fundit kryhet edhe në raste të tjera të konsideruara me risk të lartë sipas vlerësimit të vetë subjektit. “Në vlerësimin e rreziqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, që lidhen me llojin e klientëve, zonës gjeografike, produkteve, shërbimeve, transaksioneve apo kanaleve të veçanta të shpërndarjes, subjektet e këtij ligji marrin parasysh faktorët dhe situatat e parashikuara me vendim të Këshillit të Ministrave” thuhet në draft./Burimi: Monitor


Më të lexuarat