Secondary Adv

Tjeter skeme mbeshtetje per fermeret, 3.2 mld leke ne dispozicion ne 2023

Fermerët shqiptarë së shpejti do kenë mundësi të aplikojnë në skemën kombëtare të mbështetjes 2023, e cila zbatohet nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural.

 

Aktualisht qeveria po përgatit udhëzimin i cili përcakton skemat e mbështetjes dhe kriteret e financimit dhe me miratimin e tij, brenda këtij muaji pritet të hapen edhe aplikimet të cilat në fazën fillestare bëhen përmes e-Albana me zero dokumente.

 

Fondi i vënë në dispozicion gjatë këtij viti është i njëjtë me financimin fillestar të miratuar gjatë vitit që lamë pas, prej 3.2 miliardë lekësh, nga të cilat 1 miliardë do të përdoret për skemën e naftës falas në bujqësi.

 

Ajo që pritet të ndryshojë në raport me skemat e aplikuara gjatë viti që lamë pas, është mbështetja për blegtorinë, duke qenë se në 2022 nuk pati shumë interes dhe rezultoi të ishte disi diskriminuese për blegtorët.

 

Përfitues sipas masave mbështetëse mund të jenë fermerë individualë, grup fermerësh, subjekte me status fizik, juridik, SHBB. Fermerët individualë të jenë të pajisur me NIPT-in e fermerit me status aktiv.

 

SHBB-të dhe personat fizikë dhe juridikë të jenë të pajisur me NIPT/NUIS me status aktiv. Detyrim kryesor është gjithashtu që përfituesi të këtë bërë “shlyerjen koherente të sigurimeve shoqërore”.

 

Po ashtu, të gjithë aplikantët me status fermer ose person fizik/juridik që kryejnë aktivitet për prodhimin bujqësor dhe blegtoral, përpara aplikimit duhet të plotësojnë/përditësojnë Regjistrin e Fermës.

 

Gjatë vitit 2022 për shkak të situatës së krijuar nga kriza e çmimeve, fondi total i mbështetjes fermerëve përmes skemave kombëtare arriti në 5.1 miliardë, të cilat u shpërndanë në mbi 48 mijë fermerë. Vetëm nga nafta falas, përfituan mbi 34 mijë fermerë./Burimi: SCAN


Më të lexuarat