Buxheti i vitit 2022 parashikon 250 mln leke per bizneset e reja
Ministrja e Financave deklaroi sot se në buxhetin e vitit 2022 janë parashikuar 250 milionë lekë të cilat do të shkojnë në mbështetje të startupe-ve.
Në prezantimin e buxhetit 2022 për biznesin e vogël, Ibrahimaj u shpreh se biznesi i vogël ka qenë në fokus që prej viti 2013, dhe janë ndërmarrë disa nisma qoftë në lehtësitë fiskale, apo edhe të procedurave. Ibrahimaj theksoi se për 8 vite, numri i bizneseve të vogla u rrit me 155 % duke u shtuar me 67174 biznese.
“Këto shifra tregojnë se ne kemi përmirësuar klimën e biznesit duke e konsideruar biznesin e vogël një potencial jo vetëm në zhvillimin ekonomik të vendit, por dhe potencial në ndërkombëtarizimin e produkteve shqiptare”, tha ajo.
Në vijim, Ibrahimi tha se ne kemi menduar ta mbështesim biznesin jo vetëm nëpërmjet politikave fiskale, duke theksuar se gjatë vitit të kaluar u vu re se biznesi i vogël kishte mundësi për më shumë. “Ne mbështetëm biznesin e vogël me pagat e luftës.
Po ashtu, në takimet me biznesin ne kuptuam se kishte nevojë për një lehtësim fiskal ekstra dhe morëm vendimin që të gjitha bizneset që kishin xhiro 10 milionë lekë të përjashtoheshin nga TVSH dhe të gjithë bizneset deri 14 milionë lekë të përjashtoheshin nga tatimfitimi.
Janë miliarda lekë në fakt që paguheshin nga biznesi i vogël që tashmë nuk janë më në buxhetin e qeverisë, por në buxhetin e biznesit. Gjatë viteve 2005-2018 janë 19 miliardë lekë që janë paguar nga biznesi i vogël për taksa dhe tatime.
Ne që në vitin 2014, e reduktuam normën e tatimfitimit me qëllim që këto taksa të mos shkonin në buxhet, por këto taksa të mbaheshin nga biznesi me qëllim nxitjen e biznesit. Me fillimin e pandemisë, morëm një hap tjetër me lehtësimin final të bizneseve nga taksat dhe tatimet.
Po ashtu, kemi lehtësuar procedurat e biznesit, me qëllim që biznesi të ketë sa më pak kontakt me administratën. Kemi lehtësuar të gjitha deklarimet që bëhen pranë administratës tatimore”, vijoi Ibrahimaj.
Ibrahimaj tha se biznesi është mbështetur me fonde të ndryshme. “Në buxhetin e vitit 2022 janë parashikuar 250 milionë lekë të cilat do të shkojnë në mbështetje të startup-eve dhe do të shkojnë në zhvillim të ideve të biznesit.
Kjo është mbështetja që qeveria shqiptare ka parashikuar në buxhet, por ndërkohë janë një sërë donatorësh ndërkombëtarë të cilët mbështesin biznesin e vogël dhe iniciativën e lirë të biznesit”, tha ajo.
Ibrahimaj u ndal edhe te programet e nxitjes së punësimit, ku buxheti i 2022 do të vazhdojë të nxisë punësimin. “Janë shtatë programe me të cilët synohet të nxiten rreth 5 mijë individë që do të zhvillojnë aftësimin e tyre me idenë se do të hapin bizneset e tyre.
Gjatë gjithë qeverisjes AIDA i ka ardhur në ndihmë startup-eve, dhe për vitin e ardhshëm kemi menduar që pranë AIDA të hapet një sektor i veçantë i cili do të merret më trajnimin e bizneseve duke menduar dhe programet e suksesshme që kanë pasur donatorët ndërkombëtarë.
Me mbështetjen e BE, do kemi një fond të veçantë për garancinë rinore, nëpërmjet të cilit do t’i bëjmë një premtim çdo të riu deri 29 vjeç i cili brenda katër muajsh ose do të mbështetet nga një program punësimi, ose nga një program formimi apo arsimimi”, tha Ibrahimaj./Burimi: Balkanweb