Secondary Adv

Turqia zbulon skemen e re per valutat e huaja, synon mbrojtjen e Lires

Turqia ka zbuluar një skemë të re për t’i nxitur eksportuesit të mbajnë më pak valutë të huaj, ndërsa qeveria po ashpërson betejën e saj për të mbrojtur lirën.

 

Vendi tha të enjten se do t’u ofronte kompanive stimuj të rinj për të shkëmbyer paratë që fitojnë jashtë vendit në lira, në këmbim të një zotimi për të mos blerë monedha të huaja.

 

Ky program i ri është shenja më e fundit se si Turqia po përdor një gamë të gjerë mjetesh për të mbështetur lirën dhe për të rritur ekonominë e saj 800 miliardë dollarëshe përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen më 14 maj.

 

Ai vjen pasi sondazhet tregojnë se shqetësimi i njerëzve për trajtimin që qeveria i ka bërë ekonomisë ka reduktuar mbështetjen për Erdoganin dhe partinë e tij në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP).

 

Koalicioni i partive politike opozitare pritet të caktojë një kandidat në javët e ardhshme për të sfiduar Erdoganin, i cili ka qenë në pushtet për dy dekada.

 

Sipas programit të shpallur të enjten, Turqia do të sigurojë 2 për qind “mbështetje konvertimi” kur kompanitë shkëmbejnë me bankën qendrore të ardhurat e tyre në valutë të huaj, në monedhën lira.

 

Kompanitë duhet të zotohen që të mos blejnë monedha të huaja përgjatë një periudhe të caktuar kohore, sipas bankës qendrore. Kohëzgjatja e këtij angazhimi nuk është bërë ende e ditur.

 

Eksportuesve deri tani u kërkohej që të konvertonin 40 për qind të të ardhurave të tyre në valutë të huaj në lira, sipas rregullave të bëra publike vitin e kaluar.

 

Por, programi i ri ofron një nxitje për kompanitë që të shmangin stabilitetin e mbajtjes së dollarit dhe për ta këmbyer atë me lirën. Kompanitë që konvertojnë fonde shtesë në monedhën vendase mund të përdorin gjithashtu një llogari të veçantë për t’u mbrojtur nga luhatjet e lirës.

 

Liam Peach, ekonomist në Capital Economics në Londër, tha se “nuk ishte e qartë nëse kjo nismë do të ketë ndonjë ndikim të rëndësishëm, pasi stimujt mund të mos jenë aq të mëdhenj sa duhet për t’i nxitur firmat që të konvertojnë të ardhurat e tyre në valutë të huaj në lira”,

 

por ajo mund të përbëjë “hapin e parë drejt kufizimeve më të forta që detyrojnë konvertimin e valutës së huaj të firmave”.

 

“Nëse kemi mësuar ndonjë gjë për Turqinë gjatë vitit të kaluar, ajo është se banka qendrore do të mbyllë përfundimisht çdo vrimë në sistemin financiar për të reduktuar kërkesën për valutë të huaj”, shtoi ai.

 

Banka qendrore po kërkon të rrisë përqindjen e depozitave në lira në sistemin bankar, duke e çuar atë në 60 për qind në gjysmën e parë të këtij viti, pasi arriti ta çonte këtë shifër në 55 për qind në fund të vitit 2022, nga 36 për qind që ishte në janarin e kaluar.

 

Lira ra pothuajse me 30 për qind, duke shkuar në një nivel të ulët rekord në vitin 2022, pasi banka qendrore që nominalisht është e pavarur por që praktikisht kontrollohet nga Erdogan, uli normat e interesit edhe pse inflacioni arriti pikun e tij prej 85.5 për qind në tetor.

 

Shumë ekonomistë thonë se lira vazhdon të jetë e mbivlerësuar dhe do të binte akoma më shumë po të mos ishte për masat mbështetëse të qeverisë,

 

të tilla si llogaritë speciale të kursimit të mbrojtura nga luhatjet e monedhës, të cilat janë të hapura për bizneset e konsumatorët dhe kanë ndihmuar në stabilizimin e monedhës gjatë muajve të fundit./Burimi: Financial Times/Monitor 


Më të lexuarat