Secondary Adv

Ngadalesohet ndjeshem ekonomia, me renie ndertimi dhe energjia

Ekonomia ka shfaqur shenja të forta ngadalësimi në tremujorin e dytë, duke reflektuar situatën e vështirë globale shkaktuar nga çmimet e larta dhe problemet me furnizimin.

 

Sipas INSTAT, ekonomia u rrit me vetëm 2.23% në tremujorin e dytë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shfaqur ritmet më të ulëta që nga tremujori I fundit 2020, kur vendi sapo po e merrte veten nga pandemia.

 

Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ekonomia u rrit ndjeshëm me 17.6%, por ky zgjerim vinte pas tkurrjes së thellë prej 11% në 2020-n, kur vendi u mbyll për shkak të pandemisë.

 

Sipas INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e dytë të vitit 2022 vlerësohet me rritje prej 2,23%, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2021. Kontribut pozitiv kanë dhënë degët:

 

Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me +1,68 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,65 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,33 pikë përqindje,

 

Bujqësi, Pyje dhe Peshkim me +0,31 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,26 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0,06 pikë përqindje.

 

Negativisht kontribuuan aktivitetet: Ndërtimi me -0,49 pikë përqindje, Industri, Energji dhe Uji me -0,46 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me -0,32 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me -0,09 pikë përqindje.

 

Taksat Neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me +0,29 pikë përqindje. Ndërtimi mund të ketë rënë për shkak se ndërtuesit e punëve publike pezulluan përkohësisht aktivitetin, për shkak të rritjes së ndjeshme të kostove (shënim i Monitor)

 

Degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e dytë të vitit 2022, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021, shfaqen si më poshtë: Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rritje me 1,55%.

 

Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rënie me 3,85%. Aktiviteti i Ndërtimit pati një rënie me 5,26%. Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 11,42%.

 

Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 1,7%. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 13,20 %. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 11,38%.

 

Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rritje prej 5,68%. Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rënie prej 3%.

 

Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati një rënie me 5,36%. Taksat Neto mbi produktet u rritën me 2,59%. Sa i përket ndryshimeve në krahasim me tremujorin paraardhës, treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto vlerësohet me një rënie prej 1,16%.

 

Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit u shfaq me një rritje prej 0,28%. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit shënoi rritje prej 6,74%. Aktiviteti i Ndërtimit shënoi një rënie me 5,99%.

 

Aktiviteti Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor shënoi një rritje prej 2,34 %. Aktiviteti Informacioni dhe Komunikacioni pati një rënie me 3,38%. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit pati një rritje prej 2,25%.

 

Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme shënoi një rritje me 2,31%. Grupi Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative shfaqi një rritje prej 0,09%. Aktiviteti i Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me një rritje prej 0,54%.

 

Aktiviteti i Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi u shfaq me një rënie prej 0,16%. Taksat Neto mbi produktet patën një rënie me 0,24%.

 

Rritet konsumi i popullatës

Komponentët kryesorë të PBB–së me metodën e shpenzimeve, për tremujorin e dytë të vitit 2022, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021, shfaqen si më poshtë:

 

Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 8,95%. Konsumi final i qeverisë pësoi rënie me 8,5%. Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks pësoi rënie me 6,69%.

 

Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 9,07%, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 17,63%. Sipas të dhënave të përshtatura sezonalisht, ndryshimet në krahasim me tremujorin paraardhës, shfaqen si më poshtë:

 

Konsumi final i popullatës pësoi rënie me 0,84% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022.

Konsumi final i qeverisë pësoi një rënie me 0,82%.

 

Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks shënoi një rënie me 6,06%.

Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 0,63 %, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 3,90%.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/ngadalesohet-ndjeshem-ekonomia-ne-tremujorin-e-dyte-rritet-vetem-2-23-bien-ndertimi-dhe-energjia/


Më të lexuarat