Kamatevonesat: Shqiptaret paguan 900 mln leke me shume te faturat e dritave
Në vitin 2020 të paktën 900 milionë lekë (rreth 7.2 milionë euro) janë arkëtuar si kamatëvonesa në faturat e energjisë.
Kjo është shuma që është paguar ekstra nga familjarët apo bizneset që nuk kanë shlyer në kohë faturën e lëshuar nga OSHEE. Çdo konsumator ka të drejtë që faturën e muajit korrent ta paguajë pa penalitete deri në ditën e fundit të muajit pasardhës. Pas kësaj sistemi automatikisht fillon të përllogarisë kamatëvonesa e cila mund të arrijë në maksimalisht deri në 50 për qind të vlerës së faturës. Të dhënat zyrtare nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike tregojnë se gjatë vitit 2020 në total ishin 4.8 milionë fatura që kishin vonesa në pagesë. Mesatarisht numri i faturave mujore të likuiduara me vonesë përllogaritet mes 350-400 mijë në muaj ku kulmi duket se është arritur në muajin prill me 566 mijë fatura.
Kjo duket se lidhet edhe me situatën e pandemisë kur nga mesi i marsit e deri në fund të prillit Shqipëria u vendos nën karantinë për të nisur më pas me masa lehtësuese nga prilli e në vazhdim. Gjatë asaj kohe duke pasur parasysh situatën e vështirë pagesa e energjisë u mundësia edhe përmes disa kanaleve online ku një prej tyre ishte edhe portal E-albania. Pavarësisht gjetjes së alternativave nga ana e kompanisë publike të shpërndarjes së energjisë por edhe ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve u raportua për rënie të nivelit të arkëtimeve.
Kjo u lidh drejtpërdrejt me kufizimin e lëvizjeve si dhe pamundësinë në disa raste të familjeve për të përmbushur nevojat e tyre financiare në kushtet kur një pjesë humbën edhe punën. Të dhënat e OSHEE tregojnë gjithashtu se numri i faturave të raportuara me dëm ekonomik në vitin 2020 ishte pak më shumë se 4 mijë dhe më shumë se gjysma e tyre ishte në muajin dhjetor. Në vlerë shuma e faturuar në këto fatura ishte 31 milionë lekë. Aktualisht OSHEE po bën faturimin në terren çdo dy muaj duke pasur parasysh konsumin referencë të vitit të kaluar për çdo muaj. Kjo praktikë është lënë në fuqi nga ERE deri në qershor të këtij viti më pas OSHEE do të duhet që të bëjë faturim në terren për të parë gjendjen reale të sahatit./Burimi: Monitor