Konfindustria kunder fashes 800 kw, thirrje Kuvendit per seance urgjente
Konfindustria i ka bërë kërkesë Kuvendit të thërrasë në një seancë plenarë urgjente ERE, për të arsyetuar vendimin për fashën e konsumit të energjisë mbi 800 kW.
Po ashtu Konfindustria kërkon që ERE të arsyetojë edhe menaxhimin e sistemit për vitin 2021 dhe 6 muaj e parë të 2022.
‘Konfindustria i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të thërrasë në seancë urgjente dëgjimore ERE, për të arsyetuar vendimin e fundit për fashën e konsumit të energjisë si edhe për problematikat e menaxhimit të sistemit për periudhën e vitit 2021 dhe 6 mujorin e parë të vitit 2022.
ERE është institucion në varësi të drejtpërdrejtë të Kuvendit të Shqipërisë dhe është autoriteti ligjor rregullator i sistemit energjetik.
ERE e ka për detyrim ligjor të shpjegojë publikisht në mënyrë profesionale të hollësishme para Kuvendit të Shqipërisë arsyet financiare, teknike dhe institucionale të sistemit energjitik, që kanë cuar në pranimin e plotë dhe pa asnjë ndryshim nga ana e saj të propozimit të ekzekutivit për rritjen e fortë të çmimit të energjisë elektrike.
ERE duhet të arsyetojë hollësisht lidhur me:- kostot mjaft të larta financiare të menaxhimit të operatorëve publikë KESH, OST, OSHEE, - kostot shtesë të shitje-blerjeve e energjisë elektrike nëpërmjet ndërmjetësve,
- vazhdimin në nivele të larta të humbjeve në sistem me mbi 21% të sasisë së përgjithshme, - zbatimin e kontratave koncesionare të energjisë së prodhuar nga HEC- et private,
-masat e marra nga OSHEE për moslejimin e abuzimit me matjet e konsumit me fasha etj., si faktorë përcaktues të vendimit për rritjen e fortë të çmimit të energjisë në shtator 2022.
Sipas të dhënave, në vitin 2021 sistemi energjitik prodhoi 6,5% më shumë energji elektrike, sesa nevojat për konsum dhe vendi kaloi në krizë energjitike të shpallur nga Kryeministri Rama.
Gjithashtu, prodhimi i përgjithshëm i brendshëm i energjisë elektrike ka tejkaluar ndjeshëm nevojat e klientëve tariforë për 6 mujorin e parë të vitit 2022 në vazhdim.
Konfindustria vlerëson, se vendimi i ERE për rritjen me afër 5 herë e çmimit të energjisë elektrike për konsum familjar mbi fashën 800 kw/muaj do të jetë me pasoja të rënda për 90-130 mijë familje shqiptare dhe më ndikim të drejtëpërdrejtë në rëndimin e klimës së biznesit dhe ekonomisë kombëtare.
Shqipëria edhe pse është relativisht e pavarur në prodhimin e energjisë elektrike nga tregjet ndërkombëtare dhe gazi rus ka çmimet më të larta në rajon për biznesin dhe familjarët.’- tha Gjergj Buxhuku, administrator i Përgjithshëm i Konfindustrisë.
Nga 1 tetori deri më 31 dhjetor, me qëllim kursimin e energjisë për shkak të krizës, qytetarët do paguajnë më shtrenjtë çdo kilovat orë që harxhojnë mbi fashën 800kh, ndërsa kilovatët e tjerë do të vijojnë t’i paguajnë me çmimin aktual.
Skema e faturës së re
Konsumi 850 kilovat
800 kilovat do faturohen 9.5 lekë, ose 7600 lekë
50 kilovat do faturohen 42 lekë, ose 2100 lekë
Pra, për 850 kilovat fatura shkon 9700 lekë pa TVSH, shto 1940 lekë TVSH dhe 100 lekë tarifa e Televizionit, çmimi do jetë 11.740./Burimi: Shqiptarja.com