
INSTAT: Popullsia e Shqiperise shenon renie me me 6276 banore
Popullsia e Shqipërisë, më 1 janar 2016, është 2.886.026 banorë duke pësuar një rënie prej 6.276 banorësh, krahasuar me atë të 1 janarit 2015. Sipas INSTAT, nga kjo popullsi, 1.461.326 janë meshkuj dhe 1.424.700 janë femra. Raporti gjinor i popullsisë së Shqipërisë është 102,6 meshkuj për çdo 100 femra. Mosha mesatare e popullsisë është 34.7 vjeç.
Lindjet dhe vdekjet
Gjatë vitit 2015, numri i lindjeve në Shqipëri ka qenë 33.221, nga të cilët 17.365 ishin meshkuj dhe 15.856 femra. Raporti gjinor në lindje për 2015-n ishte 109,5 meshkuj për çdo 100 femra. Gjatë vitit të kaluar kanë ndodhur 22.422 vdekje, nga të cilat 11.839 ishin meshkuj dhe 10.583 ishin femra. Shtesa natyrore për vitin e kaluar ka qenë 10.799 persona.
Emigrimi
Në vitin 2015, u vlerësua të jenë larguar nga vendi 42.922 persona ku 52,6% e zinin meshkujt. Në të njëjtin vit, numri i imigrantëve (personat e kthyer) në Shqipëri u vlerësua të jetë 25.846 persona. Migracioni neto gjatë vitit të kaluar ka qenë -17.076. Rrjedhimisht popullsia e Shqipërisë ka pësuar rënie prej 6.277 personash (10.799 shtesa natyrore -17.076 migracioni neto). Gjatë 2015-s numri i lindjeve ka pësuar një rënie prej 2.539 lindje, ndërkohë numri i vdekjeve është rritur me rreth 1700 persona krahasuar me vitin 2014. Gjatë vitit të kaluar, migracioni neto në Shqipëri në krahasim me vitin 2014 pësoi rënie me rreth 1000 persona.
Qarqet
Qarku me popullsinë më të lartë në Shqipëri mbetet Tirana me 811.649 (28,1%) banorë, e ndjekur nga Fieri me 312.488 (10,8%) dhe Elbasani me 298.913 (10,4%) banorë. Qarqet me popullsinë më të ulët në vend janë Gjirokastra, Kukësi dhe Dibra, respektivisht me nga 70.331, 84.035 dhe 134.153 banorë. Nga të gjitha qarqet vetëm Tirana, Durrësi dhe Vlora kanë njohur rritje të popullsisë, ndërsa popullsia e të gjitha qarqeve të tjera ka pësuar rënie. Qarku me rritjen më të madhe të popullsisë është Tirana me 1,36%, ndërsa qarku me rënien më të lartë të popullsisë është Gjirokastra me një zbritje vjetore prej 2,57%. Qarku me raportin gjinor më të lartë është Dibra me 108,0 meshkuj për 100 femra, ndërkohë që në Qarkun e Tiranës ky raport është më i ulëti me 99,5 meshkuj për 100 femra.
Si llogaritet popullsia?
Popullsia e Shqipërisë e llogaritur më 1 janar 2016 bazohet në përllogaritjen e kombinuar ndërmjet popullsisë më 1 janar 2015 dhe ngjarjeve demografike (lindje dhe vdekje) që vijnë nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. INSTAT deklaron se ka marrë si pikënisje numrin e popullsisë më 1 janar 2015. Më pas, informacioni mbi lindjet dhe vdekjet sipas moshës dhe gjinisë përgjatë vitit 2015 iu shtua kësaj popullsie nga e cila u përftua një popullsi që merrte në konsideratë vetëm ndryshimin e saj nga shtesa natyrore. Për sa i përket emigracionit dhe imigracionit, ato u morën nga botimi “Projeksionet e Popullsisë 2011-2031”. Informacioni mbi lëvizjet e brendshme u përdor vetëm për të llogaritur popullsinë sipas qarqeve. Cilët numërohen? Sipas përkufizimit të INSTAT, quhen vendbanues të zakonshëm të gjithë personat, pavarësisht shtetësisë së tyre, të cilët jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë për të paktën 12 muaj ose që kanë qëllim për të qëndruar të paktën një vit.
Më të lexuarat









