Secondary Adv

Impianti eolik ne Dropull: Kompanite dorezojne aplikim te perbashket per 20MW

Tre kompani kanë paraqitur një aplikim të përbashkët në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për një impiant eolik në Bashkinë e Dropullit, Gjirokastër.

 

Ministria bëri të ditur se aplikimi është bërë në bazë të nenit 15 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 822, datë 7.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni. “Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “EU GREEN ENERGY” sh.p.k., “A.91” sh.p.k. dhe “WINPHARMA” sh.p.k. ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë se Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti eolik për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme, me kapacitet 20 MW, i cili nuk përfiton nga masat mbështetëse, në Njësinë Administrative Jorgucat, Bashkia Dropull, Qarku Gjirokastër” thuhet në njoftimin e MIE.

 

Ky nuk është aplikimi i parë për impiante eolike në vend. Nga ana e kompanive të ndryshme ka pasur aplikime për impiante të tjera me kapacitet deri në 3 MË apo edhe më të mëdha. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nga ana tjetër në qershor të këtij viti shpalli ankandin për ndërtimin e parqeve eolike si një fazë e re pas disa ankandeve për energjinë fotovoltaike.

 

Gjatë shpalljes së ankandit vetëm pak muaj më parë Ministria e Infrastrukturës nënvizoi se  ankandi do u japë mundësi prodhuesve që të japin ide për të ndërtuar impiante me kapacitetit 10 MW dhe 75 MW në fillim çmimi i parafiksuar do të orientohet për 100 MW në total që do blihen nga Shqipëria. Çmimi 75 euro për MWh do të jetë tavani që të ofertojnë çmimin më të ulët. Do të ketë dy faza vlerësimi.

 

“Në fazën e parë që zgjat 12 muaj do verifikojmë dhe vlerësojmë gjithë argumentet nga jo për eksperiencën teknike dhe burimet financiare ashtu edhe pozitën ligjore të kompanive. Në fazën e dytë do të kemi mundësi të vlerësojmë ofertat financiare. Ndryshe nga herët e tjera në një bashkëpunim me SECO ne kemi zhvilluar një studim që sot do vendoset në dispozicion të kompanive dhe që do të duan të marrin pjesë në ankand.

 

Ky studim jep zonat e mbrojtura ku nuk mund të ndërtohet, zonat me prodhimin më të lartë eolik që zënë 20 për qind e territorit duke i dhënë mundësi përzgjedhjeje. Këto territore të shfrytëzueshme dhe nisin mbi 150 metra mbi nivelin e detit” do të nënvizonte ministria gjatë fazës së çeljes së ankandit./Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/park-eolik-ne-dropull-tre-kompani-dorezojne-aplikim-te-perbashket-per-20mw/)

 


Më të lexuarat