Rregullat e reja te ndertimit, siperfaqja minimale e baneses sipas normave te BE-se
Vendosen standarde europiane të detyrueshme në projektimin e banesave. Me një vendim të miratuar nga qeveria, me propozim të Ministrisë së Zhvillimit Urban, është vendosur që sipërfaqja minimale e banimit për një person të jetë 43.93 m2 dhe për një çift pa fëmijë, 56.47 m2.
Vendimi normon sipërfaqe më të mëdha banimi për personat me aftësi të kufizuara. Kështu, për një person të tillë sipërfaqja minimale e banimit duhet të jetë 53.7 m2. Normativë e projektimit të banesave është niveli minimal i pranuar i komoditetit të zhvillimit të aktiviteteve jetësore të njerëzve. Sipërfaqe e banimit është hapësira ku zhvillohen aktivitetet e pushimit aktiv dhe pasiv. Kjo sipërfaqe përfshin dhomën (dhomat) e fjetjes dhe të ndenjes.
Hapësirat
Elementët e një objekti banimi, sipas vendimit, janë: Hapësira e banesës, bodrumet, shkallët, sheshpushimet, ashensorët, mbulesat, stacionet e pompimit dhe depozitat e ujit komunal, kabina elektrike. Ndërkaq, banesa duhet të përfshijë detyrimisht disa ambiente kryesore. Hapësira e hyrjes, që ka funksion të lidhë midis tyre ambientet e ndryshme të banesës, t’i bëjë ato të pavarura nga njëra-tjetra dhe t’i sigurojë secilit intimitetin e nevojshëm.
Hapësira e ndenjes, nga pikëpamja funksionale është hapësira kryesore në banesë, sepse aty mblidhen së bashku të gjithë pjesëtarët e familjes. Hapësira e kuzhinës, që është vendi kryesor i banorit për punët shtëpiake. Madhësia e kuzhinës varet, jo vetëm nga përmasat e mobilieve, por edhe nga sipërfaqja e lirë e nevojshme për përdorimin e tyre, si dhe krijimin e kushteve normale të banorit. Ndërsa hapësira e fjetjes ka rëndësi të madhe, pasi në të kryhet aktiviteti jetësor më i rëndësishëm, që është fjetja. Sipërfaqja e tyre varet nga numri i personave që flenë në to. Hapësira higjieno-sanitare shërben për mbajtjen e pastërtisë dhe të higjienës personale të familjes. Sipërfaqja e saj varet nga numri dhe përmasat e pajisjeve, por edhe nga hapësira e duhur për përdorimin e tyre. Në fund vijnë ballkonet, të cilat sipas vendimit, duhet të kenë sipërfaqe minimale 0.6 m2 dhe thellësi minimale 60 cm.
Tipat e banesave
Tipologjitë e banesës klasifikohen në: garsonierë (1 banjë dhe një dhomë); banesa 1+1 (1 banjë, një dhomë ndenje+gatim dhe një dhomë fjetjeje); banesa 2+1 (2 banja, një dhomë ndenje+gatim+ngrënie, dhomë fjetjeje për fëmijë); banesa 3+1 (përfshin minimalisht 2 banja, një dhomë ndenje+gatim+ngrënie, dhomë fjetjeje për çift dhe dy dhoma fjetjeje për fëmijë); banesa dupleks (përfshin zonën e ditës, ku futen banja, dhomë ndenje, hapësirë gatimi, hapësirë gatimi, hapësirë ngrënie dhe zonën e natës, minimalisht një banjë, një dhomë fjetjeje për çift dhe minimalisht një dhomë fjetjeje për fëmijë); banesa mansard (ka të njëjtin zonim si te banesat e para. Karakteristikë është që kjo tipologji banese vendoset gjithmonë në katet e fundit të një objekti banimi dhe mbulesa e saj është e çatia e pjerrët).
Dimensionet dhe kushtet e jetesës
Lartësia minimale e projektimit për katet e banimit (dysheme-tavan), sipas vendimit të qeverisë, është minimalisht 2.70 m kur tavani është i rrafshët. Ndërsa lartësia minimale për katet e zyrave administrative dhe hotelet duhet të jetë minimalisht 3.5 m. Dimensionet minimale të sipërfaqes së hapësirës së ndenjes japin madhësinë e ambientit të ndenjes në varësi të tipit të apartamentit. Për apartamentet 1+1 hapësira e ndenjes duhet të jetë minimalisht 12 m2; për apartamentet 2+1 duhet të jetë 13 m2; si dhe për apartamentet 3+1 hapësira e ndenjes duhet minimalisht 14 m2.
Kur hapësira e ndenjes dhe ngrënies janë bashkë, atëherë duhet që kjo sipërfaqe të jetë minimalisht 13.96 m2. Minimumi i gjerësisë së hapësirës së ndenjes duhet të jetë 3 m. Në rastin kur kërkohet të projektohet hapësirë studimi shtesë e vendosur në banesë, atëherë sipërfaqja e dyshemesë së hapësirës së ndenjes duhet të rritet me të paktën 2 m2, ndërsa kur në këtë sipërfaqe parashikohet të vendoset vatër zjarri (oxhak), atëherë sipërfaqja e dyshemesë së dhomës së ndenjes duhet të shtohet gjithashtu me 2 m2. Hapësira e ndenjes duhet të projektohet dhe të realizohet në mënyrë të tillë që largimi i substancave ndotëse dhe avujve të prodhuar nga personat apo proceset e zhvilluara të realizohet në mënyrë të përshtatshme që të sigurojë shëndetin dhe mirëqenien e banorëve.
Orientimi i hapësirës duhet të plotësojë kushtin që të ketë minimalisht 2 orë diell në 24 orë. Ndriçimi i hapësirës së ndenjes duhet të garantohet natyral. Sipas vendimit të qeverisë, madhësia e dritareve nga e cila futet drita natyrale duhet të jetë minimalisht 1/5 e sipërfaqes së shfrytëzueshme të kthinës së ditës. Në mënyrë të hollësishme, vendimi përcakton gjerësinë e shkallëve, ashensorët, daljen dhe mënyrën e largimit të banorëve në rast emergjence, materialet e ndërtimit që përballojnë zjarret, tipat e tarracave, duke rekomanduar sipas rastit, nga panelet diellore deri te lulishtet panoramike mbi çati.
Hapësira të veçanta për personat PAK
Projektimi i hapësirave të lëvizjes, ndenjes, distancat, përmasat etj. lidhur me plotësimin e kushteve normale për personat me aftësi të kufizuara, duhet të bëhet sipas dispozitave ligjore “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuara”. Për personat e verbër, hapësirë shtesë duhet planifikuar për pajisjet e leximit apo regjistrimit. Librat “Braile” dhe gazetat respektive janë tri herë më voluminoze se respektivët e printuar. Ndërkaq, vendosen detyrime për projektimin e hapësirës së gatimit në ndërtimet e reja dhe ato që i nënshtrohen rikonstruksionit total. Gjithashtu, paraqiten rekomandimet për hapësirat minimale të nevojshme për pozicionimin, instalimin, përdorimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve të shërbimit në ambientin e gatimit. Ndërsa standardet që mbulojnë nevojat e personave me aftësi të kufizuara për hapësirat e gatimit zbatohen vetëm për objekte njëfamiljare dhe shumëfamiljare (shtëpi të vogla apo vila)./Gazeta Shqip