Secondary Adv

Impiante eolike ne Karaburun: Dorezohen 5 aplikime ne MIE

Pesë aplikime për impiante eolike secili me 10 MW kapacitet janë dorëzuar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë duke pritur miratimin.

 

Në faqen e saj, Ministria bëri me dije se aplikimet janë kryer nga shoqëri të ndryshme dhe nuk përfitojnë nga masat mbështetëse të qeverisë nëse do të ketë finalizim të projekteve. Impiantet sipas aplikimeve do të vendosen në zonën e Karaburunit e përfolur prej vitesh si një zonë me interes për ndërtimin e impianteve eolike. Por cilat janë aplikimet që janë dorëzuar në MIE. I pari është ai nga shoqëria a “BRD Energy” Sh.p.k, i dyti nga “GMT Energy” Sh.p.k, i treti “GRS Energy” Sh.p.k, i katërti nga “MGN Energy” Sh.p.k dhe i fundit nga “ORT Investment” Sh.p.k.

 

MIE sqaron se të gjithë këto impiante nëse konkretizohen nuk do të përfitojnë nga masat mbështetëse të qeverisë që do të thotë që kjo e fundit nuk u garanton blerjen e energjisë me çmim të paracaktuar nga Enti Rregullator i Energjisë. Kjo skemë aktualisht vlen për impiantet eolikë deri në 3MW për të cilat Enti ka caktuar një çmim 75.64 euro MWh. Këto impiante nuk janë koncesione tipike dhe miratohen vetëm me firmën e ministrit përgjegjës në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

 

Pavarësisht hapësirave që ka pasur për zhvillimin e projekteve të energjisë nga era asnjëherë nuk ka pasur konkretizim të tyre dhe në shumë raste ato kanë mbetur në letër. Ministria deklaroi pak muaj më parë se tashmë do të zhvillonte ankande për energjinë eolike njëlloj si ajo në energjinë fotovoltaike dhe që synojnë edhe aplikimin e masave mbështetëse duke nxitur kështu zhvillimin e projekteve.

 

Njëlloj si me Spitallën dhe Karavastanë tek energjia fotovolatike pritet që autoritetet të mbajnë ankande ku kompanive të interesuara do t’ju mundësohet blerja e energjisë për një periudhë të caktuar nga ana e OSHEE. Aktualisht në ERE janë të licencuar për prodhim energjie nga era tre kompani që kanë projekte në Lezhë, Sarandë dhe Kavajë vlefshmëria e të cilave është shtyrë kohë pas kohe për shkak se asnjë prej tyre nuk ka arritur të ndërtojë impiantet dhe të nisë prodhimin./Burimi: Monitor


Më të lexuarat