Si ndikoi lufta e Ukraines ne ekonomine e Kosoves, nga energjia te ushqimet
Rusia dhe Ukraina janë ndër eksportuesit më të mëdhenj në botë të disa produkteve kryesore bazë, siç janë gruri, misri, gazi, nafta, vaji dhe fertilizuesit.
Kosova është importuese neto e këtyre produkteve dhe zhvillimet në tregjet ndërkombëtare kanë prekur edhe ekonominë e shtetit. Lufta në Ukrainë ka ndikuar në rritje të ndjeshme të çmimeve të produkteve bazë.
Rusia dhe Ukraina janë ndër eksportuesit më të mëdhenj në botë të disa produkteve kryesore bazike sikurse grurit, misrit, gazit, naftës, vajit dhe fertilizuesve, ku së bashku kanë nga 10 deri në 40% pjesëmarrje në eksportin botëror të këtyre produkteve.
Lidhur me ndikimin e kësaj lufte në ekonominë e Kosovës, Instituti GAP ka bërë një analizë.
Sipas kësaj analize, Kosova është neto importuese e energjisë elektrike, naftës, grurit, misrit, vajit, dhe zhvillimet në tregjet ndërkombëtare pasqyrohen drejtpërdrejtë në ekonominë e shtetit.
“Edhe pse Kosova ka një pavarësi energjetike në një shkallë të lartë, vitin e kaluar kishte një rritje të theksuar të importit dhe kërkesës për energji, ku gjithsej kosto e këtij importi ishte rreth 155 milionë euro.
Për më shumë, të dhënat nga Dogana e Kosovës tregojnë se kërkesa për naftë në Kosovë nuk ka ndryshuar dy vitet e fundit, edhe pse kishte rritje të ndjeshme të çmimit. Pra, pavarësisht rritjes së madhe të çmimit të naftës në Kosovë, kërkesa mbetet shumë e lartë.
Po ashtu, ekonomia e vendit tonë ndikohet edhe nga rritja e çmimeve të importit të produkteve ushqimore dhe lëndës së parë”. Lidhur me situatën aktuale, Instituti GAP rekomandon që politikat e qeverisë duhet të jenë të atilla që nuk e stimulojnë kërkesën për këto produkte.
“Në këtë pikë, reduktimi i normave tatimore në të ardhurat personale për të gjithë qytetarët dhe mbështetja e nismave sikurse ajo për tërheqjen e 30% të kursimeve nga Trusti pensional, mund të prodhojnë kundërfekte në ekonomi.
Është e rëndësishme që qeveria me të hyrat e arkëtuara përtej planifikimit, si rezultat i çmimeve të larta, të mbështesë edhe më shumë grupet më të pa mbrojtura të shoqërisë, që rrezikojnë të bien në varfëri, sikurse qytetarët që janë pjesë e Skemës së Ndihmës Sociale, ata që mund të humbin vendet e punës, etj”.
Po ashtu thuhet se subvencionimi në fushën e bujqësisë në Kosovë dhe ulja e normës së akcizës për naftë për bujqit gjatë vitit 2022, dalin të jenë masa adekuate në mbulimin e rrezikut që bujqit të mos rrisin prodhimim e këtyre kulturave këtë vit,
dhe një mbështetje e tillë duhet të bëhet në vazhdimësi deri në normalizimin e çmimeve. Institucionet duhet të konsiderojnë zgjedhjen e strategjive mbrojtëse për energji elektrike këtë vit, marrë parasysh indikacionet për çmime të larta të importit të energjisë elektrike edhe në periudhën afatmesme.
Kush janë kanalet kryesore të ndikimit të luftës Ukrainë-Rusi në ekonominë e Kosovës?
Energjia elektrike
Një ndër kanalet kryesore të ndikimit të luftës Ukrainë-Rusi në ekonominë e Kosovës është përmes energjisë elektrike të importuar.
Përkundër se viteve të fundit, shtetet kanë përparuar në rritjen e kapaciteteve të tyre prodhuese të energjisë elektrike, sikurse nga burimet e ripërtritshme të energjisë, një numër i madh i tyre ende janë të varura sidomos nga gazi dhe qymyri për ngrohje dhe për prodhimin e energjisë elektrike.
Kërkesa për energji elektrike në Kosovë zakonisht mbulohet nga kapacitetet e brendshme në shkallën prej rreth 85 deri 87% nga prodhimi vendor, gjë që ia siguron Kosovës një pavarësi energjetike në shkallë të lartë.
Mirëpo, në vitin 2021, në Kosovë ishin dy zhvillime në fushën e energjisë elektrike me ndikim të madh, një rritje e theksuar e importit në shkallën prej 19% dhe rritje e ndjeshme e kërkesës për energji elektrike për rreth 11.7%.
Importi total prej 1,300 GWh gjatë vitit 2021 kishte një kosto rreth 155 milionë euro, që në masë të madhe ishte ndikuar nga dalja e pa planifikuar nga prodhimi e disa njësive gjeneruese të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Ngjashëm, për energjinë elektrike të importuar nga operatori i sistemit, transmisionit dhe tregut KOSTT për komunat në veri janë shpenzuar rreth 41 milionë euro.
