
Rritja e cmimeve te pronave mund te sjelle shtrenjtim te kredive
Rritja e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme mund të ndikojë në rritjen e kostove të kapitalit për bankat dhe në një shtrenjtim të mëtejshëm të kredisë.
Prej vitit 2019, Banka e Shqipërisë ka miratuar shtesat makroprudenciale të kapitalit, një ndër të cilat është edhe shtesa kundërciklike.
Qëllimi i kësaj shtese është të ngadalësojë rritjen e huadhënies nga sektori bankar, në situata kur Banka e Shqipërisë gjykon se kreditimi po rritet me ritme tepër të larta.
Deri më sot, shtesa kundërciklike e kapitalit ka qenë zero, sepse analizat periodike të Bankës së Shqipërisë kanë treguar se ecuria e indikatorëve mbi të cilat mbështetet vendimmarrja nuk diktojnë nevojën për vendosur një shtesë të posaçme kapitali.
Megjithatë, në analizën e tremujorit të tretë të këtij viti, Banka e Shqipërisë ka evidentuar se disa prej treguesve dhe sidomos ata të lidhur me çmimet në tregun e pasurive të paluajtshme janë në rritje dhe mund të diktojnë një ndërhyrje.
Midis treguesve të referencës, si tregues parësor shërben “Hendeku i raportit të kredisë për ekonominë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB)”, që paraqet devijimin e vlerës aktuale të raportit “Kredi për ekonominë/PBB” nga prirja e tij afatgjatë.
Ky tregues sinjalizon mundësinë e rritjes së tepërt të kreditimit në raport me rritjen ekonomike dhe eventualisht, rritjen e rreziqeve sistemike ciklike.
Aktualisht, kjo shmangie është negative me 7.3 pikë përqindje, nga niveli pozitiv prej 1.9 pikë përqindje që është mesatarja historike e periudhës së marrë si referencë.
Si plotësues të treguesit parësor, shërbejnë disa nëntregues të tjerë të grupuar në indeksin e treguesit të paralajmërimit të hershëm (TPHP).
Ky tregues përbëhet edhe nga pesë nëntregues të tjerë, të cilët sinjalizojnë zhvillimet në kreditim dhe në aktivet jofinanciare (tregu i pasurive të paluajtshme). Në vlerësimin e fundit, ky indeks arriti nivelin 0.6, nga 0.5 që është mesatarja e tij historike.
Efektin kryesor e ka dhënë rritja e fortë vjetore e indeksit të çmimeve të banesave. Vlera e indeksit TPHP, në fund të tremujorit të dytë të vitit, qëndron mbi nivelin e pragut krahasues.
Pavarësisht ecurisë së treguesit parësor, Banka e Shqipërisë shprehet se nëse indeksi plotësues vijon të rritet dhe fiton qëndrueshmëri në periudhat në vijim, mund të sugjerojë nevojën për rritjen e normës së shtesës kundërciklike të kapitalit.
Rritja e shtesës kundërciklike të kapitalit do të nënkuptonte një rritje të mëtejshme të kostove për bankat tregtare. Pas miratimit të shtesave kundërciklike të kapitalit, në vitin 2019, treguesi përfundimtar i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar po rritet gradualisht.
Nga 12% që është kërkesa bazë rregullatore, kufiri i raportit të kërkuar të mjaftueshmërisë së kapitalit aktualisht është në nivelin ndërmjet 14% dhe 18% për bankat me rëndësi sistemike dhe 14% dhe 17% për bankat e tjera.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/shtrenjtimi-i-cmimeve-te-pronave-mund-te-rrise-me-tej-kostot-e-kapitalit-te-bankave/
Më të lexuarat









