Secondary Adv

OKB ul parashikimin per rritjen ekonomike globale per vitin 2022

Kombet e Bashkuara ulën ndjeshëm parashikimin për rritjen ekonomike botërore këtë vit nga 4% në 3.1%.

 

Parashikimi i mesit të 2022 nga Departamenti i Çështjeve Ekonomike dhe Sociale të OKB tha se ulja e perspektivave të rritjes ekonomike është me bazë të gjerë, duke përfshirë ekonomitë më të mëdha në botë – Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe më së shumti BE, si dhe shumicën e vendeve të tjera të zhvilluara dhe ato në zhvillim.

 

Raporti i Situatës dhe Perspektivave Ekonomike Botërore paralajmëroi gjithashtu se parashikimi aktual prej 3.1% “përballet me rreziqe të konsiderueshme negative nga intensifikimi i mëtejshëm i luftës në Ukrainë dhe nga mundësia për të pasur valë të reja të pandemisë”.

 

“Ky ngadalësim ekonomik dhe lufta në Ukrainë, të cilat kanë shkaktuar rritje të konsiderueshme në çmimet e ushqimeve dhe të plehrave bujqësore, do të godasin veçanërisht vendet në zhvillim, duke përkeqësuar pasigurinë ushqimore dhe duke shtuar varfërinë,” thuhet në raport.

 

Sipas parashikimit të OKB, inflacioni global parashikohet të rritet në 6.7% për vitin 2022, dyfishi i mesatares prej 2.9% gjatë periudhës së viteve 2010-2020, me një rritje të madhe të çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë.

 

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres, tha: “Lufta në Ukrainë, në të gjitha dimensionet e saj, po vë në lëvizje një krizë që po shkatërron gjithashtu tregjet globale të energjisë, duke dëmtuar sistemet financiare dhe duke përkeqësuar dobësitë ekstreme për botën në zhvillim”.

 

Ai kërkoi “masa të shpejta dhe vendimtare” për të siguruar një rrjedhë të qëndrueshme të furnizimeve me ushqime dhe me energji në tregjet e hapura, duke thënë se kjo kërkon heqjen e kufizimeve të eksportit, shpërndarjen e tepricave dhe të rezervave për vendet në nevojë, si dhe adresimin e ҫështjes së rritjes të çmimeve të ushqimeve “për të reduktuar paqëndrueshmëritë në treg.”

 

Raporti prej 26 faqesh thotë se lufta në Ukrainë jo vetëm që po sjell kosto të rënda për ekonominë e saj dhe të Rusisë, por po ndikon gjithashtu edhe në ekonomitë e vendeve fqinje në Azinë Qendrore dhe në Europë.

 

Ekonomia e BE, e cila në 2020 importoi 57.5% të konsumit të saj të energjisë nga Rusia dhe është më e goditura drejtpërdrejt nga ndërprerjet e furnizimeve me energji nga Rusia, tani pritet të rritet me vetëm 2.7% për këtë vit, më pak se parashikimi i janarit prej 3.9%, sipas raportit.

 

Ekonomia e SHBA pritet të rritet me 2.6% në 2022 dhe me 1.8% në 2023, një rënie e ndjeshme në krahasim me parashikimin e janarit, thuhet në raport, duke theksuar si probematike inflacionin e lartë, masat shtrënguese të politikave monetare nga Rezerva Federale e SHBA dhe kostot e drejtpërdrejta të luftës në Ukrainë.

 

Për Kinën, OKB tha se ekonomia e saj parashikohet të rritet me 4.5% këtë vit, nga 8.1% në 2021. Organizata përmendi izolimet në qytetet e mëdha për të frenuar përhapjen e valës Omicron të pandemisë COVID-19 në tremujorin e parë të këtij viti.

 

“Ngadalësimi në aktivitetet ekonomike që erdhi si pasojë e këtyre masave, kontribuoi në zgjatjen e problemeve të zinxhirëve të furnizimit, duke ndikuar negativisht në vendet e tjera në zhvillim përmes rrugëve tregtare,” thuhet në raport.

 

“Përveç kësaj, rritja e çmimeve të mallrave kontribuoi në shtimin e kostove të prodhimit në të gjithë rajonin, duke ndikuar negativisht eksportet.” Si grup, OKB tha se ekonomitë e vendeve në zhvillim parashikohet të rriten me 4.1% këtë vit, nga 6.7% në vitin 2021./Burimi: Abc News


Më të lexuarat