Secondary Adv

Qeveria merr vendimin: Shtyhet deklarimi i te ardhurave dhe pagesave shtese

Individët me të ardhura mbi 2 mln lekë, dhe të dypunësuarit, kanë edhe 2 muaj kohë që të bëjnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) dhe pagesën shtesë.

 

Këshilli i Ministrave ka miratuar një akt normativ për një shtesë në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, në bazë të së cilit, “dorëzimi i deklaratës vjetore individuale të të ardhurave të vitit 2020 në administratën tatimore dhe pagesa e detyrimit, nëse rezulton, bëhet jo më vonë se data 30 qershor 2021. Sanksionet administrative që mund të aplikohen në bazë të nenit 13/9 falen, me kusht që dorëzimi i deklaratës dhe pagesa e detyrimit të kryhen deri në datën 30 qershor 2021.” 

 

Individët rezidentë në Republikën e Shqipërisë, të cilët gjatë vitit 2020 kanë realizuar të ardhura, nga të gjitha burimet, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në shumën 2,000,000 (dy milionë) lekë e më tepër, kishin afat të fundit datën 30 Prill 2021 për dorëzimin në mënyrë elektronike, nëpërmjet sistemit e-filing, të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) për vitin 2020. Sipas burimeve nga financat, ky vendim për shtyrjen erdhi pasi pati shqetësime nga ana e qytetarëve për paqartësi për mënyrën e deklarimit.

 

Këtë vit, për herë të parë kishin detyrim për të deklaruar të ardhurat e 2020-s edhe të dy punësuarit, pavarësisht nga niveli i të ardhurave, pas një ndryshimi ligjor, në bazë të së cilit paga, ndonëse është marrë në dy apo më shumë vende pune, do të llogaritet si një e vetme dhe do të tatohet si e tillë dhe individi do të jetë i detyruar që të paguajë diferencën shtesë që del nga rillogaritja. Sipas të dhënave zyrtare të tatimeve janë 88.6 mijë të punësuar, që gjatë vitit 2020 kanë pasur dy punë, të cilët do të duhet të deklarojnë të ardhurat e përfituara në vitin 2020.

 

Ky deklarim do t’i ngarkojë ata me tatim mbi të ardhura shtesë, si rrjedhojë e disa ndryshimeve ligjore për tatimin mbi të ardhurat, që kanë hyrë ka hyrë në fuqi në janar 2020 dhe po zbatohen për herë të parë për pagat e përfituara gjatë 2020. Deklarimi i të ardhurave bëhet online në faqen e tatimeve dhe të dhënat e detyrimit për t’u paguar dalin të paraplotësuara. Rillogaritja e pagave si një e vetme do të sjellë automatikisht rritje të tatimit të të ardhurave për këtë kategori, pasi do të përjashtohen vetëm njëherë nga TAP zero deri në kufirin e 30 mijë lekëve dhe nëse të ardhurat e dy pagave i kalojnë 150 mijë lekë në muaj, do të tatohen për diferencën me 23% (duke zbritur tatimin e paguar gjatë vitit).

 

Shuma minimale që duhet të paguajë një i dypunësuar që ka punuar 12 muaj në dy punë dhe është paguar me pagë minimale prej 26 mijë lekësh është 2,860 lekë në muaj, ose 34320 lekë në vit, ose 280 euro {individi i dypunësuar, i cili ka pasur p.sh., dy paga minimale nga 26 mijë lekë secila do të paguajë minimumi edhe 13% të diferencës prej 22 mijë lekë, (52 mijë lekë-30 mijë lekë). Gjoba për mosdeklarim brenda afatit është 5 mijë lekë, ndërsa për vonesat në pagesa kamatëvonesa është 0.06% në ditë./Burimi: Monitor


Më të lexuarat