Secondary Adv

Mbi 32 per qind te vetepunesuar, qeveria do taksoje ata qe japin sherbime

Rreth 32% e të punësuarve në Shqipëri, nuk paguajnë taksa, sepse janë të regjistruar si të vetëpunësuar.

 

Pavarësisht se gjenerojnë të ardhura, ata nuk janë pjesë e taksës progresive.

 

Në total sipas të dhënave të fundit të INSTAT, janë 399.363 qytetarë që mbajnë statusin të vetëpunësuar, kryesisht të përqendruar në sektorin e bujqësisë, ndjekur nga tregtia me shumicë e pakicë, akomodim dhe shërbim ushqimor, për të vijuar me industrinë përpunuese dhe më pas janë aktivitete të tjera shërbimi.

 

Si pasojë e përfitimeve të gjeneruara, qeveria po bën gati draft-ligjin për taksimin e të vetëpunësuarve që ofrojnë shërbime.

 

Shkak për këtë ndërhyrje në ligj është bërë fakti që kjo kategori ku futen edhe profesionistët e lirë, duke qenë se regjistrohen si subjekte tatimore, dhe trajtohen si biznes i vogël pavarësisht se grumbullojnë të ardhura nuk paguajnë  as tatim mbi fitimin dhe as TVSH, se janë zeruar nga qeveria.

 

Taksimi i të vetëpunësuarve pritet të jetë në mënyrë progresive i ndarë në tre fasha, siç ndodh për të punësuarit e tjerë, ose nëpërmjet një tarife fikse. Një nismë e tillë përshëndetet nga institucionet ndërkombëtare.

 

FMN, thotë se inkurajon barazinë mes tatimpaguesve, pavarësisht llojeve të të ardhurave që fitojnë. “Profesionistët e lirë duhet të tatohen sipas Tatimit mbi të Ardhurat Personale për të rritur drejtësinë në sistemin tatimor”, thotë FMN.

 

Por, ku ndryshon i punësuari nga i vetëpunësuari për të njëjtin profesion?

Nëse një operator-fotograf punësohet në një media, ai paguhet X lekë, mbi bazë të pagës paguan edhe tatimin përkatës.

 

Ndërsa një profesionist i lirë mund ta ofrojë shërbimin e fotografit për një kompani private të marrë një pagesë, por për shkak se është i regjistruar si person fizik në organet tatimore nuk paguan asnjë tatim.

 

Ministria e Financave thotë se ende nuk ka një shifër sesa është numri i profesionistëve të lirë që do të bëhen pjesë e taksimit, por FMN në rekomandimet e dhëna për Shqipërinë për strategjinë e të ardhurave ka evidentuar mbi 8 mijë persona fizik që ofrojnë shërbime

 

(kontabilistë, arkitektë, konsulentë biznesi, programues kompjuterësh, dentistë, inxhinierë, profesionistë mjekësorë dhe avokatë), që realizojnë deri në 1 për qind të GDP dhe paguajnë 0.1 për qind të PBB-së.

 

Praktikisht të ardhurat e tyre janë tepër të mëdha, ndërsa kontributet në taksa janë minimale./Burimi; Shqiptarja.com


Më të lexuarat