Secondary Adv

ARRSH: Gjobe per kompanite qe nuk heqin reklamat dhe logot nga segmentet rrugore

Brenda datës 9 tetor, kompanitë që kanë zbatuar punime në segmente rrugore që administrohen nga ARRSH duhet të heqin reklamat dhe logot e paautorizuara.

 

Brenda datës 9 tetor, të gjitha kompanitë që kanë zbatuar punime në segmente rrugore që administrohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar duhet të marrin masa për eleminimin e reklamave apo logove të paautorizuara në rrugë apo vepra arti, sikurse janë urat, mbikalimet, nënkalimet, muret, etj. Urdhri është firmosur nga kreu i Autoriteti Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, në datën 10 shtator, teksa iu le kompanive 1 muaj kohë për zbatimin e tij. Në dokumentin që TV SCAN e disponon, saktësohet se në rast të ekzistencës së reklamave apo logove në objekte të përfunduara të cilat nuk kanë kaluar në fazën e mirëmbajtjes me kontraktim, janë kontraktorët që duhet të marrin masa që me shpenzimet e tyre të fshijnë reklamat në fjalë.

 

Ndërkohë që, kur objektet janë në kontrata mirëmbajtjeje, kjo detyrë iu komunikohet kontraktorëve të mirëmbajtjes. Gjithashtu, objekt i urdhrit janë edhe kompanitë, që kanë në vijim kontrata për zbatim punimesh, të cilëve do iu bëhet me dije vendimi, me qëllim që të mos aplikojnë shënimin e reklamave apo logove të tilla gjatë punimeve. Ndërkaq, në rast se kompanitë nuk ndërmarrin masa për eleminimin e reklamave, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të ndërmarrë dhe penalizimet përkatëse.

 

Urdhri i kreut të ARRSH-së bazohet në Kodin Rrugor, që parashikon se përgjatë rrugëve dhe në vende të dukshme nga mjetet që kalojnë në rrugë, është e ndaluar të vendosen shenja, parulla, impiante reklamimi etj., që për nga përmasat, forma, ngjyrat, pamja dhe vendndodhja mund të shkaktojnë konfuzion me sinjalizimin rrugor ose ta bëjnë të vështirë kuptimin, dallimin apo efikasitetin e tij, si dhe të shkaktojnë shqetësime pamore a të tërheqin vëmendjen e përdoruesve të rrugës me pasojë rrezikimin e sigurisë së qarkullimit.

 

Po ashtu, në Kod përcaktohet se çdokush që shkel këtë dispozitë dënohet me gjobë nga 100 mijë deri në 400 mijë lekë dhe zbatohen masat plotësuese administrative që e detyrojnë autorin e shkeljes të heqë, me shpenzimet e tij, të gjitha veprat, tabelat, parullat dhe çdo tip impianti e formë reklame./Burimi: Scan TV


Më të lexuarat