Ulen ndjeshem prurjet ne HEC-in e Fierzes, KESH thirrje konsumatoreve
Rezervat ujore në Hidrocentralin e Fierzës kanë rënë ndjeshëm në 60 metër kub për sekondë, si pasojë e thatësirës së madhe që ka kapluar vendin.
Niveli në liqen ka arritur në 287 metra mbi nivelin e detit nga 289.7 që ishte në muajin qershor. Nga ana tjetër, edhe prurjet kanë pësuar rënie në rreth 90 metër kub ujë për sekondë.
Sipas Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, rritja e temperaturave ka shtuar edhe rritjen e konsumit të energjisë elektrike në vend dhe në bazë të të dhënave të publikuara konstatohet si shpenzim ditor rreth 19 mijë MwH ose 2-3 mijë mwh më shumë se fundi i qershorit.
Një vit më parë e gjithë rezerva energjetike në kaskadën e Drinit, u përdor për muajt e verës me shpresën se do të nisin reshjet, por sezoni dimëror nuk rezultoi i lagësht, duke vënë në vështirësi dhe rritjen e shpenzimeve nga ana e qeverisë për blerjen e energjisë.
Nga Janari deri në muajin Maj, KESH ka shpenzuar 145 milionë euro për importe të energjisë elektrike, thuajse 1 milion euro në ditë. Kësisoj, KESH iu bën thirrje konsumatorëve të përdorin në mënyrë sa më eficente energjinë elektrike./Burimi: Balkanweb