Shendetesi per te gjithe, nis projekti me fond 10 milione euro
Nis projekti “Shëndetësi për të gjithë”, i financuar nga Zvicra me një fond prej 10 milionë euro. Projekti fokusohet në zonën e Dibrës dhe Fierit dhe do të synojë të bëjë kujdesin shëndetësor parësor më të përballueshëm dhe efikas, veçanërisht për grupet e margjinalizuara.
Në fjalën e tij ambasadori zviceran, Christoph Graf, theksoi se : “Ne fillojmë një bashkëpunim të ri për të forcuar sistemin shëndetësor shqiptar dhe për të përmirësuar cilësinë dhe aksesin në shërbimet shëndetësore në Shqipëri. Nuk është rastësi që ne po e fillojmë këtë projekt në Peshkopi”. “Shërbimet e Kujdesit Shëndetësor Parësor duhet të forcohen në të gjithë Shqipërinë – edhe në zonat rurale, për t’iu përgjigjur nevojave të popullatës. Programi do të mbështesë, në nivel kombëtar dhe rajonal, në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, në menaxhimin dhe decentralizimin si edhe përfshirjen e qytetarëve si aktorë përmes veprimtarive promovuese të shëndetit. Qytetarët duhet të rrisin ndërgjegjësimin e tyre shëndetësor për të parandaluar sëmundjet, në vend që ti trajtojnë ato”, vijoi ambasadori Graf.
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj theksoi se gjatë dy viteve të fundit qeveria i ka dhënë përparësi përmirësimit dhe ristrukturimit të sistemit të shëndetit parësor dhe se projekti i përbashkët me Ambasadën e Zvicrës vjen në momentin e duhur. Përmes këtij projekti të ri do të investohen rreth 10 milionë euro për katër vitet e ardhshme për përmirësimin e kujdesit shëndetësor parësor, rritjen e kapaciteteve profesionale të punonjësve të shëndetësisë, për prezantimin e modeleve të shërbimeve shëndetësore të decentralizuara, për të nxitur ndërgjegjësimin shëndetësor të qytetarëve dhe për të trajtuar korrupsionin në sektorin e shëndetësisë.
Një projekt i mëparshëm Zviceran për edukimin mjekësor në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë, shërben si pikënisje për projektin e ri. Në varësi nga rezultatet që do të arrihen në Dibër dhe Fier, projekti do të synojë të përsëris praktikat më të mira në zona të tjera në Shqipëri. Sipas Menaxherit të Projektit, Joao Costa, “Shëndetësi për të Gjithë” do të sjellë ekspertizë dhe do të ofrojë trajnim në fushën e menaxhimit shëndetësor me qëllim përmirësimin e efikasitetit të klinikave të shëndetit parësor dhe qendrave shëndetësore.
Menaxherë me kualifikim më të mirë do të jenë në gjendje të optimizojnë përdorimin e burimeve njerëzore, materiale e financiare të disponueshme, duke siguruar kështu një mbulim më të madh të nevojave shëndetësore të popullatës së cilës ata i shërbejnë. Zvicra, përmes kësaj ndërhyrje dhe kontributi, është pozicionuar si një nga donatorët të rëndësishëm që mbështesin sistemin shëndetësor në vend.