Nisin punimet per rrjetin e shperndarjes se energjise elektrike ne Tirane
Rrjeti shpërndarës i energjisë elektrike nga zona e Selitës, deri në Rrugën e Kavajës në Tiranë do të zëvendësohet me një rrjet të ri të shpërndarjes për të përmirësuar cilësinë e furnizimit me energji për 15 mijë konsumatorë. Punimet e saponisur në shtator, do të përfundojnë për 3 muaj.
Me një investim rreth 550 mijë usd do të rindërtohet rrjeti shpërndares nga Selita, deri në zonën pranë shkollës “Vasil Shanto”, për të vijuar më tej me rrugën e Kavajës. Kjo zonë ka një konsum të lartë të energjisë dhe për shkak të rrjetit të amortizuar, vuan nga defektet e shumta, sidomos në sezonin e dimrit.Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe administratori i Përgjithshëm i OSHEE-së Adrian Çela inspektuan sot një zonë të qytetit të Tiranës, ku sot nisi investimi për ndërtimin e rrjetit të ri të shpërndarjes.
Ministri Gjiknuri deklaroi se këto investime janë në përputhje me vizionin e qeverisë, ku rikthimi i ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike, rritja e arkëtimeve, të shoqërohen me përmirësim të cilësisë së furnizimit.
“Investimet këtë vit po vazhdojnë në gjithë Shqipërinë dhe është një fond gati 5 miliard lekë, afërsisht 50 milion dollarë, të cilat po investohen nga korporata për përmirësimin e infrastrukturës energjetike në shpërndarje. Mesazhi është shumë i thjeshtë, shumë i qartë dhe besoj i kuptueshëm për të gjithë qytetarët. Kontributi i tyre, pagesat që janë shtuar, ulja e humbjeve po përkthehet ne investime dhe sjell siguri më të madhe për sistemin tonë energjetik, tarifa më të qëndrueshme të energjisë elektrike dhe e bën vendin më të sigurtë nga pikëpamja energjetike. Këto politika po përkthehen gjithmonë në dobi të qytetarëve”, tha ministri.
Administratori i OSHEE-së, Çela deklaroi se kompania po i kushton vëmendje edhe zonave që janë të rregullta me pagesat e energjisë, por kërkojnë një cilësi më të mirë furnizimi duke shmangur defektet. “Investimet vetëm për Tiranën qytet, këtë vit parashikohen të arrijnë në 240 milion lekë. Synojmë vendosjen e një rrjeti të ri dhe kthimin e linjave 6/10 kV në 20kV, me linja moderne dhe cilësore, kabina, transformatorë të rinj”.
Sipas tij, aktualisht po ndërtohet në zonat rreth Rruga Ura -Shkozë, “Don Bosko” dhe “Siri Kodra”. Këto ditë pritet të nisë një tjetër investim i rëndësishëm në Qytetin Studenti, ku pas 10 vitesh do të vendosen transformatorë të rinj dhe pajisje moderne për kabinat, tha Cela. Investime të tjera janë bërë në nënstacion pas Hotel Tiranës me një investim prej 200 milionë lekë, si dhe të tjera në në pjesën rurale të qytetit.“OSHEE nuk ka objektiv të saj vetëm uljen e humbjeve jo teknike, apo mënjanimin e vjedhjeve, por ka edhe ofrimin e shërbimit të furnizimit cilësor të qytetarëve dhe të atyre që paguajnë korrekt energjinë elektrike ”, theksoi Çela.