
Eurobondi, perzgjidhet konsulenti qe do udheheqe daljen ne tregjet e kapitalit
Qeveria do të dalë për herë të gjashtë në tregjet e kapitalit për të emetuar një Eurobond dhe tashmë ka përzgjedhur konsulentin ligjor që do ta udhëheqë këtë transaksion vitin e ardhshëm. Në një noftim të fundit të Ministrisë së Financave është bërë e ditur se kompania fituese është Dechert LLP.
“Nga data 19 Dhjetor 2022 deri më 27 Dhjetor 2022, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë si përfaqësuese e Republikës së Shqipërisë, u shqyrtuan të gjitha propozimet e paraqitura nga Konsulentët Ligjorë për ofrimin e konsulencës ligjore në emetimin e Eurobondit.
Vlerësimi i propozimeve u bë mbi bazën e: 1. Ofertës Teknike ( Përvoja në Punë të Ngjashme e Konsulentit; Metodologjia e Propozuar; Kualifikimet e Stafit Kryesor të Propozuar) 2. Ofertës ekonomike;
Në përfundim të vlerësimit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë shpalli fituese propozimin e paraqitur nga Dechert LLP duke e përzgjedhur atë si Konsulentin Ligjor që do të sigurojë shërbimin e konsulencës ligjore për emetimin e Eurobond-it të gjashtë, me ekspertizë në ligjin anglez dhe ligjin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për letrat me vlerë” thuhet në njoftim.
Eurobondi, si do përdoret dhe ato ndër vite
Qeveria në këtë dalje të radhës në tregjet e kapitalit do të kërkojë sërish 500 milionë euro por nëse kushtet janë më të favorshme kjo shumë mund të rritet.
Më herët Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se me eurobondin do të financohet një pjesë e deficitit ku nga 55 miliardë të paktën 30 miliardë lekë do të sigurohen nga ky transaksion.
Pjesa tjetër e Eurobondit do të blejë mbrapsh 250 milionë euro të Eurobondit ekzistues që maturohet në vitin 2025. Bëhet fjalë për Eurobondin e siguruar në vitin 2018 dhe që sipas financave redukton riskun e borxhit. Në çdo rast Financat kanë deklaruar se emetimi do të bëhet vetëm nëse sigurohen kushtet e favorshme.
Për herë të fundit Shqipëria emetoi një eurobond në nëntor të vitit 2021 kur siguroi 650 milionë euro me një afat 10 vjeçar dhe me kupon 3.5 për qind e interes 3.75 për qind.
Për herë të parë Shqipëria doli në tregjet e kapitalit në vitin 2010, me vlerë 300 milionë euro. Ajo arriti të siguronte një interes në kupon fiks prej 7.5% dhe afat maturimi 5-vjeçar.
Dalja e dytë e Shqipërisë ishte më 5 nëntor 2015, për 450 milionë euro. Kuponi fiks i siguruar në këtë dalje ishte 5.75%, me maturim 5-vjeçar.
Dalja e tretë në 2018 për Shqipërinë në tregjet e kapitalit shënoi interes më të favorshëm se Eurobondet e mëparshme. Nga kjo dalje u emetuan 500 milionë euro, me kupon fiks prej 3.50% dhe afat maturimi 7-vjeçar.
Në qershor të 2020-s, Shqipëria regjistroi daljen e katërt, ku u emetuan 650 milionë euro, me ofertë nga investitorët rreth 3.2 miliardë euro, me kupon 3.5%, interes 3.625% dhe maturim 7-vjeçar. /Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/eurobondi-perzgjidhet-konsulenti-qe-do-udheheqe-daljen-ne-tregjet-e-kapitalit/)
Më të lexuarat








