Secondary Adv

Investime te reja ne rruget e Tiranes, perfundojne punimet e bllokut Sadik Petrela

 

Me një investim prej rreth 57.8 milionë lekësh, ka përfunduar rikualifikimi urban i bllokut “Sadik Petrela”, në njësinë bashkiake nr. 3, me një sipërfaqe rreth 5 ha. Në përfundim të punimeve, z. Basha është rikthyer në këtë bllok banimi i cili nga sot u ofron një cilësi më të mirë jete 5 mijë banorëve të kësaj zone dhe ashtu siç ka premtuar me marrjen e mandatit për të drejtuar Bashkinë e Tiranës 3 vjet më parë, një standard të njëjtë me qendrën edhe në periferi.

“Kam kënaqësi të madhe të bashkohem sot me qytetarët e bllokut “Sadik Petrela”, këtu në Tiranë. Mbi 5 mijë banorë të kryeqytetit, sot gëzojnë një investim të përfunduar të Bashkisë së Tiranës, i cili ka bërë të mundur urbanizimin e plotë të kësaj zone të lënë në harresë dhe pas dore prej më shumë se një dekade e gjysmë. Urbanizimi i bllokut “Sadri Petrela” ka përfshirë të gjithë punimet e nevojshme për sistemin e ujërave të bardha, të zeza, të kanalizimeve, asfaltimin, trotuaret, ndriçimin dhe siç shikoni edhe profilin urban të rrugëve dhe rrugicave ku është ndërhyrë përmes modelit tashmë të njohur të Bashkisë së Tiranës, zëvendësimit të avllive të vjetra me kangjella qytetare.

 

 

Si kryetar i Bashkisë, ndaj kënaqësinë me të gjithë bashkëqytetarët tanë që përmes një investimi të planifikuar dhe të ekzekutuar mirë, sot ofrojmë një cilësi më të mirë jete për mijëra bashkëqytetarët tanë, për këta vogëlushë, për prindërit e tyre, për më të moshuarit, dhe dua të them se jo vetëm ata që jetojnë në këtë bllok, por të gjithë qytetarët e Tiranës që e duan qytetin e tyre dhe që e kuptojnë se bashkëjetesë qytetare do të thotë të ndash cilësinë e jetës kudo që jeton dhe jo vetëm në qendër të qytetit, i vlerësojnë angazhimet e marra dhe angazhimet e përmbushura nga Bashkia e tyre, angazhime të cilat natyrisht i shërbejnë qytetarëve pa dallim, pa dallim zone ku jetojnë, pa dallim bindjesh politike, duke pasur një vëmendje më të shtuar, natyrisht për zonat e lënë pas dore për një kohë të gjatë.” - theksoi z. Basha.

 

 

 

Investime ne infrastrukture

Rikualifikimi urban i këtij blloku është pjesë e 87 objekteve infrastrukturore të investuara nga Bashkia e Tiranës me vlerë totale rreth 3,988 miliardë lekë të reja, ndër të cilat 48 janë projekte të infrastrukturës rrugore dhe 16 projekte rikualifikimi urban. Qytetit i është shtuar reth 36 mijë metra katrorë gjelbërim, janë mbjellë 12 500 pemë dhe 10 645 bimësi dekorative. Në Tiranë është shtuar 9,042 metra linearë linjë e ujësjellësit, duke u siguruar mijëra banoreve të kryeqytetit ujë për herë të parë në shtëpitë e tyre. “Ky bilanc, - theksoi zoti Basha - ka kompleksuar ish - kryebashkiakun Rama i cili në krye të axhendës së tij ka vënë bllokimin e investimeve të kryeqytetit”.

 

 

“Me sa duket, jo çdokush është i lumtur dhe i gëzuar me këto punime. Një trashëgimi e vjetër na ndjek nga pas, e cila nuk matet me cilësinë më të lartë por matet me bllokimin, me mentalitetin e luftës politike, edhe aty ku nuk ka vend për luftë politike, ku është e qartë se interesi qytetar është që puna të ecë përpara. Ata që janë mbartës të këtij mentaliteti të vjetër dhe të vjetëruar për shqiptarët e shohin këtë si një sfidë dhe në fakt është një sfidë për mosperformancën, është një sfidë për fjalët e shumta pa bukë, është një sfidë për paradat imagjinare të sukseseve por pa asnjë prodhim, pa asnjë vend pune, pa asnjë vepër.

 

 

Në këtë kuptim është dhe duhet të jetë sfidë por një sfidë për t’u konkurruar me vepra dhe jo me fjalë e jo një sfidë për t’u kthyer në luftë politike të paprinciptë, në bllokim si ai që ka përjetuar Bashkia e Tiranës, qytetarët e Tiranës, për shkak të komplekseve personale të ish - kryetarit të Bashkisë i cili ia doli që për më shumë se 7 muaj të bllokonte buxhetin e bashkë me të varrezat, shkollat, kopshtet, çerdhet, projektet strategjike të qytetit të Tiranës dhe mijëra e mijëra vende pune që do ishin krijuar, nëse Edi Rama nuk do ta kishte bërë këtë bllokim. Qytetarët e Tiranës, Bashkia e Tiranës dhe unë jemi optimistë dhe të vendosur. Kemi ecur e do të vijojmë të ecim në realizimin e projekteve tona, u ofrojmë një cilësi të re jete qytetarëve të Tiranës, veçanërisht vogëlushëve të Tiranës të cilët janë vogëlushë me standarde dhe kërkesa europiane, rinisë së Tiranës dhe gjithë qytetarëve të kryeqytetit” – u shpreh kreu i Bashkisë, Lulzim Basha.

I pyetur për bllokimin e bulevardit të ri, z. Basha tha se kjo ka vetëm një arsye: - “Bulevardi dëmtohet nga papërgjegjshmëria dhe nga cmira e kryeministrit” - deklaroi kryebashkiaku Basha.


Më të lexuarat