Kriza e cmimeve, gati gjysma e popullsise shqiptare ne rrezik varferie
Pothuajse gjysma e popullsisë në vendin tonë është në rrezik varfërie apo përjashtimi social, thuhet në një publikim të Eurostat.
Më saktësisht, sipas Eurostat, 46.2% e popullsisë shqiptare është në rrezik varfërie apo përjashtimi social. Por, çfarë do të thotë varfëri dhe përjashtim social?
Ndërkohë që të ardhurat janë një element thelbësor në standardet e jetesës, aspekte të tjera mund t`i kufizojnë njerëzit të marrin pjesë plotësisht në shoqëri, si mungesa e aksesit në tregun e punës apo privimi material.
Kështu, indikatori i “rrezikut të varfërisë dhe përjashtimit social” mat numrin e njerëzve të prekur nga të paktën një prej tre formave: varfëri në të ardhura, privim i rëndë material dhe privim social, apo intensitet mjaft i ulët pune.
Me një normë pranë 46.2% të popullsisë në rrezik varfërie, Shqipëria mban vendin e parë në Europë. Norma për Shqipërinë është më e lartë edhe se në të gjitha vendet kandidate, ku përfshihen: Turqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.
Ndërkohë, mesatarja e BE për popullsinë në rrezik varfërie fiksohet pranë 21.5%. Çekia ndërkohë raporton normën më të ulët të këtij treguesi mes vendeve europiane, pranë vetëm 11.5%.
Ndërkohë, të dhënat për Shqipërinë nga Eurostat, sipas llojit të familjeve tregojnë edhe një anë tjetër të medaljes.
Bazuar në shpërndarjen e popullsisë sipas të ardhurave, rreziku për të qenë i varfër në kuintilen e parë fiksohet në 100%, në 62% në kuintilen e dytë, në 41% në të tretën, 23.7% në të katërtën dhe 4.2% në të pestën.
Nga ana tjetër, 70% e femrave që jetojnë vetëm në Shqipëri janë në rrezik varfërie apo përjashtimi social, 68.7% e të rriturve që jetojnë vetëm me një fëmijë, 63.7% e të rriturve që jetojnë vetëm, 49.5% e të rriturve që jetojnë me një të rritur tjetër, apo 68.8% e të rriturve mbi 65 vjeç që jetojnë vetëm.
Përvec kësaj të fundit, ku Bullgaria dhe Estonia raportojnë shifra disi më të larta, në të gjithë treguesit e lartpërmendur, Shqipëria regjistron rezultatin më negativ në Europë.
Këto shifra nga Eurostat i referohen vitit 2020. Por, pavarësisht faktit se ka qenë vit pandemie, pjesa dërrmuese e treguesve për vendin tonë janë përmirësuar./Burimi: SCAN