Parking me panele fotovoltaike ne France, Miratohet plani per energjine e rinovueshme
Të gjitha parkingjet e mëdha të automjeteve në Francë do të mbulohen me panele diellore, pjesë e planit të presidentit Emanuel Macron drejt energjisë së rinovueshme.
Vendimi i miratuar nga senati francez detyron parkingjet e reja dhe ato ekzistuese me hapësirë për të paktën 80 automjete që të mbulohen me panele fotovoltaike.
Pronarët e parkingjeve me hapësirë nga 80 deri në 400 automjete kanë pesë vjet kohë që të përshtaten me të gjitha masat. Ndërkohë ata që kanë parkingje me hapësirë për më shumë se 400 automjete do të kenë vetëm tre vjet kohë.
Të paktën gjysma e zonës së parkingjeve të mëdha duhet të jetë e mbuluar me panele diellore brenda kësaj periudhe. Qeveria franceze beson se kjo masë do të prodhojë më shumë se 11 gigavatorë energji.
Politikanët fillimisht e përgatitën këtë plan për parkingjet me një hapësirë prej 2.500 metra katrorë, por më pasë zgjodhën që t’i seleksionojnë në bazë të numrit të automjeteve që mund të strehojnë.
Macron ka hedhur pas krahëve këmbënguljen e tij për energjinë bërthamore gjatë vitit të kaluar dhe në shtator konfirmoi planet për të nxitur industrinë e energjisë së rinovueshme të Francës.
Ai vizitoi fermën e parë të erës në det të hapur të vendit në portin e Saint-Nazaire në bregun perëndimor dhe shpreson të përshpejtojë kohën e ndërtimit të parqeve me erë dhe parqeve diellore.
Lëvizja vjen pasi vendet europiane po shqyrtojnë furnizimet e tyre të brendshme me energji si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës.
Problemet teknike dhe mirëmbajtja e flotës bërthamore franceze e ka përkeqësuar problemin ndërsa operatori kombëtar EDF u detyrua të reduktojë prodhimin e tij në verë, kur lumenjtë francezë u ngrohën shumë.
Qeveria ka nisur gjithashtu një fushatë komunikimi, “Çdo gjest ka rëndësi”, duke inkurajuar individët dhe industrinë të reduktojnë përdorimin e energjisë dhe dritat e Kullës Eifel po fiken më shumë se një orë më parë, në krahasim me të kaluarën.
Qeveria franceze planifikon të shpenzojë 45 miliardë euro për të mbrojtur familjet dhe bizneset nga pasojat e rritjes së çmimeve të energjisë./Burimi: Scan TV