Secondary Adv

Fasonerite ne veshtiresi: Mungon fuqia punetore, kerkesa per qeverine

Situata në sektorin e fasonerisë është përmirësuar krahasuar me vitin e kaluar ku i gjithë vendi u fut në karantinë dhe ky sektor ishte ndër më të goditurit nga pandemia.

 

Edhe pse gjendja financiare e këtyre bizneseve tashmë është drejt rikuperimit, ata po përballen me një problem madhor që është mungesa e fuqisë punëtore, për këtë arsye po i drejtohen tregut të huaj. Nëse gjatë vitit të kaluar manifaktura kërkonte mbështetje financiare me grante e garanci sovrane, këtë vit ndihma që kërkojnë nga shteti është të lehtësojë procedurat për të marrë punëtorë nga jashtë. “Forcat e reja të punës mungojnë të të gjitha proceseve që ne kryejmë këtu brenda, edhe një sanitare është tejet e vështirë për ta gjetur. Tani që ne kemi nevojë që ta shtojmë fuqinë punëtore sepse shtohet puna kjo fuqi mungon.

 

Le të shpresojmë që edhe praktika e marrjes së punëtorëve nga vende që janë të gatshme të na ofrojnë punëtor. Qeveria ka në plan të lehtësojë procedurat e marrjes së punëtorëve dhe ne shpresojmë të marrin krah pune nga jashtë”, shprehet përfaqësuesi i një biznesi fason Elton Koçi. Përfaqësuesi i një biznesi fason në kryeqytet Elton Koçi thotë për Report TV që mungesa e punonjësve po kthehet në një problem serioz, ndërsa shton se ky fenomen nuk lidhet me pagat por me mungesën e interesit. “Ka një tendencë që e ndjejmë që gjithmonë e më shumë mungojnë profesionistë ose figura të cilat duan të futen në këtë sektor.

 

Edhe pse më parë ka pasur shumë punonjës që ofroheshin për të kryer këtë punë tanimë sikur janë gjithmonë e më pak të rinj e të reja që kërkojnë të punojnë në fasoneri. Pjesa më e madhe preferojnë të rrinë në shpi dhe të mos punojnë, ose mbahen me remitancat që vijnë nga jashtë. Nuk është se kemi një standard të lartë pagash sepse i tillë është vendi, kjo është ekonomi e shkallës prandaj edhe kjo është arsyeja sepse klientët vijnë dhe kërkojnë punë të tilla të zhvillohen këtu sepse janë kostot të ulta, por pagat po rriten dita ditës”, pohon Koçi.

 

Nga ana tjetër pozitiv është fakti që janë aktivizuar kontratat e punës të pezulluara gjatë vitit të kaluar, dhe puna sipas Koçit po kap nivelet e 2019. “Ka rifilluar puna në normalitet, me veshjet e punës ku ne jemi të specializuar dhe veshjet sportive. Janë riaktivizuar po të njëjtat kontrata që ne kishim, ose po e njëjta pjesë e Evropës që na sillte punë, ka rifilluar gradualisht puna. Kemi po të njëjtët klient dhe pse jo kanë ardhur edhe të tjerë. Pothuajse po arrijmë nivelet e vitit 2019 dhe shpresojmë ti kalojmë ato”, pohon ai. Në 6 muajit e parë të këtij viti vendi ka eksportuar 65 milionë euro më shumë se vitin e kaluar tekstile dhe këpucë./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat