Secondary Adv

Pagat rriten me ritme me te larta se pensionet: Thellohet hendeku ne 2020

Raporti mes pensionit mesatar në qytet dhe pagës neto ka ardhur në rënie vitet e fundit.

 

Në vitin 2016 pensioni mesatar në qytet ishte sa 52.9 për qind e pagës mesatare neto të atij viti, ndërsa pas katër vitesh, më 2020, pensioni mesatar në qytet ishte sa 47.7 % e pagës mesatare neto, raportohet në të dhënat zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Ulja e raportit ndërmjet pensionit mesatar dhe pagës mesatare neto në qytet tregon se rritja e pagave ka ecur me ritme më të shpejta se rritja e pensioneve. Pagat në ekonomi rriten në bazë të produktivitetit në sektorin privat, ndërsa në pagat në sektorin publik rriten në bazë të një strategjie që qeveria ndjek për personelin e administratës.

 

Ndërsa pensionet në bazë të ligjit të vitit 2014 për sigurimet shoqërore nuk rriten, por vetëm indeksohen me masën vjetore të inflacionit. Pensioni mesatar në qytet në vitin 2020 shënoi ulje për herë të parë që nga viti 2000 kur ekzistojnë të dhënat zyrtare. Masa e pensionit mesatar urban arriti në 15,732 lekë gjatë vitit të kaluar nga 16,2543 lekë që ishte në vitin 2019 ,sipas të dhënave zyrtare nga instituti i Sigurimeve Shoqërore. Ulja në vlerë ishte 3.2 për qind, por duke përllogaritur edhe efektet e inflacionit ulja reale ishte edhe më e madhe me rreth 4.8 për qind.

 

Pensioni mesatar në fshat arriti në 9295 lekë me një rritje 1.4 për qind në raport me vitin 2019, por duke përllogaritur efektet e inflacionit mesatar (1,6 % më 2020) pensionet reale në fshat kanë pësuar rënie me 0.2 për qind në vitin 2020. Ekspertët sqarojnë se ula e pensioneve po nxitet nga dalja në pension e gjeneratave që kanë kaluar një pjesë të madhe të viteve të punës gjatë periudhës së tranzicionit. Duke qenë se një pjesë e madhe e tyre kanë punuar në të zezë, nuk kanë punuar fare ose kanë paguar më pak sigurime ato nuk i përmbushin kushtet për përfitime maksimale të pensioneve të pleqësisë.

 

Shpenzimet publike për pensionet në Shqipëri janë shumë të ulëta krahasuar me Bashkimin Evropian (BE) dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Pavarësisht këtij fakti deficiti i skemës së pensioneve në Shqipëri është nga më të lartët në Europë më 2.7 për qind të PBB-së. Sistemi publik i pensioneve në vendin tonë vuan nga arkëtimet e ulëta të kontributeve të sigurimeve shoqërore si rrjedhoje e informalitetit të lartë në tregun e punës. Në shumicën e sektorëve ende aplikohet “paga e zarfit” nga bizneset të cilët tentojnë gjithmonë të ulin një pjesë së kostos së sigurimeve duke mos deklaruar pagat e plota në tatime./Burimi: Monitor


Më të lexuarat