Secondary Adv

Ministria e Financave shlyen 16 miliarde leke detyrime te prapambetura

Ministria e Financave njofton se ka shlyer më shumë se 16 miliardë lekë detyrime të prapambetura për periudhën janar- korrik 2015.Në kuadër të strategjisë, deri më datë 16 korrik 2015, Ministria e Financave ka alokuar në total rreth 16.36 miliardë lekë detyrime të prapambetura në disa kategori, si investimet publike, shpenzimeve për mallra dhe shërbime, rimbursim TVSH-je dhe Tatim Fitimi e të tjerë.


Procesi i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura u parashikua të realizohet për një periudhë 3-vjeçare (2014-2016) dhe fondet e alokuara u planifikuan me një vlerë më të madhe për vitin e parë (35 miliardë lekë) dhe duke vijuar me dy vitet në vazhdim respektivisht 20 miliardë lekë në vitin 2015 dhe 17,5 miliardë lekë për vitin 2016.


Duke e parë si shqetësuese gjendjen e paraqitur të borxhit të akumuluar, Ministria e Financave vendosi që në muajin Dhjetor 2013 me buxhetin e këtij viti, të shlyejë rreth 4.9 miliardë lekë detyrime të prapambetura. Këto detyrime ishin kryesisht për investimet publike që ishin kryer gjatë viteve të kaluara, rreth 3 miliardë lekë dhe për pagesat e vonuara të paaftësisë dhe të ndihmës ekonomike, të cilat kanë një ndikim drejtpërdrejtë në shtresat më të pambrojtura të shoqërisë, që ishin rreth 1.9 miliardë lekë.


Për vitin 2014, vetëm gjatë periudhës mars-qershor u paguan rreth 26 miliardë lekë ose 75% e fondit total të parashikuar për këtë vit. Përshpejtimi i shlyerjes së pagesave u krye në mënyrë që bizneseve t’u sigurohej likuiditeti i munguar, i cili do të siguronte vazhdimin e mëtejshëm të aktivitetit të tyre ekonomik. Shlyerja e këtyre detyrimeve në një kohë të shpejtë ndikoi edhe në rritjen e besimit tyre ndaj Qeverisë.


Procesi i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura u pezullua në muajin korrik 2014 për arsye të auditimit, nga një kompani audituese ndërkombëtare, të pagesave të realizuara deri në atë moment.Procesi i pagesave rifilloi në muajin nëntor dhe brenda 2 muajve u arrit të realizoheshin pagesat në rreth 34 miliardë lekë, duke realizuar në këtë mënyrë 99% të fondit të planifikuar për vitin 2014.


Më të lexuarat