
Borxhi publik i Shqiperise kalon per here te pare kufirin e 1 miliard lekeve
Borxhi publik i Shqipërisë tejkaloi për herë të parë kufirin e 1 miliardë lekëve dhe nga sot njësia matëse e tij do të jetë bilioni. Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti, borxhi kombëtar arriti në 1 bilion e 15 miliardë e 324 milionë lekë.
Pjesa dërrmuese e tij është borxh i marrë drejtëpërdrejtë nga qeveria, ndërsa rreth 60 miliardë lekë janë detyrime të ndërmarrjeve publike, të cilat edhe pse nuk shërbehen nga buxheti janë garantuar me dorëzani të qeverisë.Krahasuar me fundin e vitit të kaluar, shifrat tregojnë se borxhi është rritur me 38 miliardë lekë. Por edhe pse është rritur në vlerë nominale, Ministria e Financave thotë se pesha e tij ndaj Prodhimit Kombëtar, që është dhe treguesi më i rëndësishëm i borxhit, ka rënë nga 69.17 përqind në 68.1 përqind. Megjithatë kjo shifër, sipas ministrisë, nuk përfshin detyrimet e prapambetura ende të papaguara, të cilat llogariten në rreth 15 mld leke, ose 1 përqind e Prodhimit Kombëtar.
Borxhi publik i Shqipërisë filloi të rritej pas vitit 2007, kur qeveria e djathtë zgjodhi t’i kundërpërgjigjej krizës përmes një stimuli agresiv fiskal. E kombinuar dhe me ngadalësimin e rritjes ekonomike, kjo bëri që borxhi të kërcejë nga 53.7 përqind në 2007-ën, në 62 përqind e prodhimit në fund të 2012-ës. Paralelisht, veç detyrimeve formale, u krijua dhe një borxh i fshehtë ndaj biznesit në formën e faturave të papaguara.
Në vitin 2014, qeveria e majtë së bashku me FMN-në, thanë se kjo shifër ishte sa 5.3 përqind e Prodhimit Kombëtar. E sapoardhur në pushtet ajo vendosi legalizimin dhe shlyerjen e tij sipas një plani trevjeçar. Por demokratët thonë se shifra reale është shumë më e vogël dhe se ajo u fry qëllimisht nga qeveria për t’i krijuar asaj mundësi të marrë borxh.
Reagon Ministria e Financave: Borxhi publik do të ulet
Ndërkohë Ministria e Financave, ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike, duke premtuar se borxhi publik do të ulet. Opozita ka deklaruar se rritja e borxit me 12% në 2 vjet, është bërë për të mbuluar evazionin fiskal dhe korrupsionin e madhe në vend.
Por MF-ja ia faturon këtë përgjegjësi Partisë Demokratike: “Zotërinj, duhet të ishit shqetësuar 8 vjet më parë”.Sipas Ministrisë së Financave, “niveli i lartë i borxhit është produkt pikërisht i atyre që sot bërtasin “borxhi i lartë”. Sikur po këta individë të kishin dëgjuar këshillat e ndërkombëtarëve vite më parë, tani rreziku dhe kostoja e borxhit publik do të ishte shumë më i ulët për shqiptarët”.
Po ashtu, në një komunikatë për shtyp, Ministria e Financave ka sqaruar: “Borxhi publik do të vijë në ulje graduale, si rrjedhojë e atyre reformave që qeveria e mëparshme nuk pati kurajën t’i ndërmerrte. Reforma e pensioneve, reforma e sektorit të energjisë, reforma e pronave, përmirësimi i administrimit të të ardhurave, janë të gjitha këto reforma që do të çojnë në uljen e rreziqeve fiskale dhe të borxhit publik dhe jo ulja e shpenzimeve publike”.
Më të lexuarat








