Secondary Adv

12 mije azilante shqiptare ne 11 muaj, 18 per qind me shume se ne 2021

Nëntori ka ulur numrin e aplikimeve për azil, por pavarësisht kësaj numri i tyre përgjatë 11 muajve të 2022 ka arritur në 12 mijë, duke pësuar një rritje me 17.5%.

 

Gjatë periudhës Janar-Nëntor të vitit të kaluar numri i kërkesave për azil nga shqiptarët regjistrohej në 10,249. Përgjatë nëntorit të këtij viti numri i aplikimeve për azil është 1,136, të cilat ndahen në 935 aplikime për herë të parë dhe në 201 aplikime përsëritëse.

 

Ky tregues është më i lartë se përgjatë nëntorit të vitit 2021, i cili regjistronte 1,131 kërkesa, pra me 5 kërkesa më shumë.

 

Megjithatë, aplikimet gjatë nëntorit paraqiten më të ulta nëse shifrën e krahasojmë me tetorin e vitit 2022, i cili regjistronte në total 1,301 kërkesa.

 

Gjatë njëmbëdhjetë muajve të vitit 2022 numri më i lartë i kërkesave është regjistruar gjatë shtatorit dhe tetorit, ndërkohë që nëntori shënon një rënie të lehtë.

 

Ndërkohë, përgjatë kësaj periudhe numri më i ulët i aplikimeve për azil nga shqipatrët regjistrohet gjatë muajit shkurt me 913 kërkesa.

 

Nëse Shqipërinë do ta krahasonim me vendet e rajonit shohim se edhe për nëntorin shqiptarët nuk bëjnë `lëshime`sa i përket vendit të parë, duke kryesuar me numrin më të lartë. Pas Shqipërisë renditet Maqedonia e Veriut me 812 aplikime dhe Serbia me 477 aplikime për azil.

 

Kosova për nëntorin ka regjistruar 297 kërkesa duke pësuar rënie krahasuar me muajin tetor, ndërkohë që të gjitha vendet e rajonit paraqiten me rënie përveç Serbisë.

 

Ashtu si muajin e kaluar, vendet me numrin më të ulët të aplikimeve janë Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi me 45 dhe 27 kërkesa respektivisht. Të dhënat tregojnë se gjatë nëntorit është arritur pothuaj numër rekord i aplikimeve nga vendet me viza të liberalizuara.

 

Qytetarët e vendeve të ndryshme, kryesisht në Evropë dhe Amerikën Latine, nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në BE. Qytetarë të tillë që përfitonin nga regjimi pa viza i BE së bashku përbënin 19,900 aplikime në nëntor, më shumë se çdo herë.

 

Në të kundërt, më pak aplikime u morën nga qytetarët e vendeve europiane të përjashtuara nga viza në nëntor, duke përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë si dhe Bosnje Hercegovinën.

 

Vendet e Bashkimit Europian morën rreth 107,300 kërkesa për azil në nëntor 2022, një nivel i ri që nga viti 2016 dhe muaji i tretë radhazi me rreth 100,000 aplikime./Burimi: SCAN


Më të lexuarat