Secondary Adv

Ulet fasha e vaksinimit: Mberrijne sot mbi 11 mije doza te Pfizer

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë fjalës saj në Kuvend ka bërë me dije se sot mbërrijnë mbi 11 mijë doza të tjera Pfizer.

 

“Sot presim sërish 11,700 doza të vaksinës Pfizer dhe me këtë sasi, së bashku me sasinë e mbërritur sot, si një mbështetje e qeverisë së Republikës së Greqisë, arrijmë në mbi 967 mijë vaksina të mbërritura deri tani në vendin tonë. Shumë shpejt presim edhe lëvrimin e sasisë tjetër të vaksinave Coronavac, të Sinovac”, ka bërë me dije Manastirliu. Gjatë fjalës saj, Ministrja e Shëndetësisë tha se procesi i vaksinimit do të intensifikohet gjatë verës, për t’i dhënë frymëmarrje ekonomise dhe turizmit. “Sot, fasha e vaksinimit ka zbritur në 57 vjeç, përpos vaksinimit të kombinuar me kategoritë e riskut.

 

Mbërritja e sasive të tjera të vaksinave, do të sjellë edhe uljen e mëtejshme të fashës së vaksinimit. Kjo është koha më e mirë për të intensifikuar këtë proces jetik dhe ne jemi të vendosur ta bëjmë këtë gjatë gjithë sezonit të verës e më tej, për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe për t’i dhënë padyshim frymëmarrje ekonomisë dhe turizmit. Jemi të vendosur të vijojmë të palëkundur drejt objektivit për vaksinimin e çdo qytetari”, tha Manastirliu. Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se vendi hyn në javën e 9, ku vijon rënia e qëndrueshme e rasteve të reja me Covid-19.

 

“Lajmi i mirë është se Shqipëria hyn në javën e 9, ku vijon rënia e qëndrueshme e rasteve të reja me Covid dhe sot kemi më pak se 170 raste aktive në të gjithë vendin. Edhe në dy javët e fundit kemi një rënie të ndjeshme të indikatorëve matës siç është incidenca dy javore, që është 5 raste/100,000 banorë ndërsa shtrimet në spitale zënë vetëm 5% të kapaciteteve tona. E krahasuar edhe me vendet e rajonit dhe me Europën, jo vetëm që kemi dalë nga zona e riskut të moderuar, por aktualisht, sipas të gjithë vlerësimeve ndërkombëtare, Shqipëria konsiderohet si një zonë me risk të ulët të përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga Sars-Cov2”, tha Manastirliu./Burimi: A2CNN


Më të lexuarat