Po ashtu, ndërmarrjet të cilat operojnë me çmime të parregulluara, sikurse Ferronikeli, Sharrcemi dhe Trepça, janë përballur me çmime tejet të larta të importit, gjë që ka shtyer dhe në ndaljen e përkohshme të prodhimit nga ana e tyre (Ferronikeli).
Futja në zbatim e tarifave të reja progresive të energjisë elektrike, që më të drejtë synojnë të nxisin konsumatorët të kursejnë energjinë elektrike, mund ta zbus në një masë nivelin e konsumit tek konsumatorët shtëpiakë.
Gjithësesi, marrë parasysh përvojën nga viti i kaluar është e nevojshme që të gjithë akterët e tregut të energjisë elektrike të diskutojnë mbi mundësinë e aplikimit të strategjive mbrojtëse, sikurse duke hyrë në kontrata që parashohin të drejta të ardhshme (futures ose forëards), për të minimizuar rrezikun.
Ndonëse mënyra e funksionimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë funksionon në principin një ditë para (day ahead), sipas Marrëveshjes për Blerjen e Energjisë të bërë në kohën e privatizimit të distribucionit,
gjetja e një zgjidhjeje të tillë për kontraktimin e energjisë në kohën e pikut gjatë muajve të dimrit, do të mund të mënjanontemundësinë që të përsëriteshin skenarë të tillë të krizës energjetike ku në Kosovë ishin aplikuar edhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Përveç ndikimit ekonomik, reduktimet shkaktuan edhe probleme të mëdha likuiditeti tek akterët e vet energjisë elektrike në treg.
Nafta
Një kanal tjetër i ndikimit të luftës Ukrainë-Rusi në ekonominë e Kosovës është përmes naftës së importuar. Rusia eksporton rreth 12.5% të eksporteve totale në botë të naftës së parafinuar gjatë një viti dhe mbi 9.6% të naftës së rafinuar.
Të dhënat e Doganës së Kosovës për konsumin e naftës dhe benzinës gjatë periudhës janar-mars të viteve 2021 dhe 2022, tregojnë se kërkesa për këto dy produkte në Kosovë nuk ka ndryshuar, ndonëse kemi rritje të ndjeshme të çmimit të tyre.
Edhe pse çmimi i naftës së importuar për njësi gjatë periudhës janar-mars 2022 është rritur për mbi 89%, sasia e importuar ishte për 2.5% më e lartë, ku koeficienti i elasticitetit të kërkesës lidhur me çmimin ishte 0.03.
Ngjashëm dhe tek benzina, koeficienti i elasticitetit ishte 0.1 që tregon se kërkesa është jo-elastike. Pra, pavarësisht rritjes së madhe të çmimit të naftës në Kosovë, kërkesa mbetet shumë e lartë.
Evropa është e varur nga nafta e importuar nga Rusia në shkallën prej 26% dhe vetëm shtete sikurse Gjermania importojnë rreth 34% te naftës së papërpunuar nga Rusia, e cila pas përpunimit shfrytëzohet kryesisht për transport dhe më pak për prodhim të energjisë elektrike.
Produktet ushqimore dhe lënda e parë
Një ndër kanalet tjera kryesore të ndikimit në çmime, për shkak të luftës Ukrainë-Rusi, në ekonominë e Kosovës është ai përmes rritjes së çmimeve të importit të produkteve ushqimore dhe lëndës së parë.
Rusia është eksportuesja më e madhe në botë e grurit me mbi 18% të eksporteve totale vjetore në botë, ndërsa ajo eksporton edhe sasi të larta të elbit me mbi 11.4% pjesëmarrje në tregun botëror.
Ndërkaq, Ukraina po ashtu është eksportuesja kryesore në botë e vajrave të farave me 38.8% të eksporteve totale në botë, si dhe me 14.4% të eksporteve totale të misrit.
Sipas një raporti të FAO, të publikuar në mars të vitit 2022, ndonëse rënia e eksporteve të grurit dhe misrit nga Rusia dhe Ukraina mund të nxisë orientimin për import tek vendet tjera,
sasitë e grurit në stoqe sikurse në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të kufizuara, duke marrë parasysh dhe rënien e rendimentit të grurit në periudhën 2021-2022 në këto vende.
Ngjashëm, sipas këtij raporti, edhe eksportet e Argjentinës do të limitohen nga qeveria nën synimin që ta kontrollojë inflacionin në vend, ndërsa Australia vetëm se i ka arritur limitet e saj të dërgesave në aspektin logjistik.
Në këtë situatë, secili shtet do të jetë më i kujdesshëm dhe mund të vëjë kufizime në eksportin e grurit për tu mbrojtur edhe nga presionet inflacioniste që mund të shkaktoheshin nga mungesa e këtij produkti në tregun e tyre të brendshëm.
Si rrjedhojë, edhe për shkak të pamundësisë së Ukrainës për t’i mbjellur apo korrur produktet sikur misri apo farat e lulediellit, sipas FAO, çmimet e ushqimit gjatë vitit 2022 mund të rriten nga 8 deri në 22%.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/energjia-nafta-gruri-e-vaji-si-ndikoi-lufta-e-ukraines-ne-ekonomine-e-kosoves/