
Gjermania, 12 milione euro kredi per shqiptaret qe te shfrytezojne energjine diellore
Gjermania do të ndihmojë shqiptarët të shfrytëzojnë energjinë diellore. Projekti, i cili quhet “Eficiensa energjetike”, do të funksionojë përmes bankave dhe do të ofrojë kredi për panelet diellore.
Zëvendësministri i Energjisë dhe Industrisë, Ilir Bejtja, dha shpjegime para deputetëve dje në Komisionin për Ekonominë dhe Financat. Bejtja bëri dhe një paraqitje të projektligjit për huan gjermane, duke theksuar se në total i gjithë financimi i firmosur me qeverinë gjermane është 72 milionë euro i ndarë në tre objektiva.
“E para është eficiensa e energjisë përmes sektorit bankar, 12 milionë euro, e cila konsiston në krijimin e një fondi financimi në bankat e nivelit të dytë, i cili do të bëjë të mundur mbështetjen e projekteve të energjisë në banesa, qoftë në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për bizneset private, banesat private, por edhe për ndërtesa në nivel komunash, domethënë shkolla apo godina të administratës publike. Kjo marrëveshje synon të zgjerojë fokusin e aksesit në financime përtej tri ndërmarrjeve bazë që ka sektori, edhe për të tjerë aktorë, të cilët janë të interesuar për të ulur konsumin e energjisë elektrike ose për të përmirësuar konsumin e saj në drejtim të eficiensës”, tha Bejtja.
Lidhur me marrëveshjen e dytë, e cila ka të bëjë me sektorin e transmetimit të energjisë elektrike, Bejtja sqaroi se bëhet fjalë për 40 milionë euro investime. “Konsiston në dy linja të brendshme, tensioni të lartë, Rrashbull dhe rrjeti unazor në pjesën qendrore dhe atë jugore të sistemit elektroenergjetik. Si edhe rrjeti unazor i Tiranës 11 kilovolt. Të dyja këto investime, të dyja këto linja synojnë balancimin e rrjetit të transmetimit të tensionit të lartë brenda vendit.
Lidhet shumë edhe me rritjen e kapaciteteve të akesit të energjisë me jashtë Shqipërisë, si ajo e Kosovës 400 kilovolt dhe për vitin që vjen ajo që do të fillojë, Bitola – Elbasan dhe Elbasan – Fier 400 kilovolt. Pra, në total këto dy investime synojnë të ulet sa më shumë niveli i humbjeve teknike, por gjithashtu edhe të rritet eficiensa në përdorimin e energjisë elektrike në vend. E treta marrëveshje, 20 milionë euro, ka të bëjë me energjinë ujore dhe sigurinë e digave në kaskadën e Drinit, procese teknologjike të cilat kryhen normalisht. Kemi marrë këtë financim për pastrimin e të tre rezervuarve dhe në të njëjtën kohë për garantimin e sigurisë në diga, për të pasur një menaxhim të koordinuar të të gjithë kaskadës së Drinit, duke qenë se është edhe furnizuesi ynë kryesor me energji elektrike”, tha Bejtja, duke shtuar se të tria marrëveshjet kuadër do të shoqërohen me marrëveshje specifike financiare në vazhdim.
Pasi i kaluan nen për nen, anëtarët e Komisionit për Ekonominë dhe Financat miratuan në tërësi dy projektligjet për ratifikimin e marrëveshjeve me qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë. Ndërkaq, komisioni miratoi me konsensus dhe dy marrëveshje të tjera: për bashkëpunimin financiar me qeverinë gjermane, që kanë të bëjnë me projektet për furnizimin e zonave rurale me ujë, të nisura në vitin 2011. Deputeti relator, Andrea Marto, shpjegoi fazat e financimeve që është bërë për ujin në zonat rurale, duke theksuar se rifinancimi me mbi 10 milionë euro do të bëhet për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në zonat rurale nga qeveria gjermane.
Ndërsa, zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Brunilda Paskali, sqaroi mënyrën se si do të bëhet disbursimi i kësaj shume dhe se zbatimi i projektit do të bëhet brenda vitit 2015.
Më të lexuarat








