Nuk ka me pengesa ne kufi: BE njeh Certifikaten e Vaksinimit te Shqiperise
Duke nisur nga dita e sotme Bashkimi Evropian njeh Certifikatat e Vaksinimit kundër COVID-19 të lëshuar nga Shqipëria.
Një deklaratë e cila ishte paralajmëruar disa ditë më parë edhe nga kryeministri Edi Rama. Një vendim i cili ndikon drejtpërdrejt në heqjen e pengesave të shqiptarëve për të udhëtuar drejt vendeve të BE pa oatur nevojën e një testi anti-COVID. Së bashku me njohjen e Certifikatës së lëshuara nga autoritetet shëndetësore shqiptare njihet edhe ajo nga Andorra, Ishujt Faroe, Izraeli, Monako, Marok dhe Panama. Vendimi i Komisionit Evropian i konsideron Pasaportat e vaksinimit në këto vende me vlerë të njëjtë me Green Passport të lëshuar nga autoritetet evropiane.
Për pasojë të shtatë vendet dhe territoret do të lidhen me sistemin e BE dhe certifikatat COVID që ata lëshojnë do të pranohen në BE nën të njëjtat kushte si Certifikatat dixhitale të BE për COVID. Në të njëjtën kohë edhe vendet dhe territoret kanë rënë dakord të pranojnë Certifikatën dixhitale COVID të BE për udhëtime nga BE në vendet e tyre. Komisioneri për Drejtësinë, Didier Reynders, tha se gjatë kësaj vere qytetarët kanë qënë në gjendje të udhëtojnë të sigurt falë Certifikatës dixhitale COVID.
Deri tani 27 vendet anëtare të BE-së janë pjesë e Green Passport po ashtu edhe 15 vende jo anëtare të unionit. Pasaporta e vaksinimit është e vlefshme për të gjitha vaksinat e njohura nga Agjencia Evropiane e Barnave. Në Shqipëri miratimin e EMA-s e kanë dy vaksina ajo e Astrazenneca dhe Pfizer./Burimi: Shqiptarja.